Një batutë e lënë përgjysmë

Nov 19, 2017 | 13:40
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

EdmondTupja

Këtë javë ndoqa me vë mendje punimet e Kuvendit, të mbledhur në seancë plenare për të miratuar projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2018. Vëmendja ime, pra edhe interesimi im, erdhën e u shtuan kur Kryeministri Rama dhe kryetari i opozitës Basha zëvendësuan disa herë njëri-tjetrin në foltore për të këmbyer një sërë replikash, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës. Këta dy oratorë, gojëtarë tashmë të sprovuar, qenë përnjëmend në lartësinë e njëri-tjetrit në fjalë e fjali, në intonacionin e zërit, në gjestet e mimikën e tyre.

Mirëpo, më bëri përshtypje fakti se kësaj here, ndërsa zoti Basha u mjaftua me fakte dhe argumente të parashtruara shkurt e qartë, antagonisti i tij, pra, zoti Kryeministër, nuk i derdhi pa kursim batutat, të cilat, mjerisht jo rrallëherë, i përdor në vend të argumenteve, si edhe për të fshehur ndonjë mangësi ose dobësi të arsyetimit që shtjellon.

Gjithsesi, në një moment të caktuar, ai shqiptoi këtë fjali bartëse të një metafore që m’u duk vërtet si një batutë e lënë përgjysmë, d.m.th. që ka nevojë të interpretohet: “E djathta do djathin”, duke luajtur kështu me aliteracionin që krijon tingulli “d”. Lind pyetja: Për cilin djathë bëhet fjalë?

Për djathin si simbol të pushtetit? Apo për djathin si simbol të përfitimeve që detyrimisht sjell pushteti në Shqipërinë tonë marrëzisht demokratike? Apo për të dy këto realitete njëkohësisht?

Me të drejtë, lexueset dhe lexuesit e mi, me ose edhe pa prirje letrare, mund të pyesin: “Po pse kjo metaforë paska nevojë të interpretohet?”, prandaj, i pëlqeftë apo mos u pëlqeftë jo vetëm atyre, por edhe vetë zotit Kryeministër, përgjigjja ime është kjo:

Ajo ka nevojë të interpretohet sepse, çdonjërit prej nesh që i ka lexuar fabulat e La Fontenit, por sidomos, veçanërisht e kryesisht zotit Kryeministër, që e flet, e lexon dhe e shkruan rrjedhshëm frëngjishten, ajo i sjell ose duhet t’i sjellë ndërmend fabulën e miut që jetonte brenda një rrote djathi kaçkavall.

Një ditë prej ditësh, shkruan La Fonteni, disa minj të uritur i trokitën atij në derë dhe i kërkuan pakëz djathë, por miu ynë ua refuzoi prerazi duke u thënë që të shkonin e të trokisnin në dyer të tjera. Simbolika, në këtë rast, është e qartë: rrota e djathit kaçkavall figuron jo aq pushtetin, sesa të mirat e tij për individin që e ka në dorë atë, kurse miu figuron pikërisht pushtetarin që nuk e lëshon lehtë pushtetin.

Në gojën e zotit Kryeministër është e qartë se as pushtetin dhe as rrotën e djathit ai nuk ka fare ndërmend t’ua lërë jo vetëm pas dy, por as pas dymbëdhjetë mandatesh, të djathtëve, pra, as zotit Basha, sepse, sipas atij, Kryeministrit, ky i fundit, pra zoti Basha, ende nuk është “rritur”. Mirëpo, harron zoti Kryeministër se ai vetë po plaket në pushtet (disa herë rresht kryetar bashkie i Tiranës e tani për herë të dytë radhazi Kryeministër i Shqipërisë sonë marrëzisht demokratike) dhe se një qëndrim tepër i zgjatur, i zgjeruar e i trashur në pushtet bëhet kërcënues për pushtetmbajtësin me paranojën, parkinsonin, demencën senile e të tjera patologji që bart me vete çdo lloj pushteti, siç e tregon, dëshmon e vërteton qartë përvoja e njerëzimit në përgjithësi, por edhe e vendit tonë në veçanti.

Batuta e zotit Kryeministër ka gjithashtu nevojë të interpretohet sepse, ndërsa e djathta do djathin, e majta e sotme shqiptare, përveç djathit, të cilin e ka, do edhe mjaltin me të cilin të mbushë tepsinë pa i lëshuar duart nga timoni i pushtetit! Por këtë mjaltë ajo nuk e do dosido, ajo e do do-re-mi-fasol-la-si-do, pra me të gjithë tingujt e pentagramit të pushtetit dhe vetëm me një lloj arome: nuk e do as me aromë akacieje, as me aromë lulesh bliri, as me aromë gështenje, por ekskluzivisht me aromë marijuane!

Mirëpo, dje ish-kolegu e miku im Françesk Armadhi më mësoi diçka fort tronditëse: Meqë marijuana është drogë, individi që e përdor rregullisht atë ose ndonjë droge tjetër shumë më të rëndë me sasira përherë e më të mëdha, mund të dalldisë nga mendja e të rrjedhë nga trutë dhe, si rrjedhim e për pasojë të pashmangshme, të preket nga sindroma e Kaligulës, perandorit romak që kalin e vet e emëroi senator, prandaj ekziston rreziku që në përbërje të qeverisë së tyre shqiptarët të shohin së afërmi ose së largmi ndonjë gomar!

Françesk Armadhi e kishte seriozisht: Do të ishte vërtet një katastrofë e kobshme kombëtare sikur të binim kështu nga shiu në breshër ose, më saktë, nga hingëllimat e kalit në palljet e gomarit. Do-re-mi-fa-sol-la-si-do!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura