Një dhomë muze për dy poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Mar 30, 2023 | 9:30
SHPËRNDAJE

REXHEP POLISI

REXHEP POLISI

Bërzeshta e largët e dy poetëve të famshëm viktima të regjimit komunist kishte mysafirë këto ditë marsi. Pas vendosjes së buqetave me lule në memorialin e tyre në qytetin e Librazhdit, në Fanjë, në shtëpinë e Bedri Blloshmit, u përurua dhoma muze e dy poetëve martirë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka në ditëlindjen e tyre. Aktiviteti u organizua nga deputeti Bujar Leskaj dhe morën pjesë artisti i mirënjohur, Bujar Asqeriu, profesori Bardhosh Gaçe, skulptori i njohur, profesor Sadik Spahia, i cili i përjetësoi dy poetët në memorialin, si dhe shkrimtarë, poetë, artistë, gazetarë, miq dhe familjarë.

Që në çelje të ceremonisë Bedriu njoftoi se nuk do të merrte pjesë profesor Sadik Bejko, një nga miqtë e familjes, i cili atë ditë kishte humbur vëllain dhe shkrimtari Rudolf Marku për shkak të një angazhimi profesional. Sakaq, shpjegoi për të pranishmit përndjekjet e gjithë familjes Blloshmi, me vrasjet, burgosjet, internimet, me dëshmitë, fotot arkivore të Vilsonit dhe Gencit, dorëshkrimet, librat, korrespodencën e poetëve etj. Më tej, vëllai i poetit të pushkatua tregoi se si i gjeti poezitë e dy poetëve dhe letërkëmbimet e Vilsonit me piktoren Lume Blloshmi në arkivat e Sigurimit të Shtetit. “Në arkivat e Sigurimit të Shtetit, krahas poezive të poetëve, kam gjetur 32 letërkëmbime të Genc Lekës. Poezia ‘Saharaja’ nuk është në origjinal, por e shtypur me makinë shkrimi për arsye se, në Bërzeshtë në ato vite vinte një mësues, një Sami Hyka me pseudonimin ‘Lundronjësi’ dhe i thotë Vilsonit se do ta merrte ta shtypte poezinë, por në fakt e kishte dërguar në Degën e Brendshme në Librazhd. ‘Saharanë’ dhe të gjitha poezitë e tjera të Vilsoni dhe Gencit i gjeta në arkivat e Sigurimit të Shtetit”, tha Bedriu.

Po ashtu, ai tregoi vështirësitë e kapërcyera për botimin e librave të dy poetëve martirë. Ndërkohë shpjegoi dhe arsyen pse përurimin e dhomës muze e vendosën për ta bërë të dielën më 19 mars. “Genci ka lindur më 23 mars 1941, kurse Vilsoni më 18 mars 1948, por unë e bëra përkujtimin më datë 19 si ditë e ndërmjetme dhe si ditë e diel. Të dy poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan më 17 korrik 1977 dhe u hodhën nga terroristët komunistë në një gropë te përroi i Firatit”, tha Bedriu. Për të pranishmit vëllai i Vilsonin tregoi si mundi t’i gjejë pas 20 muaj kërkimesh eshtrat e poetëve martirë, duke u treguar atyre dhe plumbin që kishte gjetur në gropë midis eshtrave. Shkrimtarja Entela Kasi falënderoi Bedri Blloshmin për punën që ka bërë që dy poetët, Vilsonin dhe Gencin t’i kemi në letërsinë shqipe. Ajo tha se, shtëpia Muze e dy poetëve duhet të jetë patjetër kulla ku ka lindur dhe është rritur Vilsoni, ku ai ka shkruar poezitë e tij.

“Veprat e Vilsonit dhe të Gencit i takojnë historisë së Letërsisë shqipe, i takojnë historisë të këtij vendi, dhe shpresoj që t’i takojnë edhe asaj historisë së bukur të veprave të botës letrare në gjuhë të huaja, u shpreh Kasi duke adresuar një falënderim të veçantë për deputetin Bujar Leskajn, i cili kur ishte ministër kulture është angazhuar posaçërisht për njohjen dhe vlerësimin e dy poetëve martirë. Shkrimtari dhe mësuesi Ardi Stefa, shprehu konsideratat më të mira për punën e bërë për ngritjen e këtij muzeu, duke theksuar se tashmë kemi këtu një vend pelegrinazhi jo vetëm për nxënësit dhe mësuesit. Duke marrë fjalën deputeti Bujar Leskaj tha se, me gjithë pengesat e shumta, Bedriu ka arritur që t’i marrë poezitë e dy poetëve dhe sot vepra e tyre ndodhet jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufijve.

“Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën sot i nderon Shqipëria, i nderon Kosova, vepra e tyre është lexuar dhe lexohet. Janë shkruar shkrime nga studiues, nga profesorë, ku profesor Sadik Bejko është në vend të parë që nxori edhe veprën e tyre, ka shkruar korifeu i letrave tona, Ismail Kadare. Janë shkruar edhe drama, edhe tregime dhe do vazhdojnë të shkruajnë. Unë jam frymëzuar nga vlerat e qëndresës të Bedri Blloshmit, Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës dhe jo më kot në librin tim kam radhitur të parën poezinë e Vlsonit “Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,/ Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur;/ Nëse m’i vdekur jam se çdo i gjallë, /Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur”. Të gjithë u shprehën të një mendimi për punën e bërë nga Bedri Blloshmi për ngritjen e këtij muzeu krahas një mori botimesh për jetën dhe veprën e dy poetëve martirë. Menjëherë pas publikimit të librave të Vilsonit dhe Gencit me dokumentet e hetuesisë, ai botoi së fundi librin për veten, “Dosja Formulare 2A nr.1594 për të dënuarin Bedri Blloshmi”.

Është një vepër origjinale që hedh dritë e identifikon të gjithë ata bashkëpunëtorë që e kanë survejuar, ata operativë që e kanë ideuar, ata hetues që kanë dëshmuar, madje edhe në burg, në burgun e Spaçit, në burgun e Burrelit. Bedriu nuk nguron ti thotë me atë guximin e tij karakteristik. Artisti i njohur, Bujar Asqeriu shprehu emocione e mahnitje nga prezantimi i Bedriut me dokumente arkivore dhe i adresoi fjalët më të mira profesor Sadik Bejkos për punën studimore për dy poetët e veçmas për analizën brilante të poezisë “Poezia e vdekjes” e Vilson Blloshmit. Profesori Bardhosh Gaçe u shpreh se goditja ndaj Blloshmëve u bë nga regjimi diktatorial, sepse kjo ishte një familje nacionaliste. Ai tha se është e domosdoshme rikonstruksioni i shtëpisë muze. “Vilson Blloshmi e Genc Leka u pushkatuan nga regjimi, sepse ishin poetë të dashuruar me lirinë”, tha ai.

Në dhomën muze ndodhen të gjitha dosjet e Sigurimit të Shtetit të destinuara për babain e Bedriut, xhaxhain e tij, Vilsonin dhe Gencin. Po ashtu, të gjitha materialet e hetuesisë të montuara dhe trilluara pa asnjë provë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura