Një amerikan dhe Reforma në Drejtësi

Jul 21, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

KUJTIM ÇASHKUkujtim-cashku

Duke bashkëbiseduar me amerikanin Xhorxh Fred Williams, ndjenja se si më zgjohej mendimi dhe mënyra e një ballafaqimi të dashurisë me Shqipërinë dhe më pas një lloj reflektimi se si ne shqiptarët së bashku manifestojmë dashurinë për Shqipërinë tonë. Në fakt, Xhorxh F. Williams ka lindur në 1852 dhe ka vdekur në 1932.

Për shumëkënd që lexon këtë radhë, mund t’i duket absurde një bisedë e imja me një amerikan të vdekur të shekullit 19-të. Me të drejtë mund të thotë se ç’lidhje ka amerikani i atij shekulli, i cili punoi dhe jetoi në vitet 1913-1914 në rajonin Ballkanik, përfshi këtu dhe Shqipërinë, me debatin e sotëm të Reformës në Drejtësi në këtë korrik të nxehtë, ku nxehtësisht po diskutohet Shqipëria, pra jo thjesht dhe vetëm reforma. Çdo ditë po shfaqet në ekranet tona televizive një amerikan tjetër, siç është ambasadori Donald Lu, që u lutet politikanëve tanë që të reflektojnë për mënyrën se si dhe se sa ta duam Shqipërinë që shqiptarët duan.

Madje, duke bashkëbiseduar me Williams, më erdhi ndërmend dhe viti 1991 kur ambasadori Rajerson u tha shqiptarëve se interesat amerikane dhe ato shqiptare tashmë janë të njëjta. Po kështu, zonja Clinton tha në Parlament se ne ishim këtu 100 vjet më parë, kemi 100 vjet që jemi dhe do të jemi dhe qindra vjet të tjera në të ardhmen.

Xhorxh Williams është një ish-zyrtar i lartë amerikan, që na ka lënë neve shqiptarëve një libërth të vogël, që më shumë i ngjan një testamenti apo një traktati dashurie mes amerikanëve dhe shqiptarëve. Në librin e tij “The Shkypetars”, ai shkruan për vendin tonë se “… nuk është natyra, por veprimet djallëzore të cilat e kanë rrokullisur këtë vend nga lartësitë e lavdisë së lashtësisë së tij në një shkretëtirë të vajtueshme…

Një fakt historik për ne të gjithë është se Shqipëria ka pasur dy lloj kafshimesh barbare në shekuj. Një pjesë e këtyre gjymtimeve na është bërë nga të huajt dhe një pjesë tjetër po kaq barbarisht na është bërë nga ne vetë shqiptarët. Por, për fatin e mirë të gjithësisë shqiptare, ashtu si dhe për fatin e hebrenjve, pjesa më e madhe e të cilëve jetuan dhe jetojnë jashtë trojeve tona, si popuj të lashtë neve kurrë nuk u shuam, por qëndruan dhe mbijetuan në shekuj. Mbijetesa e shqiptarëve dhe hebrenjve erdhi si pasojë e kushtetutave tona të forta shpirtërore, e cila më shumë se sa e shkruar ka qenë dhe mbetet një kushtetutë e shenjtë dhe e paasgjësueshme nga askush.

Kjo kushtetutë shpirtërore te ne shprehet përmes gjuhës së lashtë shqipe, e cila gjendet në rrënjët e trungut indo-europian. Nëse i referohemi gjuhës sonë, vëmë re se ne shqiptarët kemi një togfjalësh vërtet të shenjtë, mbase unik në botë, i cili identifikon dashurinë tonë për vendin dhe popullin. Ne kemi fjalët Mëmëdhe dhe Atdhe si fjalë të njëjta. Pra, po të vënë re me kujdes, ne shqiptarët njësojmë dheun, nënën dhe atin. Formula pagëzuese biblike e krishtërimit “Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë” duket sikur te ne shqiptarët më shumë shpirtëzohet me formulën në emër të Atdhe-Mëmëdheut, Gjuhës e Tokës së shenjtë.

Kjo formulë e gjetur brenda thelbit të gjuhës shqipe është përballur gjithëherësh me gjymtimet e trojeve shqiptare nga traktate të fshehta të fuqive të mëdha dhe copëzimeve ballkanike. Është bërë çmos që barbaria të zhdukte kuptimin historik të kuptimit të formulës së shenjtë të këtij trinomi. Është bërë çmos të shuheshin të gjitha format e kuptimit të saj, të shuheshin të gjitha gjurmët arkeologjike e të mbuloheshin në haresë kuptimet etimologjike, epistiomologjike e antropologjike të shqiptarëve. Të gjitha këto gjymtime e fshehje shekullore në kohën e tij, gjë që tingëllojnë po kaq të vlefshme dhe sot, amerikani Xhorxh Williams i ka quajtur “Skandale të Qytetërimit Europian”. Në fakt, gjymtimet barbare të Shqipërisë dhe shqiptarëve, hera-herës i kanë ardhur dhe nga vetë ata shqiptarë, të cilët merrnin në dorë fatet e vendit.

Kjo specie, jo rrallëherë ishte gati ta grabiste e ta plaçkiste, ta digjte e ta shkretonte, ta shiste e ta masakronin Shqipërinë sa herë ajo u duhej për të mbrojtur interesat e tyre vetjake… Hartat e vjetra ballkanike në këso kohësh qofshin ato otomane, sllave apo oksidentale gjallëroheshin dhe viheshin në lëvizje, sa herë që grabitqarët vendës i suleshin Shqipërisë për ta kafshuar nga të mundnin. Zor të gjesh ndonjë vend tjetër në Europë që ka pasur një shkatërrim kaq sistematik të pasurisë së saj kombëtare saç është bërë në vendin tonë. Fakt është që në perandorinë otomane dhe atë bolshevike, gjithnjë bëhej fjalë veç për plaçkitje dhe kurrë për drejtësi.

Bëhej fjalë për sundim dhe pushtet, për armiqësi dhe dasi të brendshme për koka të prera e mbajtje e një populli nën një zgjedhë të pandërprerë. Sot trungu natyral oksidental i shqiptarëve po kërkon drejtësi. Ndërkohë, zulma e inercisë otomane dhe bolshevike po nxit sherrin e grindjen e përjetshme mes vetes për të harruar sërish çdo lloj lavdie të lashtësi oksidentale të shqiptarëve.

Mua përsëri në këtë bashkëbisedim më vjen zëri i Xhorxh Williams-it folur 103 vjet më parë si një amerikan për Shqipërinë: “Kam të drejtë dhe detyrën të ngre zërin për të drejtat e këtij populli, të cilat kanë bërë vend në ndërgjegjen time, duke thënë të vetmen fjalë shpresë, nga një pozitë politike ( çka për mua, duke dëgjuar Donal Lu, në vend të fjalës shpresë dëgjoj fjalën drejtësi), e cila, me sa duket, atyre u ka munguar prej shekujsh”, më poshtë ai shkruan: “Shqiptarët nuk kërkojnë mëshirë, por drejtësi”, sepse është vetëm drejtësi ajo e cila garanton të ardhme dhe liri në një vend, ndryshe ai vend do të mbetet përjetë i shtypur nga vetëgjyqësia.

Ka momente në historinë e një vendi kur jo dekada apo një vit, jo një muaj apo një ditë, por edhe një sekondë e vonuar apo e humbur mundet t’i kushtojë shtrenjtë një populli për ta bërë atë fatkeq apo të lumtur dhe ky moment do të jetë sot në Parlamentin Shqiptar. Sot Parlamenti do të firmosë ose jo Reformën në Drejtësi dhe pesha e përgjegjësisë historike do të vendoset mbi supet e çdo deputeti.

Edhe pse jam i bindur se mbi to është përgjegjësia, por jo fati i Shqipërisë, sepse fati i Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk është lidhur kurrë dhe në asnjë moment, as me një emër të vetëm, as me një qeveri të vetme dhe as me një Parlament të vetëm, por me vullnetin mbijetesën dhe qëndresën shekullore të një populli.

Duke i mbyllur këto rreshta me thirrjen e një votimi unanim të kësaj Reforme në Drejtësi, po citoj sërish fjalët e fundit të Xhorxh Fred Williamsit, i cili e mbyll librin e tij, duke thënë se “… T’i japësh lirinë një populli, do të thotë t’i japësh të drejtat qytetare që veprën e sotme ta shtrish në mirësi të pafundme dhe ta bësh atë të përjetshëm”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura