“Një e tretë, dashuria”, libri më i ri me poezi i Preç Zogajt. Natasha Lako: Vjen si një lulëzim i gjuhës, si hapja e trëndafilit

Nov 6, 2021 | 14:25
SHPËRNDAJE

UET, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar organizoi një spektakël poetik për librin më të ri me poezi të Preç Zogajt “Një e tretë, dashuria”, botim i UET Press

“Ne na njohu një e tretë: Dashuria./ Ajo qëndronte mes heshtjes sonë/ kur shiheshim gjatë si dy të pagojë/ dhe e dinim para tjetrit çfarë ka në mendje tjetri/ dhe  flisnim dyshe edhe kur flisnim me vete….”

preczogaj

Prej strofës së parë të poezisë “Ne na njohu një e tretë, dashuria”, autori Preç Zogaj mori indicien që librin e tij më të ri me poezi ta titullojë “Një e tretë, dashuria”. Pas 101 poezive në librin “In Love”, Preç Zogaj këmbëngul më fortë në këtë zhanër letrar, por tashmë më me pjekuri artistike dhe më i afirmuar si poet. Krijimtaria e 4 viteve sillet nga autori në këtë botim të ndarë në 6 cikle, që duket se përshkojnë rrugëtimin e një jete të autorit, por ku gjenden çaste, copëza, përjetime që gjen veten gjithsecili që bëhet ‘dëshmitar’ i bashkëbisedimit të Zogajt me vetveten.

Në një spektakël poetik në Art Turbina, organizuar nga Universiteti Europian, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar, poezia dhe vetë autori, erdhën mes zbërthimeve dhe interpretimeve të ndryshme.

Aktorët e Teatrit Kombëtar sollën interpretime të fuqishme, emocionuese të disa prej poezive të librit “Një e tretë, dashuria”.

Poetja Natasha Lako çmoi pasurinë e gjuhës, që sipas saj, nën penën e Preçit bëhet e papërsëritshme dhe pandashme nga ai.

Ndërsa poeti i parë laureat, Rudolf Marku, i cili ka bërë parathënien e librit, por njëkohësisht gëzon një miqësi të hershme me autorin, i bëri një interpretim interesant vetë titullit të librit, teksa e cilësoi si librin më të mirë të letërsisë shqipe, por edhe të vetë autorit, i cili e ka sprovuar veten edhe në gjini të tjera letrare.

Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli dhe drejtoresha e botimeve UET Press, Suela Mino, folën nën dritën e bashkëpunimeve me autorin, prurjet e të cilit kanë qenë të shpeshta nën logon e UET Press.

Nën moderimin e aktorit dhe pedagogut të UET-së, Dritan Boriçi, i cili nuk i rezistoi tundimit për të interpretuar një prej poezive, vetë autori zbuloi disa detaje mbi krijimtarinë e tij dhe elementët që e diferencojnë këtë libër nga të mëparshmit.

Intervista me autorin

Një e tretë, dashuria”, shumica prej jush që nuk e keni lexuar këtë libër mund të keni menduar që ta pyesni autorin, se cili është kuptimi i këtij titulli, disi i çuditshëm në perceptim.

Është titulli i njërës prej poezive. Edhe vetë koncepti mitologjik për dashurinë. Tregon Afërditën që i takon njerëzit, iu jep ndjesinë e saj, pastaj ikën i lë. Kështu është dashuria. Unë mendoj se dashuria nuk nuk mund të jetë përkohshme. Mendoj se do të ishte e papërballueshme ajo dashuri që e mendojmë si hyjnore.

Cila ka qenë pikënisja, ose kohënisja e një vëllimi poetik, sepse kam përshtypjen që poezia, ashtu si nuk ka një pikëmbërritje, nuk ka as një pikënisje. Më kujtohet hyrja e një romani të Grahm Greene, i cili shkruan: “Është thjesht një proces teknik, ku shkrimtari e vendos se ku do ta nisë, por ajo mund të ketë nisur shumë kohë më parë”.

Për poezinë kjo është e vërtetë, sepse autori në thelb shkruan një libër. Një libër që mund të fragmentohet në disa libra dhe secili libër, nga një pikëpamje, mund të themi se është ditari poetik i tij për një periudhë të caktuar. Është një libër me përmbledhjen e poezive që unë e kam shkruar gjatë këtyre 4 viteve të fundit. Por ajo është vazhdim i krijimtarisë sime dhe këtu qëndron edhe një veçori që e ka poezia, që autori duhet të ngelet vetvetja, por edhe të mos përsërisë vetveten. Kjo është, mendoj unë, përpjekja e poetit. Në momentin që përsërit vetveten, s’ka arsye që të botojë libër. Ne botojmë libra të rinj, sepse mundohemi gjithmonë, duke ruajtur tiparet e poezisë, pretendojmë të kemi shkruar një poezi që është e re në raport me poezinë e mëparshme. Miqtë e mi që e kanë lexuar librin, Rudolf Marku që ka bërë parathënien, redaktorja, lexuesit e parë të saj, më kanë thënë se “është libër i yti, por është libër i ri”. Ky është  një kompliment që e çmoj shumë.

Kur kam lexuar librin tuaj “Ushtrimet e melankolisë”, botim i UET Press, kam menduar se pas atij libri autori nuk ka çfarë të thotë më. Cili është raporti i librit “Një e tretë, dashuria”, me vëllimet tuaja? A ka një vijë ngritjeje në krijimtarinë e një autori? A ka një vijë rënieje?

Ju falenderoj shumë për fjalët që thatë për librin e mëparshëm. Ka disa lexues që më kanë thënë se është një libër që përfaqëson një kulm në ecurinë e librave të mi, por këto janë marrëdhënie që çdo lexues i krijon me një libër. Për librin “Kalimi”, i cili ka marrë edhe një çmim kombëtar, Ndoc Gjetja më thoshte kur ishte gjallë, që “nuk mund të bësh një libër më të mirë se ky”. Pas atij libri unë botova një libër me titull “Pas erës së re” dhe vetë Ndoci gjeti maja të reja në raport me poezinë time. Pra, është një kërkim. Mendoj se libri im i fundit, por për këtë do të flasin më mirë ata që e kanë lexuar të parët, është një libër që  kapërcen “Ushtrimet e melankolisë”. Autori ka gjithmonë një ide, i do librat e vet. Është edhe kritik, por ka edhe një marrëdhënie të posaçme me secilin prej librave. Unë e kam të vështirë që t’i ndaj librat e mi, por besoj se ky është një libër që shënon një nivel më të lartë në poezinë time. Shpresoj që këtë të gjejnë edhe lexuesit që më njohin mua si poet.

Kemi shembuj të tillë, si Andre Breton, Louis Aragon, Ezra Pound e të tjerë, që bëheshin bashkë. Dua të di për poetët e Lezhës, duke qenë pena të forta, njerëz që bëjnë poezi që nderojnë letërsinë, a nuk është rreziku që të ndikohen nga njëri- tjetri? Apo ata janë njëkohësisht kritikuesit, admiruesit dhe lexuesit e parë të veprave?

Vijon edhe sot historia e shoqërisë së poetëve në Lezhë. Aty poezia funksionon si një lidhje miqësore mes atyre që shkruajnë. E kemi lënë ne ndoshta atë përvojë. Për mua ka qenë një fat, që kam pasur mundësinë, jo vetëm të njoh, por të takoj shpesh, të flas me ta shpesh, t’iu jap poezitë e mia dhe të marr mendimet e tyre, pra nga dy poetët, Ndoc Gjetja dhe Rudolf Marku. Shoqëritë letrare janë shumë specifike, sepse poeti është në shoqëri letrare edhe me ata që nuk i sheh. Unë e kam ndjerë veten në shoqëri letrare me Walter Lippman apo Salvatore Quasimodo, që i kam lexuar rastësisht, përpara se të njihesha me Ndocin dhe Rudolfin. Gjithsekush krijon këtë lloj shoqërie. Teksa e pyesinin se “kush janë miqtë e tu dhe kush të ka influencuar”, Borgesi përgjigjej, duke përdorur disa paradokse si këto të Rudolfit: “Të gjitha ata që i kam njohur, ata që i kam lexuar dhe ata që nuk i kam lexuar dhe janë te unë”. Në rastin e Lezhës, ka qenë cilësia e poezisë së Ndocit dhe Rudolfit dhe pastaj ndoshta edhe e imja, që u bëmë një trekëndësh, u bëmë një trio për atë kohë. Është cilësia që e mban miqësinë letrare. Si e tillë, kjo miqësi është shumë më e gjerë sesa në një zonë gjeografike. Iu jap shumë rëndësi shoqërive letrare, por shoh edhe anën tjetër të medaljes, që është vetmia letrare, sepse në fund të fundit është ajo që e prodhon letërsinë. Shoqëria krijon atmosferën. Letërsinë e krijon vetmia. Vetmia është fati i një shkrimtari dhe kjo nuk do të thotë që ai nuk është me të tjerët.

Rudolf Marku: “Një e tretë, dashuria”, një nga librat më të mirë të letërsisë shqipe

Çudia më e madhe është ajo që dihet. Ajo e përditshmja është surpriza më e madhe në këtë botë, nuk është ajo që nuk njihet. Për ta përkthyer këtë në gjuhën poetike është një problem tjetër pastaj. Dua ta filloj me sekretin e titullit të librit. U tha që është një titull i çuditshëm. Unë them që nuk është një titull i çuditshëm.

Është një titull që na kthen pas te koncepti i Lasgush Poradecit.

Ai ka poezinë e famshme që thotë: “Se s’dashuronja-as un’ as ti/Po dashuronte dashurija”. Është gjithmonë një e tretë. Unë dua të them me këtë, që gjërat e njohura janë ato që japin shans për të folur, për të krijuar artin e madh. Ky nuk është një imitim i Lasgush Poradecit. Por duke e thënë këtë varg, ai përsërit një kocept që e merr nga Martini. Në të njëjtën kohë, ne shkojmë shumë thellë në traditën e letërsisë botërore. Kemi atë momentin e mrekullueshëm të Dante Aligerit te “Ferri”, ku në ferrin e Dantes shfaqet një oaz dashurie. Është kënga e famshme që ka Paolo Malatesta e Francesca da Rimini, ku tregojnë historinë tyre. Dashuria e tyre është një nga këngët më të mrekullueshme që ka letërsia botërore. Francesca tregon se kjo dashuri fillon me leximin e një libri. Janë duke lexuar një libër mesjetar që flet për dashurinë e Lancelotit dhe befas, pa e kuptuar, lind një dashuri e pakuptueshme.

Te dashuria është gjithmonë një sekret, është një e tretë gjithmonë. Këtë koncept e merr Preç Zogaj, por merita e tij dhe e çdo shkrimtari, është kur e merr në mënyrë intuitive, pa i shkuar ndër mend në ato momente që është një koncept i hershëm. Te Ovidi, te 3 librat e famshëm “Amores”, është gjithmonë erosi ai që trazon dhe ndez dashurinë mes mashkullit dhe femrës.

Më kujtohet koncepti i një poeti shumë të madh, Boris, i cili thotë që “në këtë botë është gati e pamundur të mos imitosh, çështja është të jesh ti i paimitueshëm kur shkruan”.

Ky është një koncept i vjetër i poezisë së dashurisë. Rimarrja intiutive që bën Preçi është merita e madhe e kësaj poezie. Libri i tij është një nga librat më të mirë të letërsisë shqipe dhe padyshim libri më i mirë i Preçit. Krijuesi shkruan e shkruan dhe në një moment, trak, ndalet dhe pyet veten: “Çfarë është kjo që shkruaj unë?”. Ky është momenti i pjekurisë së shkrimtarit.

Libri i Preçit është një çast, ku autori ka një ndalje të vetëdijshme, që i bën mirë poezisë dhe e shpëton nga rreziku i përsëritjes së krijimtarisë së mëparshme.

Po ta lexosh librin, lexuesi befas zhduket. Ky libër nuk është një bisedë me lexuesin, është një bisedë me vetveten. Kjo është një veçori e këtij libri. Është momenti i pjekurisë së poetit. Në parathënien “Një e tretë, dashuria”, them se na udhëheq drejt një udhëtimi të brendshëm.

Poezia dhe letërsia janë udhëtime të brendshëm e për të eksploruar ndjesitë më të thella, më intime, më konfidenciale, aq sa duket se poezia është një bisedë me vetveten. Dua ta përgëzoj edhe një herë mikun tim Preçin.

Natasha Lako: Te Preçi, fjala zë një vend të çuditshëm që nuk e ke te asnjë poet tjetër

Në këtë libër ka një lulëzim të gjuhës. E them këtë sepse më kanë bërë përshtypje ndarjet që Preçi ka bërë. Ka një ndarje shumë të bukur në cikle. Në vëllimin “Shpagimi vjen me fytyrat më të bukura”, tregohet fytyra e çdo fjale. Dua të lexoj dy vargje për shokët e Preçit: “O Gjergj , o Pashk, o shokë të fëmijërisë!/ Ju mbaj mend si këto kurora  pemësh/ që i pjalmon ngadalë era e majit..”

Ka një lulëzim fjala dhe këto kurora pemësh janë njerëzit. Çdo fjalë lulëzon në mënyrën e vet te Preçi dhe është e papërsëritshme. Fjala zë një vend të çuditshëm që nuk e ke te asnjë poet tjetër. Është një marrëdhënie që e zbulon vetëm Preçi. Për mua kjo është një nga gjërat më të bukura, që tregojnë një pjekuri shumë të madhe artistike. Preçi thotë diku, se “gjuha maskohet në gjuhën e nënës”. Ne të gjithë flasim në gjuhën e nënës, por atje maskohemi për të shpërthyer, për të lulëzuar. Këtë lulëzim nuk e them në mënyrë romantike, sepse nëse jemi mbledhur për një festë si e Dionisit, ka edhe dhimbje, ka njëlloj dëshirë për shpagim të vuajtjes nëpërmjet bukurisë. Kjo bukuri njerëzore është në radhë të parë dashuria. Do të lexoj dy vargje të tjera që kanë të bëjnë me këtë lulëzim dhimbjeje dhe përjetësie që flet Preçi, që për mendimin tim duhet të shënohen si citat për dashurinë.

“Ditët nuk bëjnë asgjë veç bien/ njëmijë,  dy mijë, tre mijë… rrotullohen,/ mjergullohen, treten  rreth  pulpave të tua.” Ka diçka eternale, të përjetshme në këtë shpërthim të brendshëm të gjuhës. Kjo është thellësia e madhe e poezisë së Preçit. Ne nuk jemi mësuar me këtë lloj poezie. Në poezi zbret dhe ngjitesh, jo vetëm në planin direkt, por në nënkuptime dhe zbulime të pafundme brenda një poezie.

Së dyti, që dua të theksoj është se Preçi ka në libër dy poezi, që çuditërisht rrinë pranë e pranë. Ka një poezi për Pjetër Bogdanin dhe pas saj, një poezi për Rudolf Markun, një linjë e tërë e poezisë shqipe. Ne nuk jemi mësuar që bashkëkohësit tanë t’i bashkojmë me ata që janë eternalë. Preçi i bashkon në këtë vijueshmëri të letërsisë shqipe, bashkon atë gjë të bukur të traditës shqipe, pasi poezia vjen edhe në sajë të një kulture, respekti, humanizmi. Preçi e di shumë mirë vendin e vet në poezi, sepse është në atë pjekuri dhe shprehet deri në fund, sepse ka fituar veten plotësisht. Është një vëllim i cili të befason dhe të sjell kënaqësi të pafundme

Alda Bardhyli: Lirika e Preçit bëhet historia e secilit lexues

Çdo botim i Preçit është një ngjarje për skenën letrare. Edhe ky libër që promovojmë sot është një festë e bukur, ashtu siç tha edhe Natasha, është një festë e gjuhës, pasi poezia fillimisht është gjuhë, pastaj shndërrohet në formë dhe përcjell të gjitha emocionet e saj. Ajo çfarë e karakterizon Preçin, është ajo ç’ka Cesar Vallejo thotë: “Në qoftë se poezia bëhet historia e jote, atëherë ajo është poezi”. Lirika e Preçit e mbart këtë gjë, arrin të bëhet historia jote. Preçi karakterizohet si një poet që mbush skenën letrare shqiptare, gjuhën e drunjtë që ka pasur erosi në historinë e letërsisë shqipe. Tashmë është një poezi që pasurohet me një bibliotekë të pasur dhe një fjalor të madh. Ne flasim shumë pak, edhe pse poezia në vetvete është një rrëfim për dashurinë. Preçi, Natasha, Rudolfi, hyjnë te ata poetë që  vazhdojnë të sjellin novatorizëm. Kjo është diçka e bukur për një skenë letrare, pasi për mbi 30 vite ne kemi të njëjtët protagonistë që vijojnë të jenë aktivë dhe të notojnë në ujërat e bashkëkohësisë. Kjo është një vlerë për poezinë e Zogajt.

Suela Mino: Preçi na jep privilegjin të përjetojmë ngjarje që s’mund të ndodhin prapë

Është kënaqësi e veçantë që kemi një autor si Preç Zogaj, i cili vijon të jetë një prurje e re, duke qenë me krijimtari dhe cikël botimesh të shpeshtë. Për mua personalisht është gjithmonë kënaqësi kur vjen një libër i Preçit për t’u redaktuar, sepse është një proces i imtësishëm për të qëmtuar gërmën e për të arritur te lazdrimi i fjalës dhe pastaj te një botim që ka gjithmonë diçka për të thënë. Poezia mbetet një zhanër elitar, një komunikim i ngushtë dhe unë besoj se kjo është pika e fortë e forcës së Preçit, sepse na jep ne mundësinë dhe privilegjin që atë jetën që na kalon, shpesh pa pasur mundësi t’i lexojmë poetiken, apo të ndalemi në detajin emotiv të njerëzve dhe ngjarjeve afër nesh, ai ka instrumentet gjuhësorë dhe ato të përjetimit për të na i kthyer në një thellësi të thjeshtë, që na prek të gjithëve, që na jep sy të tjerë për të parë botën dhe një ndjeshmëri tjetër për të komunikuar me fjalën. Është një kënaqësi e veçantë, përtej marrëdhënies sonë të autorit dhe shtëpisë botuese, apo të redaktimit dhe tekstit, për t’u kthyer në një ngjarje për lexuesin. Ky libër është i organizuar në 6 cikle dhe është një lloj rrugëtimi jete. Në fund është një etyd, “Dashuria nuk flet…”. “Dashuria nuk flet, vetëm shikon/ në pikën ku mblidhen ngjarjet,/ që s’mund të ndodhin prapë.”

Përfitoj nga ky rast për të falenderuar personalisht Preçin, që na jep ne privilegjin të shohim, të përjetojmë ngjarje që s’mund të ndodhin prapë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura