Nis Festivali Folklorik, në garë 1500 artistë, aktiviteti deri më datë 16 maj në Gjirokastër

May 11, 2015 | 17:57
SHPËRNDAJE

Në një skenë të re, ngritur sërishmi për këtë rast, Gjirokastra dje u dha mirëseardhjen 1500 artistëve nga Shqipëria e diaspora. Pas muajsh përgatitjesh, nisi dje në qytetin e gurtë Festivali Folklorik i Gjirokastrës.

Nga ceremonia e hapjes së Festivalit të Gjirokastrës

Hapjen e këtij aktiviteti mbarëshqiptar e përshëndeti Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi folklorin si një pasuri të çmuar të vendit tonë.

“Qytetarë të një bote që ecën përditë e më shpejt, ndoshta edhe me një nxitim të madh, por të një bote që bëhet gjithashtu përditë e më e ndërgjegjshme për rëndësinë dhe vlerat e pamohueshme të trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit. Vlerat identitare të folklorit, roli i tij në historinë e kombeve, por edhe në bashkëkohësinë tonë, ekzistenca e tij si një kulturë e gjallë, me fuqinë e traditës, por edhe me brishtësinë e tejskajshme të trajtave të veta, i kanë shtyrë institucionet mbarëbotërore të përkujdesen me përkushtim të veçantë. Butrinti, Gjirokastra dhe Berati janë pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s përmes historisë dhe arkitekturës së tyre unike, ndërsa isopolifonia jonë e mrekullueshme është përzgjedhur njëzëri si një ndër 50 trajtat më tërheqëse jomateriale në trashëgiminë shpirtërore të popujve të botës. E kush nuk u mrekullua nga një polifoni labe apo gjirokastrite, kush nuk u drithërua nga ‘Janinës ç’i panë sytë’ dhe nuk u magjeps nga harmonia tronditëse e këngës ‘Te Rrapi në Mashkullorë’?! Performanca e mistershme e grupeve tona polifonike është e denjë për çdo skenë botërore”, tha ndër të tjera Kryeministri Rama, pa harruar të vlerësojë traditën e jashtëzakonshme të të gjitha trevave të Shqipërisë.

Nën titullin “Argjiro Fest_ON 2015”, Festivali i Gjirokastrës synon këtë vit të jetë një spektakël gjithëpërfshirës, ku qyteti do të jetojë për 24 orë një festë me muzikë folklorike, kostume, panaire, zeje tradicionale, ekspozita, projeksione filmash etj. Përveç bartësve të traditës nga 12 qarqet e Shqipërisë, të cilët do të jenë në garë për trofeun e festivalit, do të përshëndesin aktivitetin grupe të ftuara nga arbëreshët e Italisë, shqiptarët e SHBA, Zvicrës, Turqisë me rreth 100 artistë.

Pjesë e këtij aktiviteti do të bëhen edhe artistë shqiptarë me famë ndërkombëtare, si: Eda Zari, Olen Çezari, Rona Nishliu, Fanfara Tirana, Vikena Kamenica&Keli Band, Robert Bisha&Albanian Polyphonic Choir, grupi polifonik “Inoro” dhe sazet e Janinës, DIVANHANA-Bosnjë Hercegovina etj.

Me performancat e tyre ata do të mbajnë zgjuar Gjirokastrën përgjatë një jave. Gjatë ditëve të festivalit, garën e madhe do ta shoqërojnë edhe ekspozita e atelie; art në rrugë dhe projeksione filmash; spektakle të hapura me Cirkun, Qendrën Kulturore të Fëmijëve, Banda e ushtrisë, DJ etj.

Gjithashtu janë parashikuar të organizohen edhe 5 panaire mbi artizanatin, librat, kulinarinë, bujqësinë, turizmin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura