Një Bashkim Europian i pafuqishëm

Sep 4, 2015 | 14:35
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Edhe pse kanë kaluar ditë, njerëzit nuk mund të harrojnë ato skena të dhunshme ndaj refugjatëve në Gjevgjeli të Maqedonisë, fare pranë kufirit me Greqinë, këtij vendi anëtar të Bashkimit Europian. Fëmijë, të rinj, gra, pleq, njerëz të dëshpëruar, të ardhur nga vende të luftës dhe jo luftës, duke vrapuar për të gjetur një strehë, jetë më të sigurt, pa marrë parasysh rreziqet me të cilat mund të përballen, teksa ndiqen këmba-këmbës me gazin lotsjellës që i mbyt. Janë skena reale të këtij mesgushti të vitit 2015, në mes të Europës. Një racizëm açik, me të drejtë, tepër i dënueshëm. Shumë prej tyre kanë zbritur në Preshevë, ku, pavarësisht fluksit të papërballueshëm, me mbi 3000 refugjatë çdo ditë, kanë gjetur tjetër klimë.

Pra, këta njerëz vinë nga Lindja e Afërt dhe e Mesme apo nga Afrika. Refugjatë e emigrantë që synojnë disa shtete. Bashkimi Europian lakmohet jo më kot e me një besim të patundur në vendet e tij. Pavarësisht nga problemet me të cilat këto ndeshen, Bashkimi Europian mbetet megjithatë më i stabilizuari, me më shumë siguri. Përballë kësaj, për fat të keq, shumica e vendeve të tij, pa folur më për solidaritet, i është kthyer forcimit të kufijve, si pasojë e një droje jo të vogël, e cila mund të jetë e tillë edhe në të ardhmen. Në psikologjinë e këtyre vendeve duket që sundon “larg vetes time, të tjerët të merren me ta”.

Hungaria, qysh më herët ngriti dhe vazhdon të përforcojë gardhin me tela me gjemba, kilometra të tëra në kufirin me Serbinë, edhe pse ky herë-herë nuk ka qenë efikas. Dje, në stacionin e trenit, në Bicke të këtij vendi, refugjatët, në shenjë proteste, hidheshin në shina, përballë represionit policor, me lutjet ngashëruese drejtuar gazetarëve: Mos na braktisni!

Çuditërisht, këto vende, qoftë kjo edhe Greqia- stacioni i parë i këtyre refugjatëve, pavarësisht nga kriza në vend, as e kthejnë vështrimin nga detyrimet, obligimet e tyre për ta. Kush do t’i mbrojë këta njerëz nga luftërat, nga ndjekjet, si në Siri e gjetkë? Protestat në disa vende të BE-së kundër refugjatëve dhe emigrantëve e mbajnë më shumë të ndezur zjarrin e ksenofobisë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nënvizoi me të drejtë këto ditë në Konferencën e Vjenës nevojën “për t’u dhënë një stimul ekonomik këtyre vendeve… sepse azil do të marrin qytetarët që vinë nga vendet e luftës”. Sipas Merkelit, sot ka më shumë se kurrë refugjatë që prej Luftës së Dytë Botërore. Edhe Gerard Shreder, ish-kancelari i Gjermanisë gjatë viteve 1998- 2005, e shikon këtë qëndrim të Europës, si të tillë, që “kërkon të krijojë një perde të hekurt” me këta njerëz.

Ai është për një politikë moderne të vendit të tij ndaj tyre. Dhe më tej, sipas britanikes “The Telegraph”, Shreder është për “legalizim të emigracionit, si e vetmja mënyrë për ta mbajtur atë nën kontroll”, në një kohë që Gjermania, si vendi më i lakmuar nga refugjatët dhe emigrantët e mësipërm, por dhe nga ata të Ballkanit Perëndimor etj., pritet të përballet këtë vit me tetëqind mijë kërkesa. Madje, këtu, në këtë sensibilitet, në të kundërtën e protestave për mospranim të refugjatëve, Kisha Katolike Gjermane, ato Ortodokse dhe Ungjillore, nëpërmjet një deklarate të përbashkët, vërejnë se në vendin e tyre “sot ka akoma forma të hapura dhe të fshehura racizmi”.

Ato sugjerojnë gjithashtu “gjetjen e udhëve të tjera për të hyrë në Europë, në mënyrë që Mesdheu të mos kthehet në vend ku Perëndimi i krishterë dorëzohet para fakteve”.
Nga ana tjetër, sikurse është e njohur, ka një Marrëveshje të Dublinit, sipas së cilës, refugjatë dhe emigrantë detyrohen në vendin e parë ku ndalen, të kërkojnë azil. Në fund të fundit, janë vendet anëtare të BE-së që i kanë miratuar këto rregulla për pranimin e tyre.

Atëherë, përse nuk respektohen? Sepse, sikundër kemi parë edhe për probleme të tjera të veçanta, te Bashkimi Europian nuk e ke të vështirë të dallosh një shkrehje të fuqive të tij, pra një organizëm, si në rastin konkret, pothuajse, të pafuqishëm. Tashmë, vendet në krizë janë shtuar. Europa, për të mos u hyrë telasheve, me sa duket, nuk është ndalur seriozisht, me një vizion të qartë edhe për këtë fluks refugjatësh dhe emigrantësh, me mendimin “shtyhu si të shtyhesh”, pa çka se plaga mahiset më keq, ashtu sikurse po ndodh.

Një vit më parë, ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së paralajmëruan të shqetësuar për një situatë si kjo e sotmja. Por jo të gjithë e vlerësuan atë. Dhe ja, sot pafuqia e Bashkimit Europian është e pranishme. Aktualisht, Marrëveshja e Dublinit, sikurse edhe është vërejtur, duket e kapërcyer apo, siç shprehet Kancelarja Merkel, kuadri i saj ligjor nuk funksionon më për një shpërndarje të rregullt të refugjatëve, Atëherë, pas kësaj ç’duhet bërë? Pikërisht, këtu puna ngec, teksa shumica e këtyre vendeve, të paraprira nga Britania e Madhe, Spanja etj., nuk i marrin aspak në konsideratë kuotat e pranimit të refugjatëve dhe emigrantëve.

Ministrat e Jashtëm, Steinmeier, Gentiloni dhe Fabius, përkatësisht kryediplomatët e Gjermanisë, Italisë dhe Francës, nëpërmjet një letre të përbashkët kërkojnë shpërndarje të drejtë të refugjatëve në gjithë vendet e Bashkimit Europian. Përsëri, një shtangie, ngathtësi e pajustifikueshme nga BE-ja. Asnjë debat me krerët e vendeve anëtare të saj, sikur kjo situatë nuk po ndodh aty.

A do të ketë masa konkrete preventive e mbi të gjitha një strategji të qartë e pa ekuivoke për këtë situatë tepër të rëndë dhe që mund të rëndohet edhe më tej? Vetëm një strategji e tillë, ku projektet e ndryshme dhe zbatimi i tyre sjellin shpresë te njerëzit, madje, kur është fjala edhe për rajonin tonë, do të shkundë plogështinë, pafuqinë e vërejtur te Bashkimi Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura