Nishani në Samitin e Sarajevës: Realizojmë reformat dhe nisim bisedimet e integrimit

May 29, 2016 | 14:48
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mori pjesë sot në Samitin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, organizuar në Sarajevë, ku krahas Presidentëve të Kroacisë, Sllovenisë, Bashkëkryetarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Kosovës, i ftuar i nderit ishte Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.

??????????????
??????????????

Në fjalën e mbajtur në Samit, Presidenti Nishani vlerësoi prezencën e Presidentit të Italisë në këtë Samit, duke theksuar mbështetjen e fuqishme që Italia, si vend themelues i BE-së i ka dhënë procesit të integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Union.

Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu ndryshimet rrënjësore që ka pësuar rajoni, veçanërisht gjatë dekadës së fundit, duke evidentuar intensifikimin e dialogut dhe të marrëdhënieve mes vendeve, në funksion të krijimit të një rajoni të paqtë dhe të gatshëm për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.

Duke u ndalur në agjendën evropiane, Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria e ka bërë të qartë tashmë se objektivi më strategjik për Shqipërinë, është integrimi në BE. “Ne jemi thellësisht të përqendruar të përparojmë më tej në këtë rrugëtim duke zbatuar reforma të thella të brendshme, me qëllim hapjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit” – theksoi Presidenti.

Kreu i Shtetit u ndal edhe në sfidat dhe kërcënimet me të cilat po përballen vendet e rajonit dhe i gjithë kontinenti evropian, të tilla si terrorizmi e ekstremizmi i dhunshëm, si dhe kriza e refugjatëve, duke shprehur gatishmerinë e Shqipërisë për të qenë pjesë e zgjidhjes konform mundësive dhe kapaciteteve të saj.

“Shqipëria është solidare me vendet e rajonit të prekura nga kriza e refugjatëve dhe ka ofruar mbështetjen e saj proporcionalisht me mundësitë dhe kapacitetet e saj, si ndaj vendeve fqinje ashtu edhe ndaj Bashkimit Evropian” – u shpreh Presidenti Nishani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura