Nipi i Hysni Kapos i arrestuar në Vjenë, ‘parashikoi’ që Feçorr Shehu do ishte…agjent i UDB-së

Sep 4, 2017 | 8:16
SHPËRNDAJE

Jo vetëm ngjarja e largët e vitit 1987, e cila ka qenë e mbuluar me mister për vite me radhë, por dhe vetë biografia e Vullnet Thanasit, pothuajse është krejtësisht e panjohur. Nga pak kërkime dhe investigime që kemi mundur të bëjmë, kryesisht tek ishkolegët e tij, rezulton se Vullnet Thanasi ishte nipi i Hysni Kapos (djali i motrës) dhe kishte lindur në fshatin Tragjas të Vlorës, prej nga ishte dhe origjina e babait të tij.

Feçorr Shehu në gjyq
Feçorr Shehu në gjyq

Ai, pasi studioi dhe u diplomua në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë (Sauk), në mesin e viteve ’60 (dega Sigurim), për disa vjet me radhë shërbeu si oficer i Sigurimit të Shtetit dhe në vitin 1969-’70 kreu dhe një kurs kualifikimi për “oficer zbulues”, po në Sauk.

Karriera e tij në ato organe vazhdoi deri nga fundi i viteve ’70, kohë në të cilën thuhet se ai pati një përplasje, apo më saktë një konflikt me eprorin e tij, Feçorr Shehu, dhe si rezultat, ai u detyrua që të bënte një letër në adresë të Enver Hoxhës, ku, në mes të tjerash, thuhet se e akuzonte Feçorr Shehun (asokohe drejtori i Sigurimit të Shtetit dhe zv.ministër i Punëve të Brendshme), edhe si agjent të UDB-së.

Gjë e cila, si duket, solli edhe shkarkimin e tij nga detyra e oficerit të Sigurimit, dhe dërgimin e tij si punonjës kartoteke në disa kampe burgje (institucione të riedukimit të veprave penale), si Bulqizë etj. Kjo “masë e lehtë” ndaj tij, thuhet se u ndërmor edhe për faktin se ai ishte nipi i Hysni Kapos.

Dhe në atë pozicion pune Thanasi e ushtroi detyrën e tij deri nga viti 1982, kohë në të cilën u arrestua Feçorr Shehu me akuzën si “armik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut”. Pas kësaj ngjarjeje “fatlume” për Vullnetin, pasi i doli “profecia” e tij, sepse Feçorr Shehu u akuzua vërtet si “agjent” i UDB-së, Thanasi u rehabilitua dhe u dërgua me shërbim si “diplomat” në Ambasadën shqiptare në Pragë.

(Në emërimin e tij, ndikoi edhe kursi njëvjeçar si “oficer zbulimi” që Vullnet Thanasi kishte kryer në Sauk të Tiranës në vitin 1969-’70). Në atë pozicion pune, Vullneti shërbeu deri në fundin e gushtit të vitit 1987, kur i ndodhi ngjarja me “kontrabandën e cigareve”, për të cilën bën fjalë dhe dokumenti arkivor, që publikohet për herë të parë në gazetën “Panorama”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura