I kërkuari nga Policia vritet në Durrës, dëshmitarët: Një nga autorët e goditi me karrige në kokë, pastaj zbrazi armën. 16 të shoqëruar (Foto e viktimës)

Jun 9, 2015 | 16:30
SHPËRNDAJE

I kërkuari për grabitje zbulohet më parë nga vrasësit sesa Policia. Robert Rama, 31-vjeçari i lindur në Kurbin dhe banues në Tiranë, u vra për motive ende të paqarta mbrëmjen e djeshme, në zonën e ish- Kënetës në Durrës.

Viktima Robert Rama

Rama, i cili së fundi qarkullonte me emrin Ledjon Hyska, u ekzekutua në pjesën e jashtme të një lokali, ndërsa dy të rinjtë që rrinin me të u plagosën nga persona ende të paidentifikuar. 

Foto nga vendi i ngjarjes

Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, në ambientet e jashtme të një lokali në zonën e ish-Kënetës, njohur si “librazhdioti”. Plumbat e drejtuar te 31-vjeçari nga Laçi prekën edhe dy të rinj, banorë të lagjes, të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
 
Shtetasit e plagosur janë A.Velaj dhe A.Ismaili, të cilët duket se u ndodhën në vendin dhe momentin e gabuar. Ata ndodheshin pranë 31-vjeçarit Hyska në momentin kur dy personat që lëviznin me motor dhe skafandra në kokë qëlluan mbi 31-vjeçarin Rama.

Ndërkohë, policia ka shoqëruar 16 persona ditën e sotme për vrasjen. 

 

NGJARJA
Dy persona kanë zbritur nga motori me të cilin lëviznin dhe, pasi nxorën armën nga çanta, qëlluan për vdekje në zonën e ish-Kënetës 31- vjeçarin Robert Rama (Ledjon Hyska) nga Kurbini, ndërsa plagosin aksidentalisht dy djem të rinj, banorë të zonës.
Viktima dhe dy të lënduarit ishin duke qëndruar në ambientet e jashtme të një lokali në zonën e ish-Kënetës, kur papritur autorët pa folur asnjë fjalë qëllojnë në drejtim të tyre. Me dhjetëra banorë të zonës u bënë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje të rëndë, për nga mënyra e realizimit, e denjë për një skenar filmi aksion.

Banorët janë përpjekur t’u shmangen plumbave dhe janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, deri në momentin që dy autorët e paidentifikuar me motor, u larguan në drejtim të paditur. Qytetarët që u ndodhën në vendin e ngjarjes, u përpoqën t’u japin ndihmën e parë të lënduarve, duke transportuar drejt Spitalit të Durrësit dy të plagosurit, pasi 31-vjeçari nga Laçi nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të mara.

Viktima mësohet të jetë qëlluar në kokë. Në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policie, si dhe ekspertë të krimeve të rënda, së bashku me drejtuesit më të lartë të Policisë së Durrësit dhe asaj të shtetit.

DËSHMITARËT
Kanë qenë të shumtë dëshmitarët në vendin ku ndodhi krimi, ndonëse deri tani asnjë prej tyre nuk ka arritur të japë të dhëna të qarta për identifikimin e autorëve të krimit. Sipas tyre, ngjarja ka rrjedhur në këtë mënyrë: “31- vjeçari po qëndronte me disa persona të tjerë në lokalin e njohur si ‘librazhdioti’.

Dy personat me motor ndaluan para lokalit dhe zbritën që të dy. Njëri prej tyre debatoi me djalin që mbeti i vrarë dhe e qëlloi me karrige në kokë, ndërsa më pas e qëlloi nga një distancë e afërt në kokë, me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Gjatë kohës që po largoheshin, autorët qëlluan me breshëri drejt lokalit, duke plagosur edhe dy banorët e zonës: 32-vjeçarin A.Velaj dhe 50-vjeçarin A.Ismaili”, tregojnë dëshmitarët.

Grupi hetimor sqaron se viktima emrin e vërtetë e ka Robert Rama dhe është person me precedent të mëparshëm penalë, i kërkuar për vjedhje me dhunë nga Gjykata e Tepelenës. Emrin Ledjon Hyska 31-vjeçari e mbante për t’iu shmangur organeve të Drejtësisë.

Nuk dihet shkaku përse 31-vjeçari ndodhej në Durrës, ndërsa autorët dyshohet ta kanë ndjekur pas. Sipas banorëve të zonës, viktima ishte parë disa ditë në zonë dhe dyshohet se vinte për një femër.
LEONIDHA MUSAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura