“Një ditë si Skënderbeu”, Bashkim Hoxha sjell mesazhet e munguara mes ironisë e dramës

Nov 15, 2019 | 9:22
SHPËRNDAJE

bac-1

ANILA DEDAJ/ “Kush nuk lexon, i lë diçka mangët vetes sepse e privon nga të gjitha jetët, me të cilat e njeh letërsia”. Shkrimtari Bashkim Hoxha, në këto ditë të Panairit të Librit reflekton entuziazëm si lexues dhe si autor, teksa në stendën “Onufri” është krijuar radha e dashamirësve të letërsisë së tij, për një takim të drejtpërdrejtë me të.

Në këtë edicion të 22-të të ngjarjes më të rëndësishme të librit, ai vjen me “Kronikat e mjegullës” dhe “Një ditë si Skënderbeu”, dy vepra të brumosura nga realiteti shqiptar, ku për t’u thelluar në të sotmen, autori rrugëton edhe në shtigjet e historisë, gjithmonë duke mbajtur në fokus fatet, dramat njerëzore.

Ndodh kështu me protagonistin e tij, aktorin Besnik Bejto, të cilit një telefonatë nga Kryeministria do t’i ndryshojë rrjedhën e ditës. Teksa e ftojnë në ceremoninë e hapjes së vitit jubilar të heroit kombëtar, ai vetëgënjehet dhe shpreson se do t’i rikthehet rolit të tij me peshë e do të jetë “Një ditë si Skënderbeu” në 550-vjetorin e vdekjes së heroit.

Ngjarjet zhvillohen në teatër, dramat e të cilit autori zgjedh t’i rrëfejë përmes ironisë, pa e rënduar lexuesin, por duke e ftuar në reflektim. Ai na jep momentet e entuziazmit të Besnikut si “Skënderbe”, të cilit, në një kohë që i duhet të veshë petkat e një roli madhështor, përballet me problemet e përditshme si vonesa e rrogës, paga mujore që duhet t’i kalojë ishbashkëshortes, xhelozia e kolegëve e shprehur haptazi në refuzimin për t’i dhënë ‘like’ statusit të tij. Me humorin e hollë aleat, Hoxha ndër të tjera kritikon nën rreshta edhe qëndrimin e politikës kundrejt personaliteteve të vendit, apo përdhosjes që ata i bëjnë historisë sipas interesave të momentit.

“Një Kryeministër që kërcen tallava në dasmën e djalit të Erdoganit”, apo një ish-Kryeministër që “gjatë vizitës së Presidentit turk heq pikturën e Skënderbeut” janë të dhëna për mosbesim dhe që u lënë pak vend pritshmërive për një vit jubilar siç duhet të jetë.

nje-dite-si-skenderbeu-rrefim-i-nje-aktori

“Viti që kaloi ishte një vit jubile dedikuar Skënderbeut, me të cilin politika abuzoi në të gjitha format. Mesazhet më të forta të Skënderbeut nuk u respektuan, madje ne përjetuam momente reale, që binin haptazi në kundërshti me amanetet e Skënderbeut”, thotë shkrimtari për “Panoramën”.

I gjendur në situata të tilla reale, edhe pse të shprehura me finesë letrare, Besniku do ta ketë të vështirë ta çojë deri në fund rolin e tij. “Është shumë e vështirë që të luash Skënderbeun me gjithë madhështinë e vetë në një kontekst si i yni, ku liderët tanë shfaqin pretendime për të qenë vetë ‘Skënderbe’, madje edhe servilët e tyre i quajnë të tillë”, tregon Hoxha. E në kushte të tilla, edhe në roman, në telefonatën e dytë nga Kryeministria, Besnikut do t’i thuhet qartazi se “një i vetëm është Skënderbeu”, por ai tanimë është i pushtuar sa nga ngarkesa e personazhit që shpresoi të luajë, aq edhe nga pesha e ngjarjeve reale, saqë diku do ta shpërthejë këtë rol.

Në “Një ditë si Skënderbe” ndihen përpjekjet e autorit për të bërë bashkë thuprat që historia mpleksur me legjendën i rrëfen si simbol të bashkimit skënderbejan. Aktori Besnik Bejto i kërkon ato dëshpërimisht në rekuizitë, teksa vëren se janë bërë gardh pranë teatrit. Një gardh që ndan dy vëllezër, të cilët përjetojnë një konflikt të fortë pronësie.

“Me këtë lloj metafore është ndërtuar e gjitha kjo ditë si Skënderbeu”, thotë gazetari, i cili përmes letërsisë bashkëkohore tenton të mbushë vakumet e mesazheve të munguara për një popull, që ka mbingarkesë konfliktesh e që duhet të mendojë se si të ndërtojë ura komunikimi, ura drejt së ardhmes. Heroi i tij i sjell të përshtatura në kohë amanetet e Gjergj Kastriotit: “Po ju lë, trima të çartur. Besoj se do t’i qëndroni besnikë atdheut tuaj. Ju trima të çartur, mos merrni peng fatet e të vegjëlve për t’i përdorur si monedha në pazaret tuaja”…

“KRONIKAT E MJEGULLËS”, NË KËRKIM TË IDENTITETIT TË SHQIPTARËVE 

Në ditën e dytë të Panairit, shkrimtari Bashkim Hoxha në një bisedë me gazetaren Violeta Murati rrëfeu se si lindi romani i tij “Kronikat e mjegullës”, i sjellë për publikun në shkurt të këtij viti. “Ky roman lindi si nevojë e brendshme për të sjellë realitetet tona, si një kritikë për mënyrën se si ne e shkruajmë historinë dhe njëherazi si një kërkim drejt identitetit tonë, për të kuptuar se cilët jemi në realitet”.

Sipas gazetarit, historia dhe identiteti ynë kombëtar shpesh janë ngatërruar nga rrethanat historike e herë të tjera nga politika. Për të shpjeguar metaforën e këtij romani, ai heq një paralele mes këtij rrëfimi e një imazhi të retushuar, prej të cilit u nxit për të shkruar “Kronikat e mjegullës”.

“Teksa vëreja imazhin e një fotografie të retushuar të firmëtarëve të Pavarësisë, ku fillimisht ishin të gjithë e mandej kishte ngelur vetëm Ismail Qemali, dallova një detaj mjaft grotesk. Retushuesi kishte harruar të hiqte dy duar nga parmaku i ballkonit dhe unë me këtë roman, në mënyrë metaforike sjell po këtë ide: Se si ne e kemi retushuar historinë kohë pas kohe. Hoxha në romanin e tij shpalos edhe mënyrën se si shoqëria e politika jonë ndër vite riciklon të njëjtat kriza.

“Kjo sepse geni ynë ende nuk është transformuar, nuk është përshtatur me kohët moderne, në të cilat pretendojmë se jetojnë. Edhe ky roman, pavarësisht se në rrjedhë të historisë përfshin nga Mbreti Zog, Gjergj Fishta, Faik Konica, Enver Hoxha etj., ka në qendër histori, drama njerëzore”, thotë Hoxha.

LIBRAT QË BASHKIM HOXHA ZGJEDH NGA KY PANAIR 

I entuziazmuar nga librat e shumtë që ka firmosur, shkrimtari Bashkim Hoxha zbulon edhe çantën me veprat që ai vetë ka përzgjedhur nga ky Panair. Duket se përkthimi në shqip i romanit “Vendi nuk vdiset kurrë” i Ornela Vorpsit ka ngjallë kureshtjen e gazetarit. Po ashtu, ai ka përzgjedhur romanin e ri “me fund të lumtur” të Besnik Mustafajit, “Dëmtuar gjatë rrugës” dhe “DEAD END” të Virion Graçit. “Jam ende në pritje të ‘Shtërgjet’ e Olga Tokarczuk’, nobelistes për vitin 2018”, shton më tej. Shkrimtari nuk stepet të tregojë as për romanin e radhës që është duke shkruar dhe ndërsa e pyesim nëse do të ketë lidhje me teatrin, ai përgjigjet: “Me teatrin dhe televizionin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura