Nis kontrolli për kasat, 600 grupe hetimi në dyert e biznesit

Sep 1, 2015 | 8:05
SHPËRNDAJE

Qeveria nis sot zyrtarisht aksionin kundër informalitetit dhe pritet që 600 grupe pune të trokasin në dyert e biznesit për kontroll. Të parat që pritet të kalojnë në sitë janë bizneset që janë evidentuar në shkelje gjatë periudhës së kryerjes së sondazhit. Ky i fundit nxori edhe të dhënat e frikshme mbi informalitetin vetëm dy javë më parë.

Kryeministri Edi Rama ne mbledhjen e Keshillit Ekonomik Kombetar
Kryeministri Edi Rama ne mbledhjen e Keshillit Ekonomik Kombetar

Fokusi i 300 ditëve të treta të qeverisjes do të jetë pikërisht lufta kundër informalitetit dhe këtë e deklaroi dje kreu i qeverisë Edi Rama. Por si do të zhvillohet ky aksion?

KONTROLLET
Është konfirmuar se 600 grupe pune do të zbresin në terren për të kontrolluar nga afër bizneset lidhur me ligjshmërinë e zhvillimit të aktivitetit të tyre. Kështu, çdo grup do të përfshijë të paktën një inspektor tatimor, një doganor, një nga Inspektorati i Punës dhe një nga Hetimi Tatimor.

Në mbështetje të çdo aksioni do të jetë edhe Policia e Shtetit. Krerët e dy institucioneve, Tatimeve dhe Policisë së Shtetit, tashmë kanë përcaktuar dhe kanë rënë dakord mbi gatishmërinë lidhur me këtë aksion të ri.

Kryeministri Edi Rama
Kryeministri Edi Rama

Nisur nga rezultatet e sondazhit rezultonte se një pjesë e mirë e bizneseve nuk janë të regjistruara e për rrjedhojë nuk kanë NIPT, pikërisht kjo do të jetë edhe pjesa e parë e kontrollit.

Pas kësaj bizneset do të kontrollohen lidhur me funksionimin e kasës fiskale. Pika e tretë e kontrollit do të jetë numri i të punësuarve dhe përputhshmëria e pagesës së detyrimeve për sigurimet shoqërore.

Vetëm pak kohë më parë qeveria bëri një amnisti për këtë pjesë, duke kërkuar nga biznesi që të merrte të gjitha masat për shlyerjen e detyrimeve, duke hequr gjobat. Kjo në mënyrë që nisja e aksionit të mos prekte ata që donin të ishin të rregullt për sa i përket pagesës së sigurimeve për punonjësit.

Pika e katërt e kontrollit është ajo e bilancit që disponon biznesi dhe që ka detyrimin ta dorëzojë. Në rast se për njërën nga pikat haset në shkelje apo paligjshmëri, atëherë masat për bizneset do të jenë drastike.

MASAT
Me një llogari të thjeshtë rezulton që të paktën 2400 punonjës tatimorë, doganorë apo dhe të institucioneve të tjera që do të bashkëpunojnë do të jenë në terren në aksionin e radhës. Kjo për të garantuar që bizneset e paregjistruara apo që manipulojnë përmes moslëshimit të kuponit tatimor të ndëshkohen. Paraprakisht është bërë e qartë që bizneset që konstatohen pa NIPT, do t’u sekuestrohet malli, ato që nuk kanë kasë fiskale gjithashtu, kurse për moslëshimin e kuponit tatimor do të aplikohen gjoba sipas përcaktimit ligjor. E njëjta gjë vlen edhe për ata që konstatohen se kanë punonjës të paregjistruar.

RAMA
Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Këshillit Ekonomik Kombëtar dje vuri theksin pikërisht tek aksioni që do të ndërmarrë qeveria kundër informalitetit. Sipas tij, ky është një detyrim që qeveria ka ndaj biznesit të ndershëm që paguan taksat. Nga ana tjetër, ai theksoi se kjo nuk duhet të merret si luftë ndaj biznesit dhe për këtë çdo qytetar që konstaton një situatë të tillë duhet ta denoncojë.

“Ne nuk e ndërmarrim këtë betejë thjesht dhe vetëm në funksion të domosdoshmërisë që shteti të ketë më shumë mundësi financiare për të investuar, për të ulur taksat, për të rritur rrogat dhe pensionet, por e ndërmarrim këtë betejë edhe sepse të paguash taksat dhe të bësh të mundur që secili të paguajë atë që i takon, është një çështje madhore e civilizimit demokratik. Ajo që jam munduar të theksoj qysh në fillim, së bashku me të gjithë kolegët e tjerë, dhe dua ta nënvizoj dhe këtu si tepër të rëndësishme është që kjo nuk është, dhe ne do të bëjmë çmos që të mos marrë në asnjë rast formën e një lufte kundër biznesit, por është një betejë krah për krah me çdo konsumator familjar dhe me çdo biznes të ndershëm që paguan detyrimet në këtë vend e që cenohet përditë nga konkurrenca e pandershme”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura