Një deputet si Idriz Xhomara

Feb 23, 2018 | 11:30
SHPËRNDAJE

ndue dedajNDUE DEDAJ

Politika shqiptare e viteve të fundit është karakterizuar jo pak nga debatet për cilësinë e të zgjedhurve, pikë së pari, të parlamentarëve, madje duke i nxjerrë disa syresh jashtë Kuvendit, me anë të ligjit të dekriminalizimit. Por, ndërkohë, aty kanë shkelur gjithë këto vite të tranzicionit dhe përfaqësues të denjë të popullit, të dalluar në komunitetet nga vinin për peshën e fjalës dhe të mendimit, punën e vyer dhe qëndrimet parimore. Pas këtyre fjalëve, secili nga lexuesit mund të rendisë një varg emrash, apo dhe të veçojë ndonjërin, si Idriz Xhomara.

I lindur në fshatin Prell të Matit, 68 vite më parë, ai do të kishte dhuntitë dhe prerjen për të qenë njeri i librave dhe dijes. Por në rrugëtimin e tij do të kishte kufizime, si për të gjithë intelektualët që nuk ishin me biografinë e përshtatshme për të bërë karrierë në atë regjim. Kështu, dërgohet në Institutin e Lartë Bujqësor ku diplomohet për agronomi, asokohe ndër degët më pak të preferuara nga të rinjtë. Pastaj çohet më punë në zonën e largët të Martaneshit, në kooperativën bujqësore Xibërr, kooperativën tjetër Laç-Rrembull.

Duke parë aftësitë e tij teorike, caktohet mësues i lëndëve profesionale në shkollën e mesme bujqësore Derjan, ku punon për shtatë vite. Aty Idrizi nuk bën vetëm punën e mësuesit, por thellohet në lexime letrare, kulturore, enciklopedike, gjuhët e huaja, veçanërisht në anglisht. Pa harruar asnjëherë literaturën shkencore, që lidhej me profesionin e tij agrar. Njeh mirë kulturën e trevës së Matit dhe atë kombëtare, duke qenë në vitet që do të vinin ndër intelektualët më të spikatur të vendit. Ylli i tij do të ndriste pas ’90-s, kur do të niste punë në Ministrinë e Bujqësisë në drejtimin e një sektori të rëndësishëm, që kishte të bënte me modernizimin e veprave të ujitjes, në krye të zbatimit të disa projekteve në këtë linjë.

Në vitin 1996 zgjidhet deputet i Matit me siglën e Partisë Demokratike, por ishte një mandat që u ndërpre për shkak të ngjarjeve dramatike të 1997-s. Mati dhe Lura e zgjedhin përsëri deputet në vitin 2005 deri në vitin 2009. Gjatë kësaj kohe, Idrizi ishte më shumë në bazë se në sallën e Kuvendit, pranë njerëzve që e kishin zgjedhur. Këpucët e tij ishin përherë më baltë. Zona kishte probleme të mprehta sociale, me të cilat deputeti nuk mund të mos ballafaqohej dita-ditës. Stili i tij i punës ishte krejt ndryshe nga i shumë të tjerëve, aspak zyrtar e formalist.

Ndaj njerëzit i besonin dhe e donin. Ishte natyrë e veçantë, nuk e dëshironte rolin e protagonistit, e shmangte atë gjithnjë në sjelljen e tij, por nuk mund të heshtte kur duhej folur. Ishte integriteti moral dhe parimet demokratike nga të cilat udhëhiqej. I përkiste një partie, por nuk ishte partiak. Nuk thoshte kurrë “unë” dhe nuk dinte të rrihte gjoksin. Për nga urtësia dhe maturia ngjiste fort me Pjetër Arbnorin. Pas mbarimit të mandatit të dytë, Idrizi rikthehet në Ministrinë e Bujqësisë si këshilltar dhe specialist. Por ashtu siç e ka politika këndej nga ne, kur fiton forca tjetër politike, të largojnë jo vetëm nga funksionet drejtuese, por shpesh dhe nga puna si specialist, ndonëse në prag të pensionit e me librezë të pambyllur!?

Kështu i ngjau dhe Idrizit, pesë vite më parë, paçka se kur kishte qenë vetë në pushtet nuk e kishte bërë këtë me të tjerët. E me gjithë dallgët e jetës shpesh të trazuara, Idrizi mbeti deri në fund njeri me një humor të rrallë, ku ndonjë që nuk ia kuptonte “gjuhën” e humorit dhe ironisë mund dhe të keqkuptohej për pak çaste. Por ai ishte ai, njeri me një botë të vetën, ideale. I drejtë, argumentues, erudit dhe megjithatë tepër i thjeshtë e në dukje popullor. I kishte për zemër emisionet televizive për bujqësinë, vreshtarinë, gjithç- ka të fushës. Shpirti i tij rrihte dhe te një ulli i vjetër në periferinë e Tiranës, dhe te vreshta masive e Bukmirës në Mirditë.

Idrizi e kthente kryet gjithnjë nga Pjetër Budi dhe shkrimet e tij të vjetra, duke e parë Shqipërinë njëlloj si poeti-ipeshkëv i mesjetës, si një parajsë tokësore, nëse do të ishte dhe vullneti i politikës dhe sipërmarrjes së pastranzicionit për këtë. Ishte mik me shumë personalitete të bujqësisë, të instituteve, të prodhimit, fermerë, po dhe me shkrimtarë e artistë të njohur si Dritëro Agolli, Gjok Beci, Basir Bushkashi etj.. E kishte përzemër folkun matjan, dibran, mirditor dhe mbarëshqiptar. E tërhiqte çdo monument kulture i shpallur apo i pashpallur, që nga Lisi i largët, ku kishte qenë një dioqezë e vjetër dhe qe zbuluar Formula e Pagëzimit.

Ishte intelektual që dinte ta gjente veten si në sofrat malësore e mallakastriote, ashtu dhe në forumet e metropolit. Një periudhë kohe Idrizi punoi me Bankën Botërore (1997-2000) me shqiptarë e të huaj, për të qëndruar pastaj për pesë vite familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Idrizi shkruan një libër për gështenjën duke e quajtur “dru i bukës dhe i historisë”, në kohën kur ajo ishte harruar, me shpresën e ringjalljes së traditës së drufrutorëve dhe krijimit të blloqeve të reja të pemëtarisë, vreshtarisë etj..

Është koha kur nga qeveria dhe Kryeministri i kohës Berisha, bëhej thirrje për të mbjellë arra, lajthi, gështenja, ullinj, kivi etj.. Idriz Xhomara shkroi dhe një manual për fermerin shqiptar, në shqip dhe anglisht, si dhe artikuj të ndryshëm për nxitjen e prodhimit vendës, por dhe për aspekte të traditës bujqësore ndër shqiptarë e në botë. Kur promovoi librin e tij “Fermeri shqiptar”, para pak vitesh, mblodhi në Tiranë specialistë të shquar të fushës, ish-ministra të Bujqësisë, gazetarë, shkrimtarë, miq matjanë e të tjerë, doemos dhe familjarët e tij dhe shtroi një drekë aristokratike, edhe pse nuk ishte i pasur. I pasur ishte vetëm shpirti i tij fisnik.

Një vend të veçantë në jetën e zotit Xhomara kishte Kosova, ku në një nga fotografitë e shohim me një plis të bardhë mbi krye, bërë në Prishtinë me 17 shkurt 2008. Për kontributin e tij si autor shkrimesh e monografish nga fusha e bujqësisë kanë shkruar profesorë të mirënjohur si Ahmet Osja, kurse gazetari i TVSH-së Marash Mirashi e kishte herë pas here të ftuar special në emisionin e tij “Hapësirë e Blertë” etj.. Profili i Idrizit është sintetizuar dhe në një shënim të shkurtër të kreut të PD-së, Lulzim Basha, me rastin e ndarjes së tij nga jeta: “Idrizi Xhomara ruajti gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij vlerat dhe parimet më të larta të një burri të ndershëm e me integritet.

Është kjo arsyeja pse matjanët e zgjodhën dy herë si përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, me votë të drejtpërdrejtë, sepse Idrizi i bënte nder jo vetëm Partisë Demokratike dhe demokratëve, por gjithë komunitetit. Ekspert i shquar në shkencat bujqësore dhe autor i disa publikimeve me peshë në ketë fushë, Idriz Xhomara ngërthente brenda personalitetit të tij, erudicionin akademik dhe urtësinë proverbiale matjane, pasionin dhe gatishmërinë për t’iu gjendur njerëzve në nevojë, pa pushim, pa ndalim. Mati dhe matjanët ishin dashuria e tij e madhe”. Vlerësimet për të janë të shumta e të gjithanshme.

“Njeriu i vlerave të patjetërsueshme”, do ta cilësonte Idrizin deputetja e Dibrës, Dhurata Çupi. Këto janë vetëm pak fjalë lamtumire për një deputet që ishte formuar arave dhe auditoreve, duke mos kursyer asgjë për ta ndryshuar vendin e tij për nga e mbara. Veçse kjo “racë” deputetësh, mjerisht, po zëvendësohet nga pragmatistët parlamentarë, individë që dinë ta ujdisin karrierën e tyre përmes ndenjes afër me lidershipet e partive që hartojnë listat e deputetëve. Një mendje të thotë se vetëm deputetët, votuar drejtpërdrejt nga populli mund të thirren të tillë e se prapë udha për në Kuvendin e Shqipërisë duhet të kalojë andej…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura