Nishani flet në Samitin e Klimës në Paris: Shqipëria emeton më pak gazra me efekt serrë

Nov 30, 2015 | 17:15
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mbajti një fjalim ditën e sotme, teksa ishte i ftuar në Samitin e Klimës që u mbajt në Paris.

Nishani-FjalimiNishani, fillimisht shprehu solidaritetin e Shqipërisë për Parisin, i cili u godit këtë muaj nga 7 sulme terroriste.

“Përfitoj nga rasti të shpreh edhe njëherë solidaritetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve për parisienët, popullin francez dhe Francën, pas akteve barbare terroriste të 13 nëntorit, duke uruar kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate”, tha Nishani.

Sa i përket ndryshimeve klimatike, Nishani tha se Shqipëria është në një pozicion unik, pasi emetimi i gazrave me efekt serrë është i ulët.

Kjo për shkak se sektori i prodhimit të energjisë elektrike në vend është plotësisht i dekarbonizuar, ku 1/5 e prodhimit bazohet në energjinë e rinovueshme.

Kreu i shtetit, siguroi se Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje që i duhet në këtë fushë në kuadër të procesit të integrimit në BE.

“Në interesin më të mirë të arritjes së një Marrëveshje globale, Shqipëria si Vend Kandidat në Bashkimin Evropian, do të bëjë përpjekjet maksimale për realizimin e objektivave të përcaktuar në INDC për një Zhvillim të Qëndrueshëm.

Gjithashtu, institucionet shqiptare, në linjë me politikat e Bashkimit Evropian, po punojnë për përgatitjen e strategjisë kombëtare për ndryshimet klimatike, planin kombëtar të përshtatjes dhe legjislacionin përkatës në këtë fushë”, -u shpreh Nishani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura