Bami në burg si i dyshuar për vrasje, ‘kyç’ gojën në gjyq: Do të shprehem në një fazë tjetër të hetimit

Mar 7, 2015 | 8:20
SHPËRNDAJE

Durim Bami, personi që sipas deputetit Tom Doshi ishte “rekrutuar” për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit Mhill Fufi, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve të kësaj çështjeje. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata për Krimet e Rënda caktoi dje masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.

Në zbatim të kësaj mase, Bami do të qëndrojë në qeli si i dyshuar për akuzën e “vrasjes së funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, ndaj deputetëve Doshi e Fufi. Durim Bami u arrestua pesë ditë më parë, ndërsa po tentonte të largohej jashtë vendit.

 

Durim Bami

 

SEANCA 
I dyshuari Durim Bami është përballur dje në sallën e gjyqit me kërkesën e dy prokurorëve, Përparim Kulluri dhe Manjola Kajana, për lënien e tij në qeli.

Burime pranë seancës me dyer të mbyllura për median bënë me dije se prokurorët i kanë mbështetur dyshimet e tyre ndaj 36-vjeçarit në deklarimet e dhëna nga deputeti Doshi dhe të tjerë persona për llogari të hetimit, mes të cilëve edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi. Bami ka “kyçur” gojën, duke mos shfaqur asnjë pretendim në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tij.

“Do të shprehem në një fazë tjetër të hetimit paraprak”, mësohet të ketë deklaruar i dyshuari. Nga ana e tij, mbrojtësi ligjor i Bamit, Ilir Murati, ka pretenduar se arrestimi i klientit të tij ishte i paligjshëm. Në lidhje me masën e sigurisë, avokati ka kërkuar një masë më të butë se ajo e “arrestit në burg”.

Avokati ka argumentuar se Prokuroria nuk ka dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova, që klienti i tij do të kryente veprën penale. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjyqtari Sandër Simoni ka vendosur lënien në qeli të të dyshuarit. 

Më herët, 36-vjeçari Bami nga Fushë Kruja, i cili u vendos në qendër të “skenarit për vrasjen e Tom Doshit” gjatë ditëve të fundit, ka mohuar të ketë marrë ndonjëherë porosi për vrasjen e ndonjë deputeti.

Bami gjatë marrjes në pyetje nga dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri dhe Manjola Hasa, që janë ngarkuar me hetimin e çështjes, ka deklaruar se me Tom Doshin nuk ka pasur njohje të mëparshme, por se e kishte prezantuar me të një deputet tjetër i Kuvendit të Shqipërisë në një nga qytetet në veri të vendit. Pas prezantimit që i ka bërë deputeti në fjalë, Durim Bami shpjegon se është takuar disa herë me Tom Doshin në lokale ku janë zhvilluar bisedat mes tyre.

Ai ka thënë se gjithçka është deklaruar për përfshirjen e tij në skenarin për eliminimin e Doshit dhe Fufit me pagese nga kreu i Kuvendit, është sajesë, duke shtuar se ka qene deputeti Doshi ai qe e ka mesuar dhe nxitur per te thene ate version te bere tashme publik. 

Bami ka pranuar se ka shkuar ne zyren e Tahirit per te dhene versionin e mesuar prej Tomes. “Ne zyren e Tahirit dhe Didit kam qene me Tom Doshin. Nuk kam marre porosi nga ndokush per te bere ndonje ngjarje”- mesohet te kete thene ai.  

Ai ka pranuar se Tom Doshi i ka dhene nje makine. “Me ka dhene nje automjet, duke me thene se jam ne rrezik dhe disa te aferm te mi me ndihmen e tij i kam derguar jashte shtetit gjate kesaj kohe”, ka thene ai. 

Doshi: Durim Bamin e kam si vëlla

“Pyetje: Si shpjegohet që Durim Bami ndryshe ka folur me ju dhe ndryshe me grupin hetimor?

Doshi: 
Durim Bamin, pas atentatit që i bënë para një jave. E takova dhe më tha që mënyra se si ishte vënë eksplozivi tregonte një dorë profesioniste.

Pyetje: Një dorë profesioniste do ta kishte ekzekutuar aktin.

Doshi: Nuk hipi në makinë. I thashë që a je i bindur që është e njëjta dorë, po më tha. Ai ishte i vetmi dëshmitar në këtë çështje dhe donin të zhduknin. I thashë që të bashkëpunojë me policinë. Më tha më lër edhe disa ditë. E kishte ndarë mendjen për të bashkëpunuar. Faktikisht në këtë rast u nguta unë që e bëra publike përpara. Ai do dëshmonte në polici, por prap i bëj thirrje Prokurorit e Përgjithshëm që nëse ka dëshirë për të zbardhur çështjen, Durim Bamin duhet ta marrë në mbrojtje si dëshmitar dhe jo si vrasës. Ai nuk ka bërë atentat, aq më tepër që më ka informuar mua, personi që isha etiketuar. Të marrë në mbrojtje edhe 2-3 veta të tjerë që të zbardhet e vërteta. Durimi thotë që motorin e ka vjedhur në Paskuqan dhe nuk ka qenë vetë. Eksplozivin e ka montuar te servisi i Tonit, eksplozivin e kishte sjellë një djalë i vogël. Interesi im është zbardhja e kësaj çështjeje. Nuk më intereson, përveç Tonit, këta djem i detyrohem gjithë jetën, sidomos Durit. 

Pyetje: Pavarësisht dëshmisë së tij në prokurori?

Doshi: 
Dëshminë ai e ka bërë sot në një terror që ka pas. Nuk është e lehtë të akuzosh Ilir Metën sot, jam i vetmi në Shqipëri, por jo se i shpifëm. Njerëzit kanë frikë. Më ka falur Zoti që nuk e kam njohur frikën kurrë dhe jam më i fortë kur mendoj që unë edhe vdekjen do ta kisha tragjike me eksploziv. Nuk më bëjnë përshtypje deklaratat e Ramës, Metës dhe Tahirit. E kam bërë këtë për ta ditur gjithë shqiptarët se kush drejton parlamentin. Unë në 25 vjet nuk kam shkeljen më të vogël”, tha Doshi për Bamin, në intervistën e tij për “Top Story”, e cila u transmetua mbrëmjen e djeshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura