Nishani dekoron Pacollin me urdhërin “Nderi i Kombit”, në takim morën pjesë krerët e shtetit

Feb 27, 2015 | 19:46
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekoroi ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Behgjet Pacollin me urdhërin “Nderi i Kombit”.
 

Bujar Nishani dhe Behgjet Pacolli

Presidenca informon se kjo dekoratë Pacollit iu dhurua me motivacionin “Për krijimin e imazhit pozitiv të shqiptarit në botë si një sipërmarrës i suksesshëm në shumë vende të globit si dhe aktivitetit humanitar në shërbim të paqes. Për kontributin e tij të qenësishëm në lobimin për njohjen dhe pranimin e pavarësisë së Kosovës si dhe promovimin e realiteteve ekonomike kombëtare nëpërmjet formave përbashkuese.”
Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të politikës shqiptare si kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, kryetar i opozitës Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha etj. Si dhe familjarë të Pacollit. Në ceremoninë e rastit ra në sy mungesa e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në fjalën e tij, Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, falënderoi vlerësimin e bërë nga kreu i shtetit shqiptar. “Kam marrë shumë nderime në botë, por ky është nderim më i veçanti, më emocionuesi. Ky nderim lartohet dhe më shumë pse vjen prej shtetit amë”,-ishin fjalët hyrëse të deklaratës së tij të mbajtur në ambientet e presidencës.  Ndërsa shtoi se “Kudo që unë jam nderuar në botë për veprat e mia, unë kam LARTESUAR emrin e shqiptarit. Më vjen mirë që Presidenti e ka vlerësuar këtë. Sa më shumë jam mirënjohur nëpër botë për veprat e mija më shumë kam dashur që vendi im, kombi im të dekorohet akoma më bukur”.

Duke folur për projektin e tij politik, Pacolli tha se krijoi platformën “për një Kosovë të zhvilluar, një Kosovë dinjitoze, nje Kosovë për të cilën do punonim në menyre të sinqertë,për një Kosovë shumë të dashur për njerëzit, për një Kosovë të jetueshme”.

Palloçi foli shkurtimisht edhe për largimin e kosovarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian për një jetesë më të mirë. “Dua që ashtu si unë, bashkëkombasit e mi të mos ikin, por të duan e të jetojnë të lumtur në Kosovë, të punojnë në tokën e tyre”,-deklaroi Pacolli.

Ndërkaq, mes ish-presidentit të Kosovës dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, pati një takim në zyrën e këtij të fundit. Në një koment të publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, ish-kryeministri Sali Berisha ka shkruar se në takim u diskutua gjerësisht mbi rëndesinë jetike të integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës në BE, nëpërmjet realizimit të standarteve europiane. “E urova zotin Pacolli per titullin e larte dhe te merituar “Nderi i Kombit” qe i akordoi sot Presidenti Republikes z. Bujar Nishani per veprimtarine e tij te shquar dhe kontributin e çmuar dhene per ceshtjen kombetare, njohjen dhe konsolidimin e Kosoves dhe rolit te saj ne bote”,-shkrun ish-kryeministri Sali Berisha. 


NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura