Nipi i Mehmet Shehut rrëfen natën e 18 dhjetorit në vilë me Kryeministrin e vdekur: Ç’na treguan djemtë dhe Fiqireti

Jun 30, 2020 | 21:39
SHPËRNDAJE

mehmeti enveri

DASHNOR KALOÇI / Publikohet historia e panjohur e familjes së ish-Kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, që nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë, kur pas kthimit të tij nga internimi në Francë, ai dhe e gjithë familja e tij u lidhën me Lëvizjen Antifashiste, duke qëndruar maleve deri në mbarimin e luftës.

Ngjarja e llahtarshme e vitit 1944, kur vëllai i Mehmetit, Arshiu, për të mos u zbuluar nga forcat gjermane që po kalonin aty afër me një autokolonë, hodhi në greminë vajzën e tij gjashtëmuajshe që qante pa pushim. Kujtim Shehu, nipi i ish-Kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu rrëfen të gjithë historinë e panjohur të familjes së xhaxhait të tij dhe marrëdhëniet që ata kishin me Enver Hoxhën.mehmet-shehu-me-familjen-

Një nga dëshmitë më të bujshme dhe të rralla, që djali i vëllait të ish-Kryeministrit më jetëgjatë të regjimit komunist të Enver Hoxhës i bën publike për herë të parë, është ajo që ngjau në vilën e familjes Shehu dhe rrotull saj, nga mbrëmja e 18 dhjetorit 1981 e deri të nesërmen që u krye varrimi i Mehmetit, në varrezat publike të Sharrës.

Nga përshkrimi i të gjitha atyre momenteve të ndodhura minutë pas minute aty në vilën ku ndodhej trupi i pajetë i ish-Kryeministrit, nipi i tij, Kujtim Shehu, hedh dritë e zbardh shumë nga enigmat e misteret që e kanë mbuluar atë ngjarje të pazakontë të ndodhur atë natë të largët dimri në “Bllokun” ku jetonin krerët më të lartë të udhëheqjes komuniste të shtetit shqiptar.

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu
Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu

Zoti Kujtim, çfarë vutë re kur shkuat aty, si ishte situata rreth “Bllokut” të udhëheqjes?

Para se të afroheshim te hyrja kryesore e Bllokut, unë i thashë babait se ishin duke na ndjekur nga pas disa njerëz të Sigurimit të Shtetit, të cilët na ishin qepur nga prapa që nga shtëpia e motrës sonë, te “21 Dhjetori”. Por Arshiu, i cili ishte bërë vrer, m’u përgjigj duke më thënë se ata kishin punën e tyre. Pasi iu prezantuam se kush ishim, nga postblloku te hyrja e Komitetit Qendror e deri te hyrja kryesore e vilës së Mehmetit, ne na shoqëruan përsëri disa njerëz të Sigurimit dhe situata aty ishte tepër mbytëse.

Njerëzit e Sigurimit që ju shoqëruan për aty ishin ata të grupit të shoqërimit dhe shërbimit që kishte pasur Mehmeti, apo të tjerë?

Ata që na shoqëruan për te hyrja kryesore e vilës ishin fytyra krejt të panjohura për ne dhe gjatë gjithë kohës që ishim aty, nuk pamë asnjë nga oficerët e grupit të shoqërimit apo të shërbimit që kishte pasur Mehmeti deri në atë kohë.duro-shehu-dhe-mehmet-shehu

Po Ali Çeno, a ndodhej aty?

As Aliu nuk ndodhej aty.

Kush ju priti kur u futët brenda në vilë?

Sapo u futëm te dera kryesore e vilës së Mehmetit, na dolën përpara Vladimiri me Bashkimin, të cilët pasi na përqafuan, na shoqëruan për në katin e dytë, ku ndodheshin edhe njerëzit e tjerë.

Cilët njerëz gjetët në ato momente aty brenda në vilën e familjes Shehu?

Pas Ladit dhe Bashkimit që na pritën në hyrje të shtëpisë, ne më pas u takuam me Fiqreten, e cila së bashku me dy djemtë na shoqëroi për në dhomën ku gjendej trupi i pajetë i Mehmetit. Në atë dhomë, unë me babanë u takuam edhe me dy xhaxhallarët e njëkohësisht vëllezërit e Mehmetit, Duron dhe Nexhipin. Po ashtu, aty në atë dhomë ishin dhe bashkëshortja e Vladimirit, Fatbardha, bashkëshortja e Bashkimit, Marjeta, me gjithë babanë e saj Lefterin, si dhe gruaja e xhaxhait, Duros, Afërdita. Nga familja e Mehmetit aty mungonte vetëm Skënderi, i cili ndodhej me studime në Suedi.mehmet_shehu-780x439

Nuk kishte të afërm të tjerë aty në shtëpi?

Përveç këtyre që përmenda, nuk kishte asnjë njeri tjetër.

Po nga personeli i shërbimit, a kishte njeri aty?

Nga personeli i shërbimit të familjes Shehu, aty brenda ndodhej vetëm njëri nga mjekët, Miltua.

Po trupin e Mehmetit ku e kishin vënë?

Trupi i pajetë i Mehmetit i veshur me kostum ndodhej aty në dhomën ku ishim të gjithë ne dhe ai ishte vënë mbi një nga divanet që gjendej aty. Trupi i tij ishte në një pozicion disi jo të zakontë, duke e pasur dorën e majtë me gishtin e madh pak të mbledhur dhe të mbështetur mbi bark dhe dorën e djathtë të hapur dhe pak më poshtë së majtës.

Si e shpjegoni atë gjë?

Ndoshta trupi tij ishte vënë në atë pozicion për të treguar se ai ishte vetëvrarë.

Çfarë bisedash bënit me njëri-tjetrin gjatë asaj kohe që qëndruat aty në atë dhomë?

Aty bisedat ishin fare të pakta, për të mos thënë që nuk flitej fare. Të gjithë ishim të pikëlluar dhe të vetmet biseda që bëheshin në mes vëllezërve të Mehmetit dhe ne të tjerëve që ndodheshim aty, ishte ajo se si e bëri Mehmeti atë punë, duke vrarë veten?!

A i pyetët ju dy djemtë, Ladin me Bashkimin, apo Fiqretin se si kishte ndodhur ngjarja?

Që në momentet e para kur hymë brenda, unë e pyeta Vladimirin se si kishte ndodhur puna dhe a kishin dëgjuar krisma.

Çfarë ju tha Ladi?

Ladi na tregoi se deri nga ora 01:00 e natës, ata e kishin përgjuar Mehmetin dhe pas asaj ore kishin rënë për të fjetur dhe nuk kishin dëgjuar asnjë krismë. Unë e pyeta përsëri Ladin, duke i thënë se si ishte e mundur që nuk e kishin dëgjuar zhurmën e pistoletës, por ai m’u përgjigj, duke më thënë: “Ishim shumë të lodhur dhe nuk kemi dëgjuar gjë”.

A erdhi njeri tjetër gjatë natës aty në vilën e Mehmetit dhe sa kohë qëndruat ju aty?

Gjatë gjithë natës së 18 dhjetorit dhe deri sa u gdhi në mëngjesin e 19 dhjetorit, aty nuk erdhi asnjë njeri tjetër. Ndërsa nga ne që ishim aty, vetëm Durua iku nga ora 12 e natës dhe aty mbeti bashkëshortja e tij, Afërdita, e cila kujdesej për Fiqretin dhe nusen e Vladimirit, Bardhën, e cila ishte shtatzënë dhe priste me minutë për të lindur. Po kështu edhe Ladi, largohej herë pas here nga dhoma ku ishim e kujdesej për Bardhën. Të gjithë ne të tjerët që ishim aty e gdhimë duke pirë cigare në holl dhe duke qëndruar aty në dhomë, në më të shumtën e kohës pa folur fare.

A u kthye më Durua aty te ju?

Jo, ai nuk erdhi më aty, sepse nuk e lejoi Kadri Hazbiu të vinte. Atë gjë ne e kemi mësuar jo atë natë, por më vonë.

A patët ndonjë shenjë nga pjesëtarët e familjes se mos bisedat përgjoheshin, sepse nga dëshmi të ndryshme, është thënë se kohët e fundit, Mehmeti me Fiqreten e fëmijët, kur kishin ndonjë gjë me rëndësi për të biseduar, dilnin në lulishte, sepse e dinin që bisedat e tyre përgjoheshin?

Shenja për të mos biseduar ne nuk patëm nga asnjeri, por ndoshta gjithsecili nga ne që ishim aty dhe që kishim pasur informacion se si ishin zhvilluar ngjarjet deri në atë kohë, e mendonte atë gjë në vetvete dhe ndoshta për atë fakt, bisedat tona ishin të pakta.

Po telefonata, a patët atë natë?

Vetëm motra ime Shqiponja mori dy herë në telefon dhe duke qarë kërkoi që të vinte aty, por Ladi i tha që më mirë të mos vinte dhe ajo nuk erdhi.

Po njeri tjetër jo i familjes, a ju telefonoi atë natë?

Asnjë telefonatë tjetër nuk u bë më, sepse pas orës 12 të natës, telefonat e familjes u ndërprenë dhe nuk punuan më.

Po nga njerëzit e personelit, a erdhi njeri tjetër gjatë natës në vilë?

Me përjashtim të mjekut të familjes, Miltos, i cili u kujdes gjithë natën për babanë tim, Arshiun, duke i bërë qetësues, atë natë nuk erdhi asnjë njeri tjetër aty. Ajo natë ishte shumë e lodhshme për ne dhe jashtë vazhdimisht binte një shi që nuk pushoi as të nesërmen.

Po nga vilat e tjera që dukeshin nga ajo e Mehmetit, a kishte drita të ndezura natën?

Nga ai pozicion ku gjendej dhoma që ishim ne, nuk dukej asgjë. Nga aty nuk mund të shikohej asnjë nga vilat e tjera.

Po në mëngjesin e 19 dhjetorit, a erdhi njeri aty në vilë dhe si rrodhën ngjarjet gjatë asaj dite?

Aty nga ora 8:00 e asaj dite, Ladi me gjithë gruan e Duros, Afërditën, dolën nga shtëpia dhe shkuan në lagje për të nxjerrë lejen e varrimit. Ata u kthyen në vilë aty nga ora 10:00 dhe na treguan se iu kishin nxjerrë shumë pengesa dhe mezi ua kishin dhënë lejen e varrimit. Ata na treguan gjithashtu, se rreth e rreth vilës kishte shumë ushtarë dhe oficerë të armatosur, deri me mitraloza të lehtë.

Me kë komunikoi Ladi dhe përse shkoi ai për të nxjerrë lejen e varrimit, a nuk erdhën njerëzit e personelit të shërbimit që të merreshin me ato punë?

Edhe të nesërmen, aty nuk erdhi asnjë nga njerëzit e personelit të shërbimit dhe gjatë gjithë natës, kafet i bënin vetë gratë. Aty mungonte edhe personeli i kuzhinës dhe nuk kishte asnjë lloj furnizimi me ushqime. Kështu që, Ladi me gruan e Duros kishin blerë bukë me djathë në një dyqan aty afër dhe na i sollën neve për të ngrënë. Unë nuk e di se me kë komunikoi Ladi që shkoi për të nxjerrë lejen e varrimit, por ndoshta atë gjë ia kishin komunikuar me telefon ata që ishin caktuar për atë punë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura