Nis në Tiranë festivali-protestë “PriFest në ekzil”

Apr 22, 2015 | 16:34
SHPËRNDAJE

Një festival në ekzil do të zhvillohet të premten e të shtunën në Tiranë. Bëhet fjalë për një nga festivalet më të rëndësishme të kinematografisë në rajon, PriFest, i cili mban edicionin e tij të shtatë nën emrin “PriFest in exile / Prifest në ekzil”. Organizatorët vendosën që këtë vit të braktisin Kosovën për shkak se Ministria e Kulturës u preu financimet në masën 78%.

Drejtorja e PriFest, Vjosa Berisha

“Ky akt po ndodh në shenjë proteste ndaj vendimit të Ministrisë së Kulturës në Kosovë që zvogëloi fondet e festivalit me 78% dhe duke bërë të pamundur përdorimin e hapësirës së Teatrit Kombëtar për këtë festival, që ishte tradicionalisht shtëpia dhe partneri i festivalit që nga fillimi, para shtatë vitesh”, thotë drejtorja e festivalit, Vjosa Berisha. “PriFest n’Ekzil” do të zhvillohet në datat 24 dhe 25 prill (e premte dhe e shtunë) në Tiranë, në hapësirat e Tulla Culture Center dhe Kinema Millenium. Sipas Berishës, gjatë dy ditëve do të shfaqen disa filma premierë, si dhe edicioni i ri i Prishtina Film FORUM, platforma rajonale e industrisë së filmit, e cila mbledh çdo vit kineastët nga Kosova, rajoni dhe Europa.

“Do të jetë një festë e filmit, çka ‘PriFest’ e ka ofruar për gjashtë vite me radhë në Prishtinë, si për kineastët dhe publikun kosovar, ashtu edhe për mysafirët e shumtë nga rajoni dhe mbarë bota. Edhe në Tiranë ne po ashtu do të sjellim një program, edhe pse më të pakët dhe modest në sasi, por të mbushur me filma te rinj artistikë nga programet tradicionale garuese dhe jo garuese të ‘PriFest'”, thotë drejtorja e festivalit. Festivali do të nisë ditën e premte me shfaqjen e filmit të Isa Qoses “Tri dritare dhe një varje”, ndërsa ceremonia e hapjes do të zhvillohet në Tulla Culture Center. Gjatë dy ditëve të festivalit do të ketë disa seksione: programi i filmave me metrazh të mesëm; Kinemaja e Mjaltës dhe e Gjakut; Programi Letitbe; Programi Fokus Turqia.

Përveç shfaqjes së filmave, nuk do të mungojë edhe tryeza e debatit. Ditën e shtunë do të zhvillohet “PriFORUM n’ekzil”, tryeza e rrumbullakët “Festivalet e filmit – impakti në zhvillimin e industrisë së filmit dhe imazhin e vendit”, si dhe “Rast studimi: projekti filmik nga Kosova ‘Fusha e Mëllenjave'”.

NDARJA E BUXHETEVE

Ndarja e financimeve për skenën e pavarur artistike në Kosovë ka sjellë jo pak shqetësime mes komunitetit të artistëve. Ministri i ri i Kulturës, Kujtim Shala, duket se ka vendosur të shkurtojë shpenzimet për projektet e pavarura artistike, kjo pasi buxheti i vitit 2015 për kulturën do të ketë 300 mijë euro më pak se një vit më parë. Siç raportojnë mediat kosovare, pas këtij vendimi, shumë festivale e qendra kulturore në Kosovë rrezikojnë të shuhen.

Shumë prej tyre ua ka përgjysmuar buxhetin, e shumë të tjera, ndryshe nga vitet e kaluara, kësaj here nuk marrin përkrahje institucionale. Organizatorët e festivaleve e drejtorë të qendrave kulturore kanë kërkuar sqarim për një vendim të tillë të ministrit, pa marrë ende përgjigje. Ata kanë shkuar deri aty sa të kërkojnë dorëheqjen e ministrit Shala. Ndër festivalet e dëmtuara nga ky shkurtim buxhet janë “DAM Fest”, “Chopin Fest”, etj., si dhe qendra e artit bashkëkohor “As Stacion”, e cila nuk ka marrë asnjë mbështetje nga MKK.

NGA ALMA MILE
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura