Nishani dekoron Andon Zako Çajupin, Prefektja e Gjirokastrës bojkoton aktivitetin e Presidentit

Mar 28, 2015 | 14:50
SHPËRNDAJE

Gjirokastër- Prefektja e Gjirokastrës, Zamira Rami, ka qenë e ftuar në aktivitetet e organizuara në këtë qytet, me rastin e vizitës së Presidentit Bujar Nishani, por ajo i ka bojkotuar.

Ndërkohë që në ceremoninë e dekorimit të Andon Zako Çajupit (pas vdekjes) me titullin “Nderi i Kombit”, atje kanë qenë të ftuar një numër i madh personalitetesh nga vendi dhe Kosova, mësohet se Prefektja e ka bojkotuar aktivitetin dhe nuk ka qenë e pranishme. Burimet e Presidencës, thanë për “Panorama Online” se ajo ka qenë e ftuar te merrte pjese, por nuk ka qene prezente.

Presidenti Bujar Nishani ne Gjirokaster

Kreu i shtetit zhvilloi disa takime me banorë të dy komunave të Gjirokastrës, Lunxhëri e Zagori, ku vlerësoi në fshatin Sheper, Andon Zako Çajupin (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë përparimtare shqiptare, i cili në fillim të shekullit të kaluar, me poezitë dhe veprat e tij letrare satirike kontribuoi jo vetëm në edukimin e ndjenjave atdhetare, por luajti edhe një rol të veçantë në ndriçimin e shoqërisë shqiptare”.

Ky titull dhënë me rastin e përvjetorit të datëlindjes së Çajupit iu dorëzua Kryetarit të Komunës Zagori, Arqile Mekshi.

Vizitën e tij kreu i shtetit e nisi në fshatin Dhoksat të Komunës Lunxhëri ku u takua me kryepleqtë dhe banorë të krahinës duke biseduar për problemet e tyre, teksa i ka garantuar që do t’i përcjellë ato fuqimisht në institucionet përkatëse, thuhet ne njoftimin e zyres se shtypit te Presidences.

Duke vene ne pah bukurite natyrore të kësaj krahine, Nishani tha se ajo është djepi “ku janë përkundur ëndrrat dhe aspiratat e qindra mijëra bijve të shquar zagoritë që me dituri, dinjitet dhe trimëri kanë bërë shumë për atdheun dhe kombin tonë”.

Por Nishani ka premtuar per banoret e zones se per planin e zhvillimit urban dhe ekonomik të krahinës, “do e çoj zërin tuaj në të gjithë institucionet që mund të kontribuojnë”,- theksoi kreu i shtetit. 

“Do të jem në krahun tuaj për të ndihmuar që rruga e bukur Libohovë-Nivan, e cila gjarpëron mes malesh t’ju sjellë këtu më shpesh. Rruga e Çajupit dhe gjithë të tjerat të lidhin gjithë krahinën që shtëpitë të kthehen në bujtina turistike për vizitoret dhe dashamirësit e lartësive. Ujrat e rrëmbyer që tronditin dhe përmbytin gjithë luginën Drinos të shndërrohen në punë dhe energji elektrike për të gjithë rajonin në një vepër hidroenergjetike si ajo e Suhës. Unë do të jem bashkë me ju që Zagorise t’i kthehet jeta dhe zagoritëve dëshira për të ardhur, gëzuar dhe investuar në tokën e të parëve të tyre”,- nenvizoi ne fjalen e tij Presidenti Nishani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura