‘Një ditë të bukur me diell, u bë “armiku publik”’/ Izolimi në burg, Shullazi, letër Metës, Ramës dhe Ruçit

Aug 14, 2020 | 10:34
SHPËRNDAJE

XHENTILA GJOSHI/ Izolimin si pasojë e regjimit “41-bis”, Emiljano Shullazi nuk e ka pritur fare mirë, duke pretenduar së fundmi se ndaj tij po bëhet padrejtësi.

shullazi-800x450-1

Vladimir Meçi, avokati që mbron interesat e Emiljano Shullazit, ka bërë lëvizjen e radhës në mënyrë që të shpëtojë klientin e tij nga ky izolim. Përveç kundërshtimit të këtij izolimi në Gjykatën e Posaçme të Apelit, Meçi i ka dërguar së fundmi një letër Kryeministrit Edi Rama, Presidentit Ilir Meta dhe kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Nëpërmjet kësaj letre, ai thotë sërish se vendimi për ta dërguar në burgun e sigurisë së lartë klientin e tij, është i padrejtë. “Padrejtësia që është bërë, është shumë e madhe. Ligji 108/2018 paraqet një sërë problemesh”, shkruan avokati. Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçi, ka ankimuar edhe më herët vendimin për izolimin e klientit të tij në qelitë e posaçme të regjimit “41-bis”.

Sipas kërkesës, e cila është depozituar në Gjykatën e Posaçme, avokati Meçi ka listuar arsyet se përse nuk është dakord me vendimin e marrë nga Ministria e Drejtësisë, sipas të cilit ka një sërë shkeljesh. Ai argumenton se Shullazi nuk ka statusin e të dënuarit e për pasojë nuk mund të izolohet në burgjet e sigurisë së lartë.

Ndalur në një paragraf të këtij dokumenti, avokati citon Ministrinë e Drejtësisë, ku thotë se “Emiljano Shullazi mban kontakte me organizatën kriminale ku ai bën pjesë”. Një gjë e tillë, sipas Meçit, është e paplotësuar, pasi ata që Ministria i quan organizatë kriminale, janë kushërinj dhe të afërm të Shullazit.

“Ajo që thuhet në urdhrin e Ministrisë së Drejtësisë për Emiljano Shullazin, se subjekti mban komunikime me organizatën kriminale ku bën pjesë dhe me organizata të tjera, si edhe me të paraburgosurit e tjerë që i përkasin të njëjtit grup, me të cilin bashkëpunojnë, është e paplotë dhe nuk vërteton qëllimin e këtyre kontakteve apo komunikimeve”.

LETRA, DREJTUAR KRERËVE TË SHTETIT

“Edhe pse të nevojshme si kortezi, besoj se prezantimet e gjata janë të tepërta. Ju drejtohem me këtë letër, duke marrë shkas nga disa shqetësime serioze që më ka ngjallur ligji 108/2018, ‘Për një shtesë në Ligjin Nr.8328, datë 16.04.1998’, ‘Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve’ (i ashtuquajtur regjimi 41-bis) dhe mënyra e aplikimit të tij për herë të parë ndaj të mbrojturit dhe përfaqësuarit prej meje, Emiljano Shullazi.

Ajo që thuhet në Urdhrin e Ministrit të Drejtësisë për Emiljano Shullazin, se ‘subjekti mban komunikime/ kontakte me organizatën kriminale ku bën pjesë dhe me organizata të tjera, si dhe me të paraburgosurit e tjerë, të cilët i përkasin së njëjtës organizatë dhe organizatave të tjera me të cilat bashkëjetojnë’, është e paplotë dhe nuk vërteton qëllimin e këtyre kontakteve apo komunikimeve. Emiljano Shullazi ka qenë i paraburgosur në IEVP 313, ‘Jordan Misja’, bashkë me të lanë qenë në të njëjtin institucion edhe nipi i tij Endrit Zela, shoku i tij i fëmijërisë, Gilmando Dani, dhe kushëriri i tij, Blerim Shullazi, të gjithë këta, sipas Gjykatës së Shkallës së Parë, ‘pjesë e një grupi të strukturuar kriminal’.

Nëse ministri e ka fjalën për këta persona, të cilët ‘janë pjesë e së njëjtës organizatë’, kujtojmë se mes qenieve njerëzore ka edhe marrëdhënie njerëzore, daja do ta takojë dhe do flasë me nipin e tij, do kujdeset për të dhe kjo nuk mund të quhet as kriminale dhe e kundërligjshme. Nëse ministri e ka fjalën për ‘Organizata të tjera kriminale’, duhet të arsyetojë dhe të shprehet qartë se për cilat organizata e ka fjalën, a ka të tilla të proceduara penalisht apo edhe të dënuara me vendim të formës së prerë? Së fundmi, duhet të na thotë se a kanë pasur këto komunikime dhe kontakte qëllim kryerjen e veprave kriminale terroriste?

Sqarojmë se Emiljano Shullazi ka në paraburgim plot 4 vjet e 3 muaj, në dy vjet e gjysmë ka qenë i punësuar në Bibliotekën e Burgut, nuk ka asnjë vërejtje apo masë disiplinore për shkelje të rregullores ndaj tij. Si ta shpjegojmë që ky individ ka respektuar me përpikmëri rregulloren nga njëra anë dhe një ditë të bukur me diell, si rrufe në qiell të pastër, u bë ‘Armiku Publik’, që duhej patjetër të izolohej në regjimin e posaçëm 41-bis?!

Po SPAK-u që bën propozimin dhe ka dijeni për organizata të tjera kriminale, si nuk ka filluar asnjë procedim ndaj tyre, pasi mjafton vetëm krijimi dhe ekzistenca e tyre që ato të procedohen penalisht. Të nderuar, nuk është asnjëherë e vonuar apo e tepërt të pranohet që ekzistojnë mangësi në një proces të hetimit dhe zbatimit të ligjit, apo që nuk janë marrë në konsideratë aktet dhe marrëveshjet/konventat ndërkombëtare, në të cilat Shqipëria është palë me detyrimin për t’i zbatuar dhe që, sipas Kushtetutës, prevalojnë mbi të drejtën e brendshme”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura