“Një derbi është pjesa më e thjeshtë e çdo trajneri”, Nevil Dede: Duam ta shijojmë këtë përballje

Jan 20, 2021 | 10:56
SHPËRNDAJE

Java e 15-të e Kategorisë Superiore, do të kulmojmë ditën e nesërme në orën 18:00, me derbin e kryeqytetit Partizani-Tirana, që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. Trajneri i kampionëve në fuqi të Tiranës, Nevil Dede, doli ditën e sotme në konferencën për shtyp përpara gazetarëve, ku analizoi këtë përballje duke u shprehur:

Nevil Dede

Si paraqitet gjendja e skuadrës dhe si është atmosfera para derbit?

Gjithmonë kur fiton klima është pozitive. Kjo ndeshje që e pretë gjithë komuniteti i futbollit në Shqipëri dhe media, ka interes të veçantë. Është reklama e futbollit shqiptar. Në këtë kuadër çdo gjë është optimiste dhe klima është e duhur. Gjendjen e skuadrës e patë edhe me Kastriotin. Kemi disa lojtarë që besoj t’i rikuperojmë shumë shpejt dhe grupi të jetë i plotë. Me prurjet e reja kjo skuadër besojmë do të marri formën e duhur, jo se nuk e ka pasur, por do bëhemi më solidë dhe t’iu imponohemi kundërshtarëve në çdo sektor të fushës.

Fitorja 5-1 në derbi…

Historia është e shkruar me njerëzit që kanë marrë pjesë, e kanë shkruar ata. Kanë kaluar shumë ndeshje pas asaj, nuk mund të bëj një krahasim. Janë luajtur edhe 3 ndeshje të tjera, nuk di çfarë të them, e presim me shumë optimizëm këtë ndeshjen dhe duam ta shijojmë këtë derbi.

Do të pajtoheni me një barazim në derbi?

Unë mendoj që duhet të flas për ndeshjen Partizani-Tirana, ndjesia ime është që unë dua ta shijoj këtë ndeshje. Vetë jeta është e tillë, unë mundohem që edhe fëmijët e mij të rriten me një frymë pozitive si në futboll edhe në jetë, duhet të jesh gjithmonë fitues. Nëse je fitues dhe i arrirë, do të thotë që e ke shijuar jetën tënde. Edhe unë kështu shkoj te ky derbi bashkë me çunat dhe klubin që na mbështet. Nuk ia vlen që unë të komentoj rezultatin. Duam ta shijojmë derbin dhe ta fitojmë atë. Ky është kampionat, ka antagonizëm brenda dhe çdo gjë mund të ndodhë.

Ka diçka që nuk shkon plotësisht te Tirana?

Ndoshta ata që e shohin nga shkallët e stadiumit, por dhe gazetarët mund të konstatojnë gjëra të ndryshme. Ne kemi punuar mirë dhe jemi lodhur shumë. Unë jam pjesë e këtyre djemve, jam një nga ata, nuk dua të arrij në konkluzione para kohe, jam pjesë e tyre, ne jemi bashkë.

Është e mundshme dyshja Seferi-Muçi në derbi?

Ne kemi edhe 1 seancë stërvitore dhe pas kësaj seance besoj mund të shpallim formacionin.

Prisni të tjera afrime?

E kam thënë me dhjetra herë që çdo skuadër do sa më shumë lojtarë. Klubi po punon shumë mirë, me gjithë problematikën e papritur. Jemi në rrugë të mbarë dhe kemi një qëllim.

Cila është pjesa më e vështirë e përgatitjes së një derbi?

Një derbi është pjesa më e thjeshtë e çdo trajneri. Sidomos derbi Partizani-Tirana. Motivimi është ekstra, çdo gjë përjetohet dhe ndihet. Lojtarët mezi presin të vijë dita dhe ora, kur arbitri të japë komandën për ta filluar ndeshjen”, u shpreh Dede.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura