Nisin 16 ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me bazë Gjinore

Nov 24, 2017 | 22:26
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Fushata “Fund dhunës ndaj grave dhe vajzave” startoi dje dhe është konceptuar këtë vit përmes zhvillimit të më shumë se 50 aktiviteteve portokalli.

Qëllimi i kësaj fushate është sensibilimi i grave ndaj çdo forme të dhunës që adresohet ndaj tyre dhe denoncimi me zë të lartë i saj.

24008364_10155939031006692_1461937240_n

Aktivitetet portokalli do të përfshijnë shfaqje artistike, marshime në qendra të qyteteve, debate në shkollave, shfaqjet teatrale.

Të gjithë kanë një rol për të luajtur në komunitetin e tyre: burrat, djemtë, gratë, vajzat, të mbijetuarat/it e dhunës me bazë gjinore, udhëheqësit fetarë, punonjësit dhe drejtuesit vendorë, pronarët e dyqaneve, mësuesit, mjekët dhe oficerët e policisë.

Fushata është një nismë e Agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për veprimtari të bashkërenduara me organizata të shoqërisë civile me mbështetjen financiare të UNDP, UN Women Albania, UNFPA Albania dhe me fonde të Qeverisë së Suedise.

Sipas një kalendari aktivitetesh, përmes kësaj fushate do të synohet përfshirja dhe angazhimin e komunitetit lokal, shoqërisë civile, organeve shtetërore dhe qytetarëve nëpërmjet ndërgjegjësimit ‘derë më derë’ – jo vetëm në ndërtesat qeveritare, por edhe në shkolla, universitete, teatro e bulevarde për një shoqëri pa dhunë.

Fushata është pjesë e nismës ndërkombëtare: UNiTE (Bashkohu për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas), sidomos gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore që është një lëvizje shoqërore globale për të ndërgjegjësuar dhe nxitur veprime konkrete për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Sot, Grupi i Eksperteve të Këshillit të Evropës (GREVIO) publikoi raportin për masat kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Raporti nënvizon nismat pozitive për parandalimin dhe luftën e të gjitha formave të dhunës ndaj grave në nivel kombëtar, si dhe paraqet sugjerime dhe propozime për të përmirësuar situatën e grave në Shqipëri.

Ky raport përmban një analizë të përgjithshme të zbatimit të dispozitave të Konventës së Stambollit – Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

UN Women do të vazhdojë mbështetjen për zbatimin e Konventës së Stambollit dhe rekomandimeve te GREVIO-s, përfshirë edhe në kuadër të “Programit Rajonal për Luftën e Dhunës ndaj Grave: Zbatojmë Standartet, Ndryshojmë Mendjet” – që zbatohet në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë nga UN Women, me mbështetjen financiare të Komisionit Evropian.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura