Nis rimëkëmbja e ekonomisë/ Ministria e Financave: Në 7 muajt e parë të këtij viti rriten të ardhurat, mblidhen 392 mln euro më shumë

Aug 16, 2021 | 19:33
SHPËRNDAJE

Përshpejtimi i aktivitetit ekonomik ka rritur ndjeshëm të ardhurat buxhetore.

tirana

Sipas të dhënave të ministrisë së Financave në 7-mujorin e parë të vitit kanë hyrë në buxhet 281.4 miliardë lekë, rreth 47.7 miliardë lekë më shumë se kundrejt të njëjtës periudhë të një vitit më pare (392.3 mln euro më shumë), duke sinjalizuar një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë pas goditjes që mori një vit më parë si pasojë e krizës.

Kjo ecuri pozitive është ndikuar pozitivisht pothuajse nga të gjitha zërat si nga të ardhurat tatimore, ashtu edhe nga ato doganore ku këto të fundit arritën në 101.8 miliardë lekë ndjeshëm më shumë se plani dhe krahasuar me një vit më parë.

Kontributin më të madh në rritjen e të ardhurave doganore e kanë dhënë karburanti i importit, cigaret, metalet bazë e artikujt prej tyre, si dhe mallrat e tjera të importuara veshje, tekstile e materiale ndërtimi me 11.3 miliardë lekë më shumë.

Më shumë se plani janë grumbulluar edhe nga tatimet me 141.5 miliardë lekë të ardhura në fund të korrikut, rreth 19.7 miliardë lekë më shumë se 7-mujori i kaluar.

Veç TVSH-së që ka parë një rritje të konsiderueshme të arkëtimeve, më shumë të ardhura janë mbledhur edhe nga tatimi mbi fitimin në këtë periudhë me 19.6 miliardë lekë në total, edhe pse më pak se plani i Financave ku ndikim kanë dhënë sektori i shërbimeve dhe ai i ndërtimit.

Arkëtimet janë rritur edhe nga taksat e punës këtë periudhë me më shumë para të mbledhura nga tatimi mbi të ardhurat personale si dhe nga tatimi mbi deklaratën individuale të të ardhurave, ku për herë të parë këtë vit u përfshinë në të edhe të dy apo më shumë punësuarit.

Ndërsa të ardhurat e mbledhura nga kontributet e sigurimet shoqërore arritën në 61.9 miliardë lekë, rreth 62.5 milionë euro më shumë se një vit më parë, duke sinjalizuar një ecuri të mirë të tregut të punës.

Referuar shifrave të fundit të Financave numri I të punësuarve në fund të qershorit arriti në 710.4 mijë persona, nga 667.7 mijë që ishte kundrejt një viti më parë, duke reflektuar sipas saj një rimëkëmbje të tregut të punës edhe pse sipas bankës qendrore ende po shfaq dobësi dhe është larg niveleve të para pandemisë.

Shpenzimet buxhetore nga ana tjetër janë rritur me 28.2 miliardë lekë duke arritur në fund të korrikut në 311.3 miliardë lekë, teksa deficit buxhetor u ngushtua në 29.9 miliardë lekë, rreth 19.5 miliardë lekë më pak se një vit më parë./TCH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura