Nis aplikimi për tarifat e energjisë, ja bizneset që do paguajnë më shumë! OSHEE aplikon për shtrenjtim të çmimit të shpërndarjes në të tria tensionet

Nov 20, 2021 | 15:23
SHPËRNDAJE

Bizneset do të paguajnë më shumë për energjinë elektrike nga 1 janari 2022. Kriza e lajmëruar që muaj më parë, tani do të kushtojë edhe para.

energjiaelektrike

OSHEE dhe OST kanë aplikuar në ERE për çmime më të larta të energjisë, duke kaluar kështu barrën e krizës te biznesi i madh. Kush ka lidhje tensioni, 35kv, 20kv dhe 0.4 kv, do të paguajë më shtrenjtë energjinë.

OSHEE nuk ka paraqitur kërkesë për shtrenjtimin e energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël që lidhet me tensionin e ulët. Familjarët pritet të paguajnë sërish 9.5 lekë/ kwh për energjisë.

Por si çdo kosto shtesë, edhe shtrenjtimi i tarifave të energjisë për biznesin e madh dhe të mesëm, do të pasohet me çmime më të larta dhe në fund kostot do paguhen nga konsumatori. Pse qeveria zgjodhi këtë rrugë për energjinë? Sepse politikisht mbrojti familjet, duke mos i rritur direkt çmimin e energjisë, dhe, nga ana tjetër, rritja e çmimeve sjell më shumë të ardhura në buxhet.

Në fund, këto të ardhura i paguajnë sërish konsumatorët, por të kënaqur që çmimi i dritave në shtëpi nuk i është rritur.

SA DO RRITEN TARIFAT

Tarifa e shpërndarjes për bizneset e lidhur në tension 35 kv është sot 1.5 lekë. Ajo pritet të rritet frikshëm në 2,61 lekë, nëse ERRE miraton kërkesën e OSHEE. Kjo e fundit ka kërkuar që të rritet nga 3.9 lekë/kwh në 3.99 lekë edhe tarifat e shpërndarjes për bizneset e lidhura në tensionin 20 kv. Rritje do të ketë edhe për tarifën e tensionit 0.4 kw, e cila pritet të shkojë në 6.63 lekë.

APLIKIM PËR RRITJE ÇMIMI EDHE NGA OST

Operatori i Sistemit të Transmetimit, që aktualisht ka një tarifë prej 0.75 lekësh për çdo kilovat të transmetuar, ashtu sikurse ka ndodhur këto vitet e fundit, ka kërkuar rishikim të tarifës. “Rritja e tarifës së transmetimin nga 0.75 lekë/kwh që është gjatë vitit 2021 në 1.27 lekë/kwh duke filluar nga viti 2022, reflekton një rritje prej 3,8 miliardë lekësh në të ardhurat nga transmetimi ose rreth 50%.

Duke mbajtur një tarifë mesatare 3-vjeçare prej 1,27 lekë/kwh, të ardhurat nga transmetimi për vitin 2023 dhe 2024 nuk do të kenë rritje për efekt të tarifës gjatë këtyre viteve”, thuhet në aplikimin e OST.

tarifateenergjise

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura