Nis parada inauguruese në nder të Joe Biden/ Presidenti i ri dhe Zonja e Parë i drejtohen në këmbë Shtëpisë së Bardhë

Jan 20, 2021 | 22:19
SHPËRNDAJE

Pas ceremonisë së betimit që u krye rreth 5 orë më parë presidenti i ri i SHBA-ve Joe Biden iu drejtua me këmbë Shtëpisë së Bardhë.

joe

Mediat ndërkombëtare transmetuan pamje teksa 78-vjeçari eci në këmbë drejt Shtëpisë së Bardhë në krah të Zonjës së Parë Jill Biden.

Ndërkohë banda luajti “Hail to the Chief” dhe “God Bless America”, ndërsa Joe dhe Jill ecnin në këmbë.

Ndërkohë po mbahet një paradë inauguruese ku Biden dhe zv.presidentja Kamla Harris shoqërohen nga Banda e Ushtrisë, një Gardë Nderi dhe nga Komandanti i Përgjithshëm i Gardës dhe Fife Drum Corps drejt Shtëpisë së Bardhë.

Më herët në një njoftim për media nga Komiteti Presidencial Inaugures u bë me dije se në paradë do të ketë “shfaqje të larmishme, dinamike nga komunitetet e 56 shteteve dhe territoreve, ku do të festojnë dhe do të evidentojnë diversitetin, trashëgiminë e vendit”.

BETIMI/ JOE BIDEN: KJO ËSHTË DITA E AMERIKËS! TË UDHËHEQIM ME FUQINË E SHEMBULLIT, JO SHEMBULLIN E FUQISË

Joe Biden është betuar si presidenti i 46-të i SHBA-ve në një ceremoni të zhvilluar sot në Capitol, nga ku ai u shpreh se “Kjo është dita e Amerikës!”.

Sot ne festojmë triumfin, jo të një kandidati, por të një kauze – kauzës së demokracisë. Vullneti i njerëzve është dëgjuar dhe vullneti i njerëzve është marrë parasysh. Ne mësuam edhe njëherë që demokracia është e çmuar. Demokracia është e brishtë. Dhe në këtë orë, miqtë e mi, demokracia ka triumfuar“, deklaroi Biden. 

Pas betimit presidenti i ri foli mbi rëndësinë e bashkimit të vendit, duke theksuar se është i angazhuar me gjithë shpirt në këtë mision.

Sot, në këtë ditë janari, jam me gjithë shpirt te bashkimi i Amerikës, bashkimi i njerëzve tanë, bashkimi i kombit tonë“, tha Biden.

Të bashkuar për të luftuar armiqtë me të cilët përballemi. Zemërimin, mllefin dhe urrejtjen, ekstremizmin, paligjshmërinë, dhunën, sëmundjet, papunësinë dhe mungesën e shpresës. Me bashkim mund të bëjmë gjëra të mëdha, gjëra të rëndësishme“, tha ai.

Shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë e shfrytëzoi fjalimin e tij të inaugurimit për të dërguar një mesazh në pjesën tjetër të botës.

Amerika është testuar dhe ne kemi dalë më të fortë. Ne do të riparojmë aleancat tona dhe do të rinisim angazhimin me botën“, duke premtuar ndryshim të politikave izoluese të Trump. 

Ne do të udhëheqim, jo me shembullin e fuqisë sonë, por me fuqinë e shembullit tonë. Ne do të jemi një partner i fortë dhe i besuar për paqen, progresin dhe sigurinë,” shtoi ai.

CEREMONIA/ MUNGON DONALD TRUMP, TË PRANISHËM CLINTON, BUSH E OBAMA

Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën. Ceremonia e inaugurimit u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe në mungesë të aktiviteteve festive si rrjedhojë e kufizimeve të koronavirusit.

Ish-presidenti Bill Clinton dhe e nominuara për presidente nga demokratët në 2016-ën Hillary Clinton ishin të parët që u panë në ceremoni.
Momente më vonë, ish-Presidenti George W. Bush dhe ish-Zonja e Parë Laura Bush u shfaqën gjithashtu në ceremoni.
Nuk mungoi as ish-presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë Michelle Obama.
Ish-presidenti Jimmy Carter, ish-presidenti më i vjetër në jetë, nuk ishte në ceremoninë e sotme.
I munguari i madh është padyshim Donald Trump, presidenti që u largua nga Shtëpia e Bardhë duke lënë vetëm një shënim, pas kontestimit të rezultatit të zgjedhjeve.
Presidenti amerikan Donald Trump, në një fjalim lamtumire të bërë publik të martën, bëri thirrje për lutje për administratën e re të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, por nuk e përmendi emrin e pasardhësit të tij demokrat.

“Këtë javë, ne përurojmë një administratë të re dhe lutemi për suksesin e saj në mbajtjen e Amerikës të sigurt dhe të begatë”, tha presidenti republikan në video-mesazhin e tij. “Ne i shprehim urimet tona më të mira dhe gjithashtu duam që ata të kenë fat, një fjalë shumë e rëndësishme”, shtoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura