“Nisi të qajë”, Kristaq Mitro tregon bisedën me Adriana Elinin! E bija: Zbuloi të bukurën në atë regjim…

Feb 19, 2020 | 20:15
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Ajo ishte vetëm 20 vjeçe kur trokiti në dyert e Kinostudios “Shqipëria e Re”… Me ëndrra mbi supe, vullnet e dashuri për punën e për njerëzit, Adriana Elini Xhajanka, 6 vite pas themelimit të “fabrikës” së filmit, u bë pjesë e pandashme saj.arkivi-i-filmit-perkujtimore-Adriana-Elini-xhajanka-1-1-542x420

Ishin vitet 1957-1958 dhe për një grua që punonte me filmin, rruga s’do të ishte e shtruar me petale, por ndoshta petalet artistike, kinemasë shqiptare iu shtuan edhe falë punës së heshtur të kineasteve femra.

Në emër të këtij kontributi, në 25-vjetorin e ndarjes nga jeta të regjisores, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit e kujton Adrianën përmes tre dokumentarëve të saj. Bukuritë natyrore të vendit, portretet e njerëzve të thjeshtë, pjesë e “Shtëpitë malore të pushimit” (1967), tentativa për të hulumtuar mbi botën e fëmijëve e dëshirat e tyre në dokumentarët “Çdo vijë një vizatim” (1984) dhe “Fanfara e të vegjëlve” (1985) reflektojnë prekjen e brishtë femërore të kineasteve, që i ka dhënë një tjetër ndjeshmëri filmit shqiptar.

Ndonëse elementet propaganduese për atdheun socialist nuk mbeten të përjashtuara as në këta dokumentarë, materialet filmike të Adriana Elinit tregojnë se regjisorja ka ditur të shkojë përtej tyre. “Shtëpitë malore të pushimit”, e vlerësuar asokohe edhe nga një juri ndërkombëtare në Kajro, pasqyron më së miri punën e regjisores si një vëzhguese e mirë, që lë pas dëshmi për vendet, veshjet, shtëpitë, mobilimin, sjelljen e njerëzve, por edhe botën e tyre të brendshme.download

Ndoshta ky film dokumentar do të mbahet mend edhe për përkëdheljen e munguar të regjisores ndaj partisë e diktatorit, pasi BPSH-ja asokohe e kritikoi faktin se në “Shtëpitë malore të pushimit”, pushuesit nuk lexonin as librat e partisë dhe as ata të Enver Hoxhës…

Mirëpo, pavarësisht këtyre kritikave, Elini arriti që hap pas hapi të krijonte gjurmët e saj në Kinostudio. Fillimisht me punën e saj si regjisore montazhi e më pas me realizimin e filmave artistikë, si “Horizonte të hapura” apo “Estrada në ekran”. Nga “Universiteti ynë”, “Kolë Idromeno”, “Mjeshtrit e rinj” “Qylymat tanë” etj., janë mbi 40 dokumentarë, reportazhe e kronika të kohës që mbajnë firmën e saj. Familjarë e kolegë e kujtojnë regjisoren në këtë 25-përvjetor të ndarjes nga jeta.

KRISTAQ MITRO: DINTE T’I ‘VIZATONTE’ SKENAT

“Ishte një njeri i heshtur… Hapat e saj në ambientet e Kinostudios qenë të lehtë dhe kjo qetësi e shoqëronte edhe kur fliste”. Regjisori Kristaq Mitro e ka njohur Adrianën në vitet ’70 dhe ruan për të përshtypjet më të mira, qoftë nga ana profesionale, ashtu edhe nga ajo humane. Rrëfimi i Mitros bën të kuptohet se kjo bujari që Adriana u përçonte të tjerëve e puna profesionale, ndoshta nuk i ktheheshin plotësisht dhe regjisorja kishte brengat e saj në “shtëpinë” e madhe të filmit.

Regjisorja Adriana Elini Xhajanka, gjatë punës
Regjisorja Adriana Elini Xhajanka, gjatë punës

“Kujtoj se një ditë erdhi në dhomën e montazhit, ndërsa bashkë me Ibrahimin po montonim ‘Dimrin e fundit’. Ndenji pak aty në heshtje pa bërë vërejtje dhe më vonë mundëm të bisedonim. Kisha parë punët e saj, aftësitë, elegancën në krijimtari dhe i sugjerova të punojë me filmin artistik, pasi ajo dinte t’i ‘vizatonte’ skenat, të emociononte, të krijonte raportet në mizanskenë e ndër të tjera njihte shumë mirë edhe mjeshtërinë e aktorit. Në punët që realizoi ishte si një poete”.

Përpos të gjitha këtyre aftësive e fisnikërisë që e shoqëronte në çdo hap, Mitro thotë se në Kinostudio kishte edhe sjellje negative, të cilat nuk e stimulonin regjisoren. “E vërteta është se kishte edhe shumë nga ata që nuk e deshën. Më kujtohet njëherë kur erdhi u ul pranë nesh. E pyeta se çfarë e shqetësonte. ‘Nuk kam gjë, – më tha,- por nuk dua të jem atje, dua të kaloj këtu’. Mandej nisi të qajë. Nuk e harroj kurrë atë moment. Pas kësaj ndenji dhe pak e u largua, ndoshta nuk donte që ta shikonte njeri”, tregon më tej regjisori.

ATALANTA PASKO: KOHA E SHTRENJTË QË MË DHA ME BUJARI

Atalanta Pasko ishte tepër e re kur nisi të punojë në Kinostudio dhe e konsideron veten me fat që kjo eksperiencë e njohu me Adrianën, një kineaste sa punëtore, aq edhe tolerante e fisnike.

“Në fillimet e mia kam bërë shumë gafa. Më kujtohet njëra prej tyre, kur vendosa çatinë para mureve dhe ende e mbaj mend reagimin e Adrianës. Nuk qeshi, as u zemërua, por me shumë takt më tha: ‘Do të ishte më mirë të vendosje çatinë në fillim’”… Kjo sjellje njerëzore e regjisores bën që mes të dyjave të lindë miqësia. “Nga raporti me të si mësuese, u bëmë shumë shoqe. Bisedonim për tema, për të cilat asokohe nuk duhej të flisnim. Adriana ishte gjithmonë shumë e ngarkuar me punë e me familjen, ndaj mendoj se ajo më ka falur diçka shumë të shtrenjtë, siç është koha”. Pasko kujton se Elini, edhe ndërsa ishte duke punuar për një projekt, në kokë kishte punën që do të bënte më pas. E pavarësisht kësaj ngarkese e angazhimit familjar, ajo nuk ia privonte bujarinë e saj, kujt dinte ta vlerësonte. “Për të gjitha këto, nëse ajo sot më dëgjon prej diku, i them përsëri: Faleminderit!” – thotë Pasko.

E BIJA: EDHE NË KËTA TRE FILMA ISHA ME TË

Vajza e saj, Etleva, e emocionuar në këtë përvjetor të nënës së saj, kujton përkushtimin e Adriana Elinit për të dhënë më të mirën si kineaste dhe nënë. “Profesioni që kishte bënte që pjesën më të madhe të kohës të mos ishte në shtëpi. Ka pasur shumë raste kur e kam shoqëruar në punën e saj. Madje, edhe në këta tre filma unë kam qenë bashkë me stafin”. Kujton kujdesin e së ëmës te filmi “Çdo vijë një vizatim”, që Etleva të mos ndihej e lënë pas dore, por njëherazi të mos përfshihej më shumë seç duhet.

“Isha në moshën e fëmijëve aktorë që lodronin e vizatonin. Ajo tregohej e vëmendshme që nga njëra anë të mos më mbante të aneksuar nga fëmijët e grupit dhe nga ana tjetër të mos më përfshinte, pasi diçka e tillë binte ndesh me rregullat e kohës”. 25 vite larg nga ndarja fizike e regjisores Adriana, e bija e shikon nënën e saj në pozitat e një gruaje që ka ditur të luftojë e të kapërcejë jo pak vështirësi. “Ka ditur të zgjedhë dhe të zbulojë të bukurën në atë kohë të vështirë. Ka ditur të bëjë atë që duhej bërë në kushtet e atij regjimi… Pati vullnetin për të zbuluar të bukurën në atë realitet…” (përlotet).

IRIS ELEZI: NEVOJA PËR RESTAURIM TË FILMAVE DHE NJË SUGJERIM PËR KINEASTËT E RINJ

Kineastja dhe drejtorja e Arkivit të Filmit, Iris Elezi, përmes këtij homazhi ndaj regjisores Adriana Elini, ndër të tjera përkujton edhe punën e bërë nga kineastet femra. “Një punë e nisur edhe më herët nga ish-titullarja e vjetër e Arkivit, Natasha Lako, bashkë me specialisten tonë, Erjona Vyshka.

Ato janë përpjekur të tërheqin vëmendjen për kineastet e teknicienet femra. Ka ardhur koha të kuptohet se në Kinostudio ka ekzistuar raporti mashkull-femër dhe s’ka qenë e pamundur që edhe talenti femëror t’i hapej kinematografisë shqiptare. Adriana Elini, nga regjisore montazhi u bë regjisore filmi dhe vetëm gjatë viteve ’70, ajo mundi të realizojë 19 kronika.

Urtësia e ka shoqëruar dhe në xhirime, në mënyrën sesi i ndërton marrëdhëniet me personazhet dhe si i lejon personazhet që të rriten gjatë kohës skenike”. 3 filmat e regjisores Adriana Elini u shfaqën me ngjyra në 35 mm dhe problemet e shfaqura prej kohës apo kushteve të ruajtjes, sipas drejtores së Arkivit, Iris Elezi, bëhen një kambanë më shumë që njoftojnë nevojën për restaurim.

“Këta dokumentarë shfaqen sot edhe që të tërheqin vëmendjen e të restaurohen, sepse galeria e portreteve që shfaqen në ta janë të mrekullueshme”. Elezi pati dhe një sugjerim për kineastët e rinj: Do të ishte bukur nëse do të shikonin filma si “Fanfara të vegjël” dhe pse jo, të përpiqen të zbulojnë jetën e atyre fëmijëve në film dhe se ku janë sot…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura