Nishani takohet me Vuçiç: Prisja që nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave të realizohej gjatë kësaj vizite

May 27, 2015 | 18:49
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti sot në një takim kryeministrin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Presidenti i Republikes Bujar Nishani dhe kryeministri i Serbise, Aleksander Vucic

Pasi vlerësoi vizitën e kryeministrit serb në Shqipëri, Nishani u ndal tek të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke kërkuar një kujdes dhe mbështetje më të madhe nga ana e qeverisë, veçanërisht zbatimin sa më parë të angazhimeve të mara sa i përket aspektit ekonomik, shoqëror dhe shëndetësor të tyre. Në njoftimin e shpërndarë nga presidenca, thuhet se kreu i shtetit nënvizoi se do të kishte qenë e udhës që nënshkrimi i Marrëveshjes për Njohjen Reciproke të Diplomave të realizohej gjatë kësaj vizite, për të dhënë një mesazh më të drejtpërdrejtë të vullnetit pozitiv për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe në respekt të premtimeve dhe angazhimeve që i japim njëri-tjetrit.

“Një vend të posaçëm në takim zuri edhe çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Presidenti Nishani vuri në dukje se vazhdimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të dakordësuara janë rruga më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke shtuar se ky proces kërkon kurajo dhe vizion për të ardhmen, çka po dëshmohet si nga autoritetet e shtetit të Kosovës ashtu edhe ato të Serbisë”,-thuhet në njoftimin për mediat. Ndërsa theksohet se duke folur rreth çështjeve të sigurisë në rajon, kreu i Shtetit vuri në dukje se bashkëpunimi rajonal ndaj sfidave të përbashkëta është sot një domosdoshmëri. Gjithakshtu Nishani vuri në dukje se Shqipëria është e interesuar për një rajon në paqe dhe të stabilizuar, ashtu sikurse është e vetëdijshme se rajoni nuk është i imunizuar nga rreziqet që i kanosen sigurisë. “Kryeministri Vuçiç vuri në dukje se mbetet realisht i angazhuar për të avancuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, dhe se vizita e tij në Tiranë u realizua mbi bindjen e sinqertë për rëndësinë e përparimit të këtyre marrëdhënieve, të cilat i konsideroi kyç për stabilitetin dhe paqen në rajon. Më tej, Kryeministri Vuçiç informoi mbi pikat e bisedimeve të zhvilluara me qeverinë shqiptare, dhe projektet e përbashkëta për të cilat është rënë dakord.”,-njoftin zyra e shtypit e presidencës. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura