“Një burrë dhe një grua”- Gratë e PS, letër Kryesisë

Sep 22, 2019 | 8:34
SHPËRNDAJE

Gratë deputete, anëtare të kryesisë së PS, kërkojnë më shumë përfaqësim të tyre në forumet e partisë.

PS-grate

Me anë të një kërkese drejtuar kryesisë së PS, ato sqarojnë se arsyeja e kësaj kërkese është që në këtë periudhë zgjedhjesh dhe organizimi të partisë, secila prej 5000 organizatave socialiste në territorin e Shqipërisë të bashkëdrejtohet nga një burrë dhe një grua, pra të ketë një barazi gjinore në drejtimin e partisë.

“Gratë përbëjnë më tepër se 30% të grupit tonë parlamentar dhe 50% të këshilltarëve bashkiakë. Në Kryesi dhe Asamblenë Kombëtare, gratë janë më tepër se 30% e të zgjedhurve. Këto fakte dëshmojnë se PS është një realitet i pakrahasueshëm dhe i pakonkurrueshëm në vend. Por, duke besuar se pas gjithë këtyre shifrave qëndron një vlerë e madhe e shtuar në rrugën e një transformimi historik si ky, ne po ashtu besojmë se nuk mjafton”, thuhet në letër. Edhe pse pjesëmarrëse të rregullta në zgjedhje, gratë socialiste e shohin veten të papërfaqësuara sa duhet, bazuar në kontributin e tyre.

Pjesëmarrja e grave në zgjedhje, si dhe vota që Partia Socialiste merr nga gratë është shumë më domethënëse. Në zgjedhjet e 2017-ës, si dhe në zgjedhjet e 2019-ës, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja e grave në zgjedhje ishte respektivisht 44% dhe 44.64%.

Sondazhet dhe statistikat e terrenit gjatë ditëve të votimeve tregojnë që Partia Socialiste është partia më e mbështetur me votë nga gratë dhe me diferencë nga të tjerët. Por as kjo pjesëmarrje dhe as kjo mbështetje me potencial ende të madh rritjeje nuk reflektohet në organizatën socialiste ku vetëm 26.2% janë shoqe. Kjo dëshmon se ndër të tjera, struktura e organizatës bazë ashtu siç është, nuk e ndihmon sa duhet synimin tonë si forcë politike për t’i afruar masivisht gratë e vajzat në bazën e partisë“, thuhet në letër.

“Pa pretenduar se kemi zbuluar ndonjë formulë të re apo gjetur zgjidhjen automatike për ekuilibrin e një dizekuilibri historik gjinor në organizatën bazë të familjes sonë politike, – thuhet në mbyllje të letrës së drejtueseve socialiste, – ne besojmë se duke iu referuar këtij modeli të adoptuar nga disa parti progresiste nëpër botë, do të promovojmë një ndryshim thelbësor me avantazhe të mëdha për të ardhmen e PS-së e të vetë vendit tonë. Në mbyllje, kërkojmë diskutimin e menjëhershëm në kryesi për të miratuar këtë ndryshim radikal organizativ me dy të zgjedhur, një burrë, një grua, në drejtimin e organizatës bazë të Partisë Socialiste”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura