Një fakt nga SPAK që flet shumë

Mar 11, 2020 | 9:00
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO  pellumb nako

Struktura e Posaçme e Antikorrupsionit duket se ka filluar nga puna. Pa parë e analizuar paragjykimet, hamendjet, dyshimet, mburrjet apo rezervat mbi këtë institucion, do të mjaftonte një analizë e shkurtër e një fakti të bërë publik këto ditë në të gjitha mediat e vendi tonë, për të konstatuar se ku qëndrojnë realisht problemet në zinxhirin e organeve të drejtësisë për zbulimin, hetimin dhe në fund dënimin e një krimi. Sigurisht, janë vetëm hapa të para të funksionimit të një institucioni postreformë dhe koha më pas do të flasë më shumë. Por, po ashtu, për herë të parë nuk po ndeshim qëndrime të pushtetit ekzekutiv që për një bilanc të tillë si ai që do flasim pak më poshtë, nuk ka lëshuar rrufe zjarri dhe akuza kundër tij si rëndom më parë. Nuk do të kemi akuza ndaj drejtësisë duke marrë për bazë gjykimin e Policisë.

Në përputhje me kërkesat e aktit normativ të mbiquajtur anti-KÇK, SPAK-u ka bërë vlerësimet e sekuestrove të kryera nga OFL që nga momenti i fillimit të operacionit për verifikimin e aseteve në zotërim të personave me precedentë kriminalë e në vazhdim. Bie në sy fakti se nga numri 101 i totalit të referimeve të kryera nga ana e Policisë në këtë drejtim, SPAK-u ka vlerësuar si të paligjshme 29 sekuestrime. Ndërkohë që një muaj më parë ktheu për plotësim disa prej tyre. Shprehur me përqindje, kjo do të thotë se nga totali i sekuestrimeve të kryera nga ana e Policisë së Shtetit, 34 për qind e tyre janë të paligjshme. Por duke bërë të njëjtën llogari me verifikimet e kryera deri tani nga ana e SPAK-ut, përqindja e paligjshmërisë se veprimeve të kryera nga ana e Policisë deri më sot shkon në rreth 50 për qind. Ndërkohë që kanë ngelur ende pa u vlerësuar edhe 35 kërkesa të tjera të referuara nga ana e Policisë së Shtetit.

Siç i citua edhe pak më lart, deri më sot nuk kishte ngjarë ndonjëherë që një veprim i tillë i Prokurorisë, ku shënohet një vlerësim paligjshmërie kaq masiv të çështjeve të referuara nga ana e Policisë së Shtetit, të mos pasohej nga mallkime e akuza të ekzekutivit. Në asnjë podium nuk u ngjit ndonjë ministër i Brendshëm për të anatemuar si zakonisht organin e Prokurorisë. Një situatë kjo, që pothuaj ka zënë në çark mjeshtrit e podiumeve dhe të populizmit.

Sepse dhe gjërat kanë ndryshuar. Me apo pa dashje. Të llogaritura ose jo. Nga njëra anë tashmë kemi të bëjmë me një SPAK të bekuar mbarë e prapë nga politika zyrtare dhe nga ndërkombëtarët, e për rrjedhim nuk është i mundur sulmi ndaj tij për aleancë me krimin që i detyron të konsiderojë të paligjshme 29 sekuestrot e Policisë, dhe nga ana tjetër kemi një Polici Shteti, e cila ka vite që po ashtu gëzon bekimin e qeverisë si më heroikja në betejën kundër krimit.

Çdo fjalë, çdo qortim, çdo akuzë për secilën palë sot, do të rezultonte e zhveshur nga çdolloj kuptimi. Do të përbënte një ngërç për qeverinë. Sepse 29 raste sekuestrosh të aseteve të dyshuara si me prejardhje kriminale, të konsideruara nga SPAK-u si të paligjshme, nuk janë pak. Janë të mjaftueshme për të treguar dobësi dhe mangësi jo të vogla për Policinë. Nga vlerësimet e kryera del se ajo ka shkelur ligjin në 50 për qind të veprimeve të saj.

Duke qenë se në media që u referohen burimeve të SPAK-ut flitet për veprime të paligjshme dhe nuk specifikohen se ku ekzistojnë konkretisht shkeljet, me të drejtë opinioni publik mund të bëjë deduksione lidhur me efikasitetin e policisë me këtë rast. Sepse edhe Policia është reformuar tashmë duke u transformuar sipas shijeve të ekzekutivit.

Në këtë rast, më së paku Policia rezulton e papërgatitur profesionalisht në mënyrë të mjaftueshme për të kryer veprimet në përputhje me ligjin ose ajo nuk e njeh situatën kriminale ashtu si duhet. Ndërkohë, ka shumë të ngjarë që veprimet e saj, duke u organizuar në formën e një operacioni për të goditur financat e personave me precedentë kriminalë që kanë dekada duke u majmur me biznese, bën një lloj përzgjedhje të tyre në pamundësi për t’i goditur të tërë. Në këtë mënyrë, termi KÇK i përdorur nga shefi i qeverisë transformohet nga ana e Policisë në moton të “Sekuestrojmë Ç’të Sekuestrojmë”. Sigurisht, gjithmonë me bekim nga lart.

Procedura e ndjekur për evidentimin e subjekteve që kanë detyrimin për vetëdeklarim pasuror në bazë të aktit të ri tashmë ligjor, janë tërësisht vepër e Policisë. Po ashtu verifikimet e kryera prej saj si dhe hartimi i listave së bashku me formularët. Madje për ta bërë këtë punë akoma më mirë, akti i ri ligjor Anti-KÇK u ka dhënë më shumë kompetenca organeve policore. Po ashtu, ka detyruar të gjitha entet qeveritare t’i përgjigjen Policisë në kërkesat e saj për verifikim. Pra, hapësira të mëdha veprimi e ligjore për të hartuar dosje të sakta ligjore në pritje të vlerësimit nga SPAK. Dhe, megjithatë, në këtë vlerësim të parë, Policia e Shtetit rezultoi me dobësi të mëdha. Sekuestro të shumta janë kryer në mënyrë të paligjshme. Nëse do të bëhej fjalë thjesht për plotësime të dhënash, siç ia kthehu në disa raste Policisë disa kohë më parë SPAK-u, çdo gjë do të ishte normale dhe e pranueshme. Por ajo që të lë hije të shumta hamendësie mbetet fakti sesi ka mundësi që Policia të kryejë sekuestro të paligjshme kur ka kaq shumë hapësira veprimi. Kjo të lë të mendosh se subjektet e përzgjedhura nuk kanë pasur për kriter vetëm ligjin dhe nuk janë përzgjedhur vetëm nga Policia.

Po ashtu, duket qartë që akti normativ i hartuar me urgjencë, i vënë në punë po ashtu me urgjencë, duke i dhënë Policisë një kompetencë apo një përgjegjësi, të cilën dikur e kryente nën urdhrat e Prokurorisë, e nxori Policinë mjaft të zbuluar për të marrë përsipër misione të tilla.

Ndërkohë, pak më sipër theksuam se të dyja organet në këtë moment janë të vendosura në të njëjtën peshore besueshmërie të qeverisë. Në rast se gabimet e konstatuara Policisë për rastin, për të cilin po flasim, do të gjykoheshin me të njëjtin besim ndaj drejtësisë edhe në kohën para reformës, do të na rezultonte se problemi më i madh për t’u reformuar do të mbetej Policia dhe jo drejtësia. Se është ajo që duhet rregulluar ashtu siç duhet.

Megjithatë, pozitiv është fakti se përsëri për herë e parë logjika e gjykimit po shkon në të njëjtin kah me logjikën ligjore. Nuk po gjykohet Prokuroria nga Policia, sepse atë do ta gjykojë Gjykata më pas, por po gjykohet Policia, veprimet e saj. Dhe ajo e paska shkelur ligjin plot 29 herë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura