Nis projekti 1 miliard euro investime, Rama: E para, Rruga e Arbrit

Feb 1, 2017 | 8:23
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, lançuan dje para përfaqësuesve të bankave të nivelit të dytë dhe biznesit nisjen e programit të ri kombëtar të investimeve “Një miliard për rindërtim” në formën e partneritetit publikprivat për 3 vitet e ardhshme.

rama kryeministriKryeministri Rama informoi se programi prej 1 miliard eurosh investime është dialoguar me bankat dhe biznesin, dhe ka një listë konkrete projektesh ku do të financohet. Kryeministri tha se me projektet synohet financimi për ndërtimin e rrugëve, shkollave, spitaleve dhe rritja e punësimit.

“Synojmë që me këtë program të adresojmë disa probleme të rëndësishme të infrastrukturës rrugore nacionale, të adresojmë nevojën për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e zonave turistike. Për këtë arsye, projektet shtrihen nga lart në rrugën që lidh pjesën urbane të Veriut me Thethin, deri poshtë në Vlorë, Gjirokastër apo Berat. Pjesë e këtij programi është edhe Rruga e Arbrit, për të cilën kanë nisur procedurat dhe është projekti i parë, i cili përfshihet në këtë program dhe për të cilin ka një procedurë të nisur, bazuar në legjislacionin në fuqi, nga Ministria e Transporteve. Ne synojmë që të ndërtojmë dhe rindërtojmë afro 150 shkolla në gjithë Shqipërinë, përfshirë dhe 6 shkolla ekselence të reja për arsimin profesional. Infrastruktura shëndetësore ka si gravitet ndërtimin e një spitali ekselence, rajonal, në Fier dhe 10 qendra shëndetësore ekselence në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri shpjegoi se skema e investimit do të jetë një bashkëpunim i biznesit me bankat, ndërsa garantoi se qytetarët nuk do të paguajnë kosto ekstra.

“Për gjithë këtë proces dhe këtë përfshirje masive të sipërmarrjes dhe të kapitalit privat në mbështetje të një programi kombëtar për infrastrukturën publike, përsëri qytetarët nuk do të paguajnë asgjë ekstra, siç është tanimë e qartë nga filozofia jonë e re e partneritetit publik-privat, ku asnjëherë shteti nuk shpenzon paratë e tij për të favorizuar një subjekt privat, duke ngarkuar me barrë financiare qytetarët apo taksapaguesit”, tha Kryeministri.

AHMETAJ

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, shpjegoi se kostot e projekteve të partneritet publik-privat do të përballohen nga biznesi, por në bazë të ligjit qeveria do të ofrojë bonusin 10 për qind. Ahmetaj tha se buxheti i shtetit do të mbështesë projektin, vetëm pasi të jetë realizuar 50 për qind të punimeve.

“Është e domosdoshme që për të ndarë riskun, por edhe për të ftuar seriozitetin e sipërmarrjes, 20 për qind e projektit të jenë kapitale të veta nga kompanitë të cilat do të jenë të interesuara për financimin e projektit. Mbështetja me pagesë buxhetore, sipas limiteve buxhetore do të kryhet pas vitit të dytë të punës, në bazë të kohës fizike të projektit që do të jetë pjesë e detajuar e kontratës, ose pasi të jenë kryer rreth 50 për qind e punimeve të parashikuar në kontratën e partneritetit publikprivat”, tha Ahmetaj. Kreu i Financave tha se paratë nga mbështetja e buxhetit, nuk do të jenë më shumë se 5 për qind e të ardhurave vjetore.

“Në ligjin e buxhetit kemi bërë ndryshime dhe aty parashtrojmë shumë qartë se për projektet me partneritet publik-privat ofrohet një masë jo më shumë se 5 për qind e të ardhurave tatimore vjetore. Kjo hapësirë është e zënë nga kontratat e partneritetit publik-privat në sektorë të ndryshëm në nivelin 2.1 për qind, që do të thotë vetëm sot kemi për mbështetjen e iniciativës 100 milionë dollarë. Me zhvillimin ekonomik dhe me rritjen e të ardhurave qoftë nominale, qoftë në raport me prodhimin e brendshëm bruto, pagesa prej 5 për qind rritet nominalisht me 15 milionë deri në 20 milionë dollarë në vit. Instrumenti ka shumë avantazhe dhe së pari nuk prek borxhin publik, për sa kohë që shteti hyn në marrëdhënie kontraktuale me partnerin privat. Asnjë nga këto projekte nuk e cenon borxhin publik”, tha Ahmetaj.

Ministri tha se partneritetet publike-private do të jepen me procedurë të përshpejtuar prej 120 ditësh dhe më pas kontrata miratohet nga qeveria. Sipas Ahmetajt, kontratat me vlerë mbi 50 milionë euro do të miratohen nga Kuvendi.

DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura