Mbledhja/ ‘Kajmaku’ në KQZ, avokati: Shkresa nga Greqia s’ka ardhur, s’mund të vendosni mbi opinione, lind pyetja a është nisur…

Nov 1, 2019 | 10:28
SHPËRNDAJE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur ne oren 10:00 te paradites se sotme mbledhjen per shqyrtimin e përgjigjes së mbërritur nga Prokuroria e Përgjithshme për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku.

kqz

Përgjigjja e Prokurorisë së Përgjithshme për Kajmakun u është shpërndarë të 5 anëtarëve të KQZ-së për të shqyrtuar aktet. 

Avokati i Agim Kajmakut, Isuf Shehu tha:

Verifikimet janë të paplota nga ana e prokurorisë. Detyra e prokurorisë janë të parashikuara qartë, te cilën ata nuk e kanë zbatuar.

Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë asnjë vendim të formës së prerë ndaj subjektit Agim Kajmaku. Letërporositë nga institucionet greke nuk kanë ardhur në organin e akuzës në Shqipëri. Kështu lind pyetja a është nisur kërkesa për këtë letërporosi?! Pa patur këto përgjigje nuk kemi një procedurë verifikimi të përfunduar.

Procedimi ndaj Kajmaku në Greqi është bërë plotësisht në munges të tij dhe në munges të dijenisë së tij. Ju të nderuar s’mund të merrni vendime mbi opinione qofshin këto edhe nga prokuroria.

SHKRESA E PROKURORISE

Vetem pak dite me pare “Panorama” publikoi edhe shkresën e Prokurorisë që ka shkuar në KQZ.

Prokuroria e Përgjithshme konfirmon se Agim Kajmaku është i njëjti person me Jorgo Toton, ndaj të cilit, në Greqi, në Gjykatën e Janinës ka pasur një procedim penal për përdorim dhe shpërndarje të parave të falsifikuara.

Agim-Kajmaku-letra

Megjithatë, sipas organit të akuzës, nga hetimet e kryera rezulton se më datë 13.09.2019 ka një vendim pafajësie ndaj Kajmakut. Bazuar në vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme të dërguar në KQZ, pafajësia e tij e bën që Kajmaku të mos jetë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës së kryetarit të Bashkisë së Vorës.

“Subjekti deklarues Agim Ymer Kajmaku, me funksion kryetar i Bashkisë Vorë, nuk përfshihet në fushën e veprimit të nenit 2 të ligjit Nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose që ushtrojnë funksione publike’, thuhet në dokumentin e Prokurorisë. Por kryebashkiaku i ri i Vorës, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, rrezikon të penalizohet për faktin se nuk ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit që ka qenë në hetim apo i arrestuar ndonjëherë. Subjekti Agim Kajmaku përfshihet në përcaktimet e pikës 3 germa ‘ç’, kreu III i vendimit nr. 17/2016 i Kuvendit të Shqipërisë”.

DEKLARIMI 

Më 12 maj 2019, kryebashkiaku aktual i Vorës, Agim Kajmaku, ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit. Në formular, Kajmaku ka paraqitur ndryshimet e emrit. Kajmaku ka pasqyruar ndryshimin e emrit në vitin 1996, nga Agim Kajmaku në Jorgo Toto, dhe 8 vite më vonë, ai ka kthyer sërish emrin në Agim Kajmaku. Por në formularin e vetëdeklarimit, kryebashkiaku i Vorës ka deklaruar se nuk ka qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese.

Po ashtu, ai ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë në hetim ose gjykim nga autoritetet e huaja për ndonjë vepër penale. Ndërkohë, Prokuroria shqiptare konfirmoi se ndaj shtetasit Agim Kajmakut ka pasur një procedim penal nga Gjykata e Janinës. Kjo bën që Agim Kajmaku të jetë subjekt i pikës 3 të nenit 5 i ligjit të dekriminalizimit.

“Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt i këtij ligji. Deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal”, thuhet në ligj. Për të vendosur nëse Kajmakut do t’i hiqet apo jo mandati i kryebashkiakut, KQZ ka 10 ditë afat.

Burime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pohuan për gazetën “Panorama”, se ka vetëm një detaj që mund të “shpëtojë” Kajmakun, që është vendimi i pafajësisë. Por kjo shpresë mund t’i shuhet nëse në Prokurori dhe në KQZ nuk vjen letërporosia e organeve të drejtësisë greke për vendimin ndaj Kajmakut dhe që sqaron nëse kryebashkiaku i Vorës ka pasur dijeni ose jo në lidhje me procedurën hetimore ndaj tij. Prokuroria ka dërguar dy kërkesa për informacion deri tani, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Me shkresë nr. 931/ 2 Prot, datë 30.08.2019, i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë, të komunikojë me autoritetet e drejtësisë së Republikës së Greqisë për të siguruar informacion dhe dokumentacion në lidhje me arrestime/ ndalime: masa sigurisë personale, vendim dënimi penal: vendime dëbimi, në emër të shtetasit Agim Kajmaku alias Jorgo Toto. Kjo kërkesë është përcjellë nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Drejtësisë e Greqisë më datë 4.09.2019”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë shqiptare. Ndërkohë, dy javë më vonë, Prokuroria, pasi nuk ka marrë përgjigje, ka nisur një tjetër kërkesë për informacion. Por ende edhe sot përgjigjja nuk ka ardhur./PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura