Nisje katastrofë e Interit, më keq vetëm 35 vite më parë

Aug 27, 2018 | 13:06
SHPËRNDAJE

Spalletti, si Frank de Boer. Një nisje kaq e dobët e sezonit nga ana e Interit, sigurisht nuk ka përmbushur pritshmëritë që kishin përpara fillimit. Rrallëherë në histori ka ndodhur që zikaltrit ta nisin një sezon me vetëm një pikë në dy ndeshje. I vetmi që ka startuar po kështu kaq ka qenë Frank de Boer, me holandezin që dy vite më parë nuk arriti të merrte maksimumin në dy takimet e para.

inter

Për të gjetur një statistikë më negative sesa kaq do të duhet të hapësh faqet e historisë zikaltër, të shumë viteve më parë.

De Boer nuk la një kujtim të bukur mes tifozëve interistë, e ndoshta edhe për shkak të nisjes së sezonit të para dy viteve. Pas humbjes 2-0 me Chievon në “Bentegodi”, holandezi shpëtoi të regjistronte një rekord më të keq vetëm falë Icardit, i cili do të shënonte golin e barazimit ndaj Palermos në javën e dytë. Por ambientin zikaltër e qetësoi disi fitorja me përmbysje ndaj Juventusit, e kjo zgjati të paktën deri në nëntor, atëherë kur rezultatet e teknikut holandez, 7 humbje në 14 ndeshje, do t’i detyronin drejtuesit e lartë ta shkarkonin dhe ta zëvendësonin me Piolin.

Për të thënë të vërtetën, përpara De Boer ishte edhe Gasperini, trajneri aktual i Atalantës. Në sezonin 2011-2012, edhe pse drejtonte një skuadër me shumë emra të “Tripletës” së famshme, Interi e nisi me humbjen 4-3 në Palermo kampionatin, por kjo ndeshje vlente për javën e dytë (e para nuk u luajt për shkak greve të shoqatës së futbollistëve). Më pas erdhi barazimi në “San Siro” me Romën, që u pasua nga humbja 3-1 me Novarën. Por, nisja negative e Gasperinit kushtëzohet nga shtyrja e ndeshjes hapëse me Leccen, të cilën zikaltrit e fituan në dhjetor por nën drejtimin e Ranierit.

Edhe pse nisja ndaj Sassuolos dhe Torinos nuk ka qenë entuziazmuese, duke pasur parasysh se historia sugjeron që sezonet e nisura keq mund të përfundojnë edhe më keq, tifozët e Interit e dinë mirë se në 35 vitet e fundit ka pasur edhe nga ata që kanë bërë më keq.

Në sezonin 1983-1984, Interi i drejtuar nga Radice e nisi me dy humbje përballë Sampdorias dhe Lazios, duke pësuar 5 gola dhe shënuar vetëm një. Por, pankina e tij u shpëtua vetëm falë një ekipi të përbërë prej emrash të mëdhenj, si Altobelli, Bergomi, Beppe Baresi, Marini dhe Beccalossi. Një grup i fuqishëm që arriti të mbante të bashkuar skuadrën përreth trajnerit. Interi nisi të fitonte dhe të ngjiste shkallët e klasifikimit, por duket se vrapimin e nisi shumë vonë për të rikuperuar terren ndaj Juventusit dhe Romës.

Në fund të atij edicioni, Radice e çoi Interin në vendin e katërt dhe garantoi pjesëmarrjen në ish-Kupën UEFA.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura