Një ditë me azilkërkuesit shqiptarë në Gjermani

Oct 12, 2015 | 17:36
SHPËRNDAJE

Shtator 2015/ Berlin

Ai nuk do të identifikohet. Thotë se nuk ka emër, nuk pranon të na tregojë as moshën, por nuk i ka më shumë se 25 vite. Thatim, me një xhup jakëngritur që nuk ia mban të ftohtin, ai është një nga shqiptarët e shumtë që takova në qendrën e regjistrimit të të huajve në Turmstrasse 21-10559, Berlin.

eni vasili

Djali pa emër, siç vendosi ta quajë grupi ynë i xhirimit, dëshiron të shfaqet më i fortë seç duket, më i rritur sa tregon, por në ndryshim nga të tjerët që do takojmë në këtë rrugëtim nëpër kampet e azilantëve, djali pa emër është i vetmi që shkërmoqet nën peshën e mallit, ndërsa tregon: Jam me origjinë nga Dibra, banoj në Durrës. Kam pesë muaj që kam ikur nga Shqipëria. Tre muaj kam ndenjur në Francë. Pas tre muajsh atje kisha hall se më digjej pasaporta dhe u ktheva për azil në Gjermani. Kam dy muaj këtu. Për 54 ditë kam marrë 300 euro. Kanë mbaruar ato dhe nuk kam marrë të tjera. Këto të kthejnë, po unë nuk kthehem në Shqipëri, do të shkoj në ndonjë vend tjetër. Kam që të hënën që mbaj radhën, sot e premte kam mbaruar”.

Djali pa emër dëshpërohet ndërsa flet për jetën në kamp. Pranë tij afrohen edhe shqiptarë të tjerë, me të cilët do të bisedojmë gjatë qëndrimit tonë në qendrën e refugjatëve. Vetëm disa hapa më larg shtrihet një radhë e frikshme njerëzish të lodhur e të dëshpëruar në pritje të së ardhmes.

“Kushtet në kampe janë si në kohën e komunizmit që të çonin në Spaç: 500 veta një kat, me një banje, hajde lahu kur të të bjerë radha. Ushqimi i paketuar nuk dihet nga vjen. Kam lënë në shtëpi Nënë, babë, motër. Më ka marrë malli, kam katër ditë që nuk kam folur (qan)…”, shprehet i riu.

Qendra e regjistrimit të refugjatëve është një ndërtesë tipike administrative, tashmë e detyruar të përballet me një fluks jo të zakonshëm. Përreth kopshtit që e rrethon janë ngritur çadra që të mund t’u japin mundësinë të gjithë atyre që flenë aty për të mbajtur radhën të strehohen. Çadrat janë të papajisura me shtretër. Në disa prej tyre gjetëm afganë dhe irakianë. Disa gra irakiane të së njëjtës familje na thanë se kishin disa ditë që flinin në radhë.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Eduart Selimi, i martuar me tre fëmijë, rreth të 50-ve. Ai vjen nga Tirana dhe thotë që këtë rrugë e ka ndërmarrë pasi askush në familjen e tij nuk po gjen punë. “Fillimisht shkova në Greqi, u interesova se si vihej këtej, u ktheva në Shqipëri, shita motorin, një frigorifer dhe erdha këtu. Ndenja 50 ditë në kamp te balona, tani presim këtu… na kanë shtyrë ditën… Është radhë e madhe, nga shtrëngimi jemi vrarë, unë i kam thënë robve të mi mos hajdeni këtu se është gjendje e keqe. Po flenë njerëzit me fëmijë nëpër rrugë. As edhe njëherë, as edhe njëherë shqiptari të mos vijë këtu, as edhe njëherë”.

Edhe Maringleni 24-vjeçar bën të njëjtën thirrje: “Mos hajdeni, mos u nisni, ndoshta të shkojnë diku tjetër, po këtu jo. Se ajo që jam duke kaluar unë dhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë këtu është torturë dhe shokëve të mi u kam thënë mos u nisni. Doja të merrja dhe vëllain tim. I thashë jo, nuk ke për të ardhur. Jam duke vuajtur unë, mos vuaj ti të paktën”.

Si Marigleni, Bledari edhe shqiptarë të tjerë duket se kanë braktisur tashmë idenë për të fituar azil, duke ruajtur shpresën të gjejnë një punë. “Ndoshta mund të gjej një punë, mund të gjej një pronar që mund të na ndihmojë. Nëse ke pronar, të ndihmon shumë. Ajo është shpresa jonë. Për azil, vështirë të të japin”. Është e pamundur të krijosh një ide se sa njerëz janë në radhë, ndoshta një mijë, ndoshta dy. Shumëfish janë familjarët që presin rrotull. Fëmijë të vegjël që duhet të ishin në shkollë, mama që duhet të ishin duke gatuar vaktet dhe baballarë që duhet të ishin në punë. Pak a shumë kështu duhet të ishte jeta e familjes së Dafinës nga Burreli, me banim në Durrës dhe vajzës së saj, Adelës, 8- muajshe.

Gazetarja Eni Vasili gjatë intervistës me azilanten shqiptare Dafina Çuni
Gazetarja Eni Vasili gjatë intervistës me azilanten shqiptare Dafina Çuni

Ndërsa bashkëshorti Ardian Cuni mban radhën, Dafina tregon historinë e saj. “Për një jetë më të mirë. Në Shqipëri nuk ka asnjë të ardhme. Kemi ardhur të na sigurojnë një jetesë më të mirë. Jemi pa punë. Dëgjuam që këtu në Gjermani të ndihmojnë, të japin shtëpi. Në fakt kemi ardhur për azil politik, pasi jemi në hasmëri. Por shumica e shqiptarëve kanë marrë përgjigje negative, të gjithë që kërkojnë azil ekonomik”. Ne ishim në disa kampe brenda qytetit të Berlinit. Kampet janë të shumëllojshme, që nga ideja klasike që kemi për një kamp, pra një hapësirë e rrethuar dhe një çadër e stërmadhe nën të cilën flenë e azilkërkuesit dhe refugjatët e deri te palestrat apo shkollat e vëna në këtë funksion.

Kampi ne Columbiasamm 192, 10865 Berlin, ka qenë një palestër. Azilantët flenë të gjithë bashkë në këtë ish-palestër, rreth 200 persona të etnive të ndryshme, sirianë, irakianë, afganë. Ne takuam aty dy familje shqiptare.

Eris Alimema nga Tepelena ka udhëtuar bashkë me bashkëshorten në itinerarin më të çuditshëm: Shqipëri-Maqedoni-Serbi-Hungari-Austri- Çeki-Gjermani. Ka shpresë të gjejë një punë dhe nuk do t’ia dijë për kushtet e vështira. “Vendosa të vija pasi ne Shqipëri nuk po gjeja dot zgjidhje. Jam laborant dentar e nuk gjeja punë. Kjo nuk është çështje azili, kjo është që të futemi të mësojmë pak gjuhën të gjejmë një punë, të lidhim një kontratë pune, jo që të fitojmë azil. Nuk jam penduar që erdha, me atë që kam lënë atje nuk pendohem asnjëherë. Është e kotë të mburremi me patriotizma kur nuk na mban shteti, nuk na siguron një të ardhme, është e kotë që të pretendojmë të kthehemi atje”.

Bashkëshortja e Erisit nuk pranon të flasë dhe po kështu të gjitha vajzat dhe gratë shqiptare të atij kampi nuk duan të fotografohen dhe as të filmohen me merakun e kahershëm alla shqiptar të gjykimit të të tjerëve.

Ardi Jonuzi është nga Korça, i martuar, me dy fëmijë, vajzën 10-vjeçare dhe djalin 14. Ai tregon se ishte i papunë e pa asnjë lloj përkrahjeje në Shqipëri, ndaj dhe mori rrugën e kurbetit për herë të dytë në jetën e tij. “Me sa kemi dëgjuar, në kampin tonë ka irakianë, sirianë dhe boshnjakë, gabelë e serbë ka, po varet çfarë kartash kanë, nuk e di. Rri në Shqipëri unë po të më sigurohet punë. Kam 15 vjet pa punë”.

Ardi Jonuzi e quan luftën me varfërinë një luftë më mizore se ajo nga vinë bashkëkohësit e tij në kamp. “Të mos kesh të hash bukë luftë është, më e madhe se lufta, se ajo është e përkohshme, kurse ekonomia është e përhershme”. Të gjithë azilkërkuesit shqiptarë që takuam e kishin humbur besimin se toka e tyre kishte vend edhe për ta. Ndihen të pashpresë e të përjashtuar prej një atdheu që nuk i lejon ta duan.

Ervis Mecalla, 34 vjeç, i martuar dhe me një djalë të vogël, mendon po kështu, ndërsa biseduam në kampin ku u takuam në Kruppstrasse 16,10557, Berlin. “Unë kam mbaruar Inxhinierinë e Agromjedisit dhe asnjëherë nuk më është dhënë mundësia të punoj në profesionin tim dhe kam bërë punë tjetër. Ne e dimë si është Shqipëria, nuk besoj se i jepet shansi çdo njeriu për të arritur atë që do, këtu është ndryshe. Sado që unë jam i ri në Gjermani, shikoj që mundësitë janë shumë të mëdha”.

ENI VASILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura