Nis testimi për 544 punonjës socialë, Klosi: Kush nuk kalon testin, largohet

Oct 2, 2015 | 12:09
SHPËRNDAJE

 Ka nisur sot në Tiranë testimi i të gjithë punonjësve socialë që shërbejnë në të gjitha qendrat rezidenciale, të cilat ofrojnë shërbim për të gjitha kategoritë, që nga fëmijët, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe deri te mosha e tretë. Procesi ka nisur në orën 09:00 të mëngjesit dhe ai është ndjekur nga afër edhe nga vetë ministri Blendi Klosi.

Ministri i Mireqenies Sociale, Blendi Klosi
Ministri i Mireqenies Sociale, Blendi Klosi


Në një deklaratë për mediat, ai ka theksuar se ky testim synon që të identifikojë pikërisht ata punonjës socialë që kanë aftësi të mjaftueshme për t’iu ofruar shërbim kategorive shoqërore që kanë nevojë për përkujdesje.

“Sot është 2 tetori, Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës dhe ne jo më kot kemi zgjedhur këtë ditë për të realizuar atë që premtuam pas ngjarjes së Shkodrës, për të testuar të gjithë personelin në të gjitha qendrat rezidenciale, për të parë aftësitë e tyre në funksionim të detyrës që duhet të kryejnë. Ajo që ndodhi në Shkodër nuk mund të themi që ishte as e para dhe as e fundit, por me testimin e sotëm ne synojmë t’iu ofrojmë qytetarëve në nevojë, grupeve shoqërore me problematika, atyre që kanë nevojë për dorën e shtetit, një shërbim më të kualifikuar”, – tha Klosi në fjalën e tij.

Gjithashtu, ai ka theksuar se të gjithë ata që nuk do arrijnë ta kalojnë testimin nuk do kenë më vend në qendrat e ofrimit të shërbimeve sociale, siç janë ato që përkujdesen për fëmijët, personat me aftësi të kufizuara apo edhe për personat e moshës së tretë. “Nëse testimi nuk del pozitiv, atëherë në bazë edhe të legjislacionit në fuqi, personeli që nuk kualifikohet mund të vazhdojë në sistemin tjetër, pra në atë të qytetarëve pa problematika, por në sistemin tonë ku kërkohet një shërbim më i specializuar, nuk mund të shërbejë dot”, – shtoi ministri.

Ndërkohë, për ata punonjës socialë që do ta kalojnë këtë provim, ai ka premtuar se do t’u nënshtrohen kualifikimeve të vazhdueshme në mënyrë që të përmirësojnë më tej aftësitë e tyre të shërbimit. “Pas këtij testimi, ata që do të ndihen të aftë për të shërbyer në këtë sistem do t’u nënshtrohen trajnimeve dhe kualifikimeve të vazhdueshme, pasi siç e thashë, është shumë e rëndësishme që të kemi nevojë për njerëz që dinë të japin shërbime për ato shtresa që kanë nevojë për përkujdesje”, – tha Klosi.

Testimit do t’i nënshtrohen në total 544 punonjës socialë, dhe ai do të kryhet në dy faza; me shkrim dhe me gojë. Sot po zhvillohet provimi me shkrim, ndërsa javës tjetër do të zhvillohet testimi me gojë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura