“Nipi i Gjinushit i implikuar në vrasjen e Azem Hajdarit, e ekzekutuan në Itali”

Mar 24, 2017 | 13:37
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Berisha, ne nje interviste per Berat Buzhalen te “Express” tregon se si i perjetoi kercenimet e Zani Çaushit gjate vitit te mbrapshte.

Berisha1Keshtu, Berisha thote se ai nuk u tremb nga thirrjet e Zani Çaushit per te vrare Berishen. Me poshte pjese e intervistes.

INTERVISTA

BERAT BUZHALA: Raporti me Rugovën zoti Berisha…Kur e keni takuar për herë të parë Presidentin Rugova?

SALI BERISHA: Presidentin Ibrahim Rugova e kam takuar për herë të parë më datë 21 shkurt të vitit 1991 në vizitën e tij të parë si kryetar i LDK në Shqipëri. I takoi edhe të tjerët. E kam njohur më parë edhe si studiues me një përshtypje shumë pozitive. Unë kam qenë për Bashkim Kombëtar, unë isha rritur me idenë absolute se Kosova është provincë e Shqipërisë. Ishte ideali im në atë kohë. Pas takimit me Rugovën dhe shumë intelektualë unë konstatova se ideja e pavarësisë, e republikës ishte një ide reale, dhe jo fiktive. Në atë vizitë e pyet Azem Hajdari Rugovën: Çfarë mendoni për Bashkimin kombëtar?

Rugova i thotë: Ne të fitojmë këto, pastaj një hap i dytë. Mirëpo këtë tezë Rugova e mbante vazhdimisht: Njëherë kjo, pastaj më vonë si të rridhnin gjërat. U binda se elita e Prishtinës ishte për pavarësinë e Kosovës dhe Republikën e Kosovës. E respektova atë qëndrim në mënyrën më të prerë dhe fillova ta mbështes dhe të bëj gjithçka që Rugova të pritet sa më lart në arenën ndërkombëtare. I pari që e priti ishte Mitsotakis si kryeministër i huaj. Në një takim që pata me të i thash: Pse takon Millosheviçin? Sepse ai kishte një farë simpatie për Millosheviçin. I thash më thuaj kë do takosh ti për 2 milionë shqiptarë. Pse nuk takon ti një njeri paqësor si Rugova? Jo këtu ke të drejtë më tha dhe e priti në Selanik. Në atë periudhë në Evropë kishte një tendencë shumë të ngurtë që çështja e Kosovës të trajtohej si çështje e të drejtave të njeriut. Një arritje shumë e madhe ishte në Samitin e Helsinkit, ku ne arritëm të shkëpusim Kosovën nga Serbia. Dhe futet për herë të parë në Samit një paragraf në të cilin thuhej që çështja e Kosovës duhej të zgjidhje me dialog midis Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësim të palës së tretë. Që nga ai moment e mbrapa, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare kishin dritën jeshile, donte s’donte Beogradi, të vinin në Kosovë dhe të takonin autoritetet e Kosovës, vetëm po t’i ndalonte ushtarakisht, po nuk shkonte deri aty. U përpoqën shumë rusët ta bllokojnë, amerikanët na mbështetën megjithëse me hezitim fillimisht.

BERAT BUZHALA: A keni pasur problem me zotin Rugova dikur, çështja e protestave…

SALI BERISHA: Nuk kam pasur problem që shqiptarët të marrin pjesë në zgjedhjet e serbëve. Kurrë, përkundrazi. Një herë më kanë kërkuar dhe e kam kundërshtuar dhe ata të cilëve unë e kundërshtova më dhanë të drejtë. Sepse më erdhën në ’92-shin Lordi Olluen edhe Sajrus Vens dhe thanë ne kemi ardhur direkt që ti të bindësh Rugovën të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë. Dhe unë u them: Të nderuar zotëri kjo është një kërkesë që nuk shkon. Pse nuk shkon? – më thanë. E para ta supozojmë se unë i them Rugovës dhe Rugova do të pranojë, por nuk i dalin qytetarët kosovarë në zgjedhje. Ju do humbisni të vetmin intelekutor që keni.

A ja vlen që të rrezikojë komiteti ndërkombëtar për këtë punë? Pastaj nga ana tjetër unë nuk ja them, por ju kërkoj juve: Shkoni takojeni në Prishtinë. Pranojnë. Pas dy javësh shkoj në Beograd, i them Paniçit, i cili thotë: “Po, do vi me ju”. Nisemi të tre. Millosheviçi organizon pritën Paniçit, i nxjerr serbë diku pak para se të hysh në Prishtinë, ja bllokon rrugën, të gatshëm ta rrihnin, mezi e shpëtuan rojet. Paniçi i thotë këtyre, shkoni ju takoni Rugovën se sa të mbaroj punë unë me këta serbët e mi po vi. Ai mezi doli i gjallë prej tyre. Këta e takuan Rugovën, kanë dalë shumë të kënaqur nga takimi. U bindën në këshillën time të sinqertë që u kisha dhënë. Por çfarë ndodhi? Në vitin ’96, u bënë zgjedhjet të kryetarit të Beogradit dhe Millosheviçi nuk i pranonte zgjedhjet. Dhe Beogradi doli në protesta, por jo për të marrë pjesë Kosova, por për mandatin e Zoran Djindicit. Unë isha i mendimit që edhe Prishtina duhej të dilte në protesta kundër Millosheviçit, jo për mandatin e Djindicit, por protesta në të gjitha anët për t’ja djegur tokën në këmbë diktatorit, ta dobësoja edhe më shumë.

BERAT BUZHALA: A jeni frikësuar në atë kohë kur u larguar nga pushteti në ’97. Zani Caushi bëri thirrje edhe për vrasjen tuaj…

SALI BERISHA: Jo nuk kam pasur frikë. Kur njeriu merr një vendim i qëndron vendimit.

BERAT BUZHALA A besonit që do të riktheheshit?

SALI BERISHA: Situatë e vështire ka qenë. Himni ynë nga një fjali: “Nga lufta vetëm ai largohet”. Pas lutjes tek Zoti nuk ka thirrje më të shenjtë se ajo. Nëse njeriu e shkruan në ballë atë, e lexon çdo ditë, ai nuk mund të tërhiqet. Unë vazhdoja betejën time, nuk kisha asnjë lloj impresioni.

BERAT BUZHALA: Ai ishit të përfshirë në tentim puçin e ’98-ës pas vrasjes së Azem Hajdarit?

SALI BERISHA: Absolutisht e kundërta. Azem Hajdarin e ekzekutuan majorë Fatmir Haklaj, ish-drejtor i komisariat të Tropojës, kapiten Jaho Salihi ish shef i krimeve të Policisë së Tropojës, nipi i Skënder Gjinushit edhe ai në funksione, e kanë vrarë në Itali, Ismet Haxhia, Izet Haxhia, që të gjitha këta, e ekzekutuan para selisë së PD-së.

BERAT BUZHALA: Sa i afërt keni qene me zotin Hajdari?

SALI BERISHA: Shumë i afërt. Që nga dita e parë, takimi i parë tek studentët. Ka qenë në mënyrë absolute e vetmja kafshë politike që kam njohur në jetën time. Ka qenë një njeri i jashtëzakonshëm, kishte reflekse politike të pakrahasueshme me njeri. Kishte si cdo njeri tjetër rënie ngjitje, por ishte njeriu që cdo ditë do hynte në zyrën time dhe më thoshte “cfarë do tu bëjmë sot”. Ishte tribun.

BERAT BUZHALA: A ju ka mbështetur në atë kohë zoti Bujar Bukoshi, me njerëz..?

SALI BERISHA: Jo absolutisht. Ajo ishte një revoltë e përgjithshme. Nëse Partia Demokratike kishte krahun e vet militant, ai ishte krahu i Azem Hajdarit. Ata e kishin idhullin e tyre. Dhe këta njerëz nuk kishin kurrë ndërmend as ta sillnin këtu, por në mënyrë krejtësisht të pavarur, nuk e çuan arkivolin dhe kortezhin nga e kishin përcaktuar, e marrin dhe sjellin tek kryeministria. Kemi bërë gjithçka për t’i ndaluar, është Preç Zogaj, në atë kohë (mos gabohem) këshilltar i Rexhep Mejdanit. Rexhepin nuk e gjen. Dhe kam komunikuar me Rexhepin…

BERAT BUZHALA: Ishte pak komike zhdukja e Partisë Socialiste

SALI BERISHA: U zhdukën ja mbathën të gjithë si minj sepse ishin implikuar të gjithë në krimin e shëmtuar. Ne ishim të bëhej gjyqi, të bëhej procesi. Ata nuk i arrestuan njerëzit, i liruan. Ne i ndoqëm njerëzit në çdo postbllok se na informonim. Dhe çdo postbllok ata i kaluan lirshëm derisa shkuan në Tropojë. Dërguan njerëz këta dhe ata ja pohuan: “Po ne e kemi vrarë”, por ata nuk i arrestuan dhe bënë gjithçka që të mos i arrestojnë. As gjermanët, përveç serbëve, nuk ka bërë kush masakra në Tropojë sa kanë bërë këta, se futën një luftë vëllavrasjeje. Na thonin njerëzit ose duhet të bëjmë kryengritje dhe e marrim me kryengritje komisariatin sepse jemi më shumë..Sepse këta vrisnin, vrisnin në zyrë. Fatmir Haklaj vrau oficerin e policisë në zyrë, Shaqir Hoxhën.

BERAT BUZHALA: A është përgatitur atentat ndaj jush në atë kohë prej atij grupi?

SALI BERISHA: Jo prej këtij grupi s’mund të them. Këta qëlluan por…jo ndaj meje personalisht. Këta donin që unë mos të shkoja në Tropojë, por unë shkova. Këta menduan të më bllokonin rrugën por nuk e bënë dot, sepse unë shkova dhe mbajta miting. Ndaj meje nuk mund të them, por këta vranë Tropojën, vranë njerëz të pafajshëm që nuk kishin asnjë lidhje, përveçse kishin përkatësi të partisë Demokratike, studentë të dhjetorit, Naim Dizdari, Abdyl Matoshi…

BERAT BUZHALA: 97’-a ’98-a kanë qenë vite të trazirave…

SALI BERISHA: ’97-a ishte rebelim komunist.

BERAT BUZHALA: Si e keni parë në atë kohë takimin e famshëm të Fatos Nanos me Millosheviçin që me gjasa aty u varros reputacioni i së majtës në Kosovë. Pastaj bie në sy simbolika e ’97-ës kur u ngritën tre gishtat që janë simbol i serbëve. Këtë takim si e keni parë?

SALI BERISHA: Një gabim të madh. Dhe e kam thënë që në atë kohë, që Nano mund të takonte Millosheviçin vetëm nëse ja kërkonte udhëheqja politike në Kosovë. Dhe në asnjë mënyrë tjetër. Nuk mund të jepte asnjë lloj kredenciali Millosheviçit që ishte kasapi i Ballkanit

BERAT BUZHALA: E pse e bëri zoti Nano?

SALI BERISHA: Mbase i ndikoi Papandreu, sepse ishte një Samit aty, dhe ka shumë mundësi që grekët të kenë ndikuar, se kishin një pasion për Millosheviçin. Ndofta për të ndihmuar Milloshevicin, dhe Nano nuk e kuptoi këtë që bëhej për të ndihmuar Milloshevicin, e pranoi takimin. Kur ky doli nga takimi i thotë gazetarëve që “ishte njësoj sikur të bisedoja me Thanasin”, nga pikëpamja e indoktrinimit jo nga pikëpamja e afrimit.

BERAT BUZHALA: A ka blerë UÇK armë në atë kohë, apo ju kanë dhënë armë në atë kohë? Nëse e dqëgjon Pandeli Majkon dhe Fatos Klosin kanë kontradiktë të madhe rreth asaj se si u furnizua UCK-ja me armë

SALI BERISHA: Ne si PD jemi organizuar për tu dhënë armë pa lekë dhe kërkesa ime për të gjitha degët ka qenë që tu dorëzohen armë pa asnjë lekë. A mund të ketë marrë kush lekë, këtë nuk mund ta them. Por ky ka qenë qëllimi im i prerë. Seç ka bërë Fatos Klosi, i cili është një vrasës, ka vrarë Ahmet Krasniqit. Jo me dorën e  tij, e organizoi vrasjen, ishte një krim i shëmtuar. Ahmet Krasniqi ishte nën mbrojtjen, ombrellën e autoriteteve shqiptare. Çdo gjë që bënin, i kishin në dijeninë e tyre, nuk është se këta shkelnin rregullat. Qoftë Bukoshi qoftë Ahmeti bënin përpjekjet më të mëdha për pajtimin dhe unifikimin me krahun tjetër, ishin jashtëzakonisht të hapur, të vendosur, të gatshëm. Vrasjen e Ahmet Krasniqit, dhe uroj që Gjykata Speciale ta hetojë, autor është Shërbimi Informativ Shqiptar.

BERAT BUZHALA: A besoni se ka fakte, dëshmitarë që mund të flasin për këtë rast?

SALI BERISHA: Besoj se ka. Është Fatos Klosi. Vrasjet i ka organizuar direkt Fatos Klosi. Ai është bërë shef Shërbimi në një kohë kur ishte pedagog dhe ndiqej nga shërbimi ynë si bashkëpunëtor i shërbimeve të tjera. Është bërë shef shërbimi në kundërshtim me çdo lloj kriteri. Për llogari të kujt e bënte këtë Fatos Klosi nuk di të them, por di që ajo është vepër e tij.

BERAT BUZHALA: Kur erdhët në pushtet herën e dytë, erdhët më i rafinuar në kuptimin e komunikimit me mediat, filluat të bashkëpunonit më shumë. Madje Baton Haxhiut i dhatë edhe pasaportën…A filluat të ndryshonit pasi analizuat situatën?

SALI BERISHA: Eksperienca të mëson shumë.

BERAT BUZHALA: Çfarë patët prioritet kur erdhët kryeministër për të dytën herë, për çfarë u kthyet në pushtet?

SALI BERISHA: Shqipëri e zhvilluar. Së pari u përqendruam në shkatërrimin e bandave dhe grupeve kriminale që mbillnin tmerr në Shqipëri dhe Evropë. Në 18 muaj arrestuam njëri pas tjetrit dhe kemi shkatërruar 204 grupe dhe organizata kriminale me mbi 1 mijë anëtarë. Shqipëria vendosi treguesit ndër mesataren e Bashkimit Evropian, pra u bëmë një vend i sigurt. Së dyti, nga 18.300 km rrugë, kishte gjithsej 2400 rrugë të asfaltuara, që të gjitha të tjerat ishin të nivelit mesjetar siç kishin qenë të shtruara me kalldrëm, ose me zhavorr, ose me baltë. Edhe ajo e asfaltuara ishte e botës së tretë, të katërt. Shqipëria në rrafshin energjetik me gjenerator dhe pa drita të paktën një minimum mesatar me 8 orë në ditë. Shqipëria kishte penetrim në internet gjithsej 4/9 % një nga më të ulëtit në botë. Ndjekja e arsimit të mesëm në Shqipëri po zbriste në mënyrë katastrofale. Kjo ishte gjendja, një Shqipëri që po rrokullisej. Shqipëria e zhvilluar ishte qëllimi im madhor. Një gjë shumë e vështirë për tu realizuar, por ishte një objektiv që ja vlente të bëje çdo përpjekje për të. Filluam projektin e rrugëve. Në ato vite sipas Komisionit Evropian Shqipëria ndërtoi rrugë më shumë se gjithë Rajoni i marrë së bashku. Bëmë një përpjekje të madhe në rrafshin energjetik. Pamë rezervat tona ujore që kishte 30 vjet që nuk shfrytëzohej më një hidrocentral. Atëherë me një ligj shumë të veçantë që kaluam ja dolëm të ndezim në Shqipëri një ethe të fuqishme në ndërtimin e hidrocentraleve. Kur u dorëzua pushteti qeveria ime firmosi rreth 180 kontrata për ndërtimin e 423 HEC. U bë një punë e jashtëzakonshme me TAP-in. Pas Azerbajxhanit Shqipëria ka pasur rolin më thelbësor, dhe në fund të fundit, edhe pse një projekt që ç’është e vërteta fqinjët nuk e donin, u bë realitet dhe këtu kemi luajtur rolin tonë. Dhe unë konsideroj TAP-in një arritje shumë të madhe në rrafshin energjetik për Shqipërinë, Kosovën dhe Rajonin. Shqipëria në vitin 1992 ishte vendi i tretë më i varfër në botë me 204 dollarë për frymë. Në vitin 2005 renditej në grupin e vendeve të varfra. Në vitin 2008, kaloi nga grupi i vendeve të varfra, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Shqipëria mori një zhvillim, i rezistoi krizës, sigurisht që e ndjeu. Por nuk ra në asnjë moment në recesion, falë reformave të biznesit dhe sistemit fiskal.

Natyrisht qëllimi madhor ishte mbështetja e Kosovës. Në vitin 1992 një grup prej luftëtarëve të Kosovës që stërviteshin këtu, rreth 40 vetë vinë dhe kërkojnë takim me mua në Presidencë, dhe unë i takoj ata. Një bisedë e gjatë me ta, jo shumë entuziast në bisedën time se unë i bëja të qartë që ne nuk i shpallim luftë Jugosllavisë. Por prapë kishte prej tyre që mendonim se duhej shpallur luftë. Në fund, njëri prej tyre thotë: Më thuaj çfarë do bësh ti për Kosovën. I them: Ju siguroj një gjë që gjysmën e kohës sime do punoj për Shqipërinë gjysmën për Kosovën. Dhe me këtë u ndanë mirë me mua.

BERAT BUZHALA: Takimi me presidentin Bush. Çfarë keni diskutuar prapa dyerve?

SALI BERISHA: Ai është një mik i madh. Edhe i ati mik shumë i madh. E kam mi, ai vinte më vizitonte këtu, edhe unë kam qenë në shtëpinë e tij në Houston. Ai erdhi këtu si mik i madh dhe në atë takim ai më thotë “ti e njeh situatën, unë të besoj plotësisht, tani përcaktoje ti se kur duhet të shpallet pavarësia e Kosovës”. I them: President meqënëse ju e keni ndarë në mendjen tuaj, tani unë u them ju merrni kohën tuaj, sa ju duhet ju. Sepse unë po merrem me udhëheqjen e Kosovës, po diskutoj me ta dhe ju siguroj që ata këtë mesazh e vlerësojnë në mënyrë të jashtëzakonshme dhe bien dakord me këtë që po them unë. Sepse stafi i tij kujtuan se po u them dy javë. Por edhe nga të mitë imë thanë: Pse nuk i the dy javë. Ata u gëzuan shumë dhe më pas më thanë: Na shpëtove. Ka qenë në 10 qershor ky takim. Më tej i mori nja 6 muaj deri në shpalljen e pavarësisë. Bushi vinte në Shqipëri nga “G8-a”, ku u diskutua çështja e pavarësisë. Putin e kundërshtoi. Sarkozi për të dalë si në mes, tha: “Të shtyhet ky problem”, pa u konsultuar me asnjëri. Bushi i thotë: Nëse pas 4 muajsh Vladimiri nuk pranon, çfarë do thuash ti? Ai përtypet. Pastaj ky e pyet prapë dhe ai thotë “Po”! Pra ishte krijuar një tension.

Unë nuk doja që Kosova të bëhej një mollë sherri midis fuqive evropiane dhe SHBA-ve, sepse e paguan çmimin në një mënyrë apo tjetër, doja të shkonte me një ujdi.

Nuk kam pasur moment më të rëndësishëm në karrierën politike.

BERAT BUZHALA: Ku është Shqipëria sot zoti Berisha, ish kryeministër dhe ish president. Opozita po paralajmëron se nuk merr pjesë në zgjedhje nëse nuk krijohet qeveri teknike. Zoti Rama ka paralajmëruar zgjedhje me çdo kusht në qershor…

SALI BERISHA: Shqipëria ka një të sëmurë psikik, një paranojak që i thoshte gazetares që kjo që kërkon opozita për qeveri teknike është sikur të kërkohet largimi i Merkel, se edhe ajo ka zgjedhjet në shtator. Sepse sipas tij gjermania u sundoka nga bandat si Shqipëria dhe është e mbushur nga kanabisi si Shqipëria. Një njeri i cili shpall në një realitet që nuk ekziston. Opozita në Shqipëri sot si në asnjë vend tjetër në botë ka përpara një mal droge dhe eurosh droge. Shqipëria u mbush me drogë nga qeveria. Kishte drogë në Lazarat dhe nuk e mohoj kurrë. Por sa ka qenë droga që ka shkuar në vitin 2010 në Itali nga Lazarti? 65 kg, le të marrin statistikën italiane. Vetëm në një javë, sasia e eksportuar nga Shqipëria në Itali ka qenë më e madhe se në 8 vite. Nëse ti e vë opozitën para një mali droge dhe i thua hajde bëjmë garë, çfarë gare bën ti?

Ato bandat që thamë që i arrestuam në 2005 -2006 që të gjitha po i liron Edi Rama, me axhendë elektorale. Lul Berisha i thotë atij: “Durrësin po ta marr unë përsipër”.  Efekti i vrasësve serialë në zgjedhje është i jashtëzakonshëm. Po të jap shembull. Në vitin 2003 në mes të Tiranës garoi Edi Rama dhe Spartak Ngjela. Në darkë, mbas zgjedhjeve, 143 kuti nga Qendrat e Votimit nuk vinin në Komisionin e Zgjedhjeve. Ku ishin? Ja kishin dorëzuar që të gjitha bandës së Edi Ramës me serial killer, i cili i kishte thënë komisionerëve që: “Guxuat dhe treguat ju do lini kokën”. Dhe ne e morëm vesh më vonë nga familjarët. Dhe komisionerët jo vetëm që dorëzuan kutitë e votimit por nuk na thanë, dhe ne thonim ku janë kutitë. Në fund ambasadori amerikan James Jeffrey i thotë: Ti fitove me vrasës serial. Edi Rma llogarit që zgjedhjet t’i fitojë me banda dhe vrasës serialë

BERAT BUZHALA: Si do të tejkalohet kjo situatë?

SALI BERISHA: Edi Rama ka paranojën dhe shëmbëlltyrën atërore të pushtetit. Kanë bërë formularët, çdo rrogëtar i këtij shteti quhet tani patronazhist dhe shkruan formulari: Kolona e parë: Familja – Do sjellësh numrin e celularit, të kartës së identitetit, banorët qe kë komshi që ke miqësi dhe që do votojnë për ne dhe do i sjellësh.

Por a mund të veprohet me këto mënyra? Vetëm një i çmendur, një paranojak dhe që po e çon vendin në mënyrën më të sigurt drejt një destabilizimi të paparashikuar..

BERAT BUZHALA: Por a beson se qeveria teknike e zgjidh problemin?

SALI BERISHA: Qeveria teknike e zgjidh problemin.

BERAT BUZHALA: Pse? Ata të njëjtit njerëz janë…

SALI BERISHA: Së pari lufton kanabisin, lufton zgjedhjet. Me axhendë të caktuar, jo pa axhendë.

BERAT BUZHALA: Nëse bëhet qeveria teknike pothuajse është e pamundur të mbahen zgjedhjet në qershor…

SALI BERISHA: Absolutisht që do të shtyhen zgjedhjet. Nëse ti ke zhdukur çdo kusht për zgjedhjet. Çfarë zgjedhjesh. Do zgjedhësh veten tënde?

BERAT BUZHALA: Çfarë i thatë ambasadorit amerikan, patët një takim të gjatë?

SALI BERISHA: I thash që ne jemi para një mali droge, dhe një mali eurosh nga droga

BERAT BUZHALA: A po e mbron ambasadori amerikan kryeministrin Rama?

SALI BERISHA: Nuk mund të them se po e mbron, por…

BERAT BUZHALA: A të dëgjoi me vëmendjen?

SALI BERISHA: Me vëmendje më dëgjoi. Unë i bëra një pyetje. Më thuaj cfarë dallimi ka Rama ka Noriega, narko-diktatori i Panamasë. Që miku im George Bush e qëroi. Nuk po them që ta qëroni por të paktën ta dënoni, ta ndëshkoni. A e dini si e përdorin drogën këta? Në Peshkooi e merrnin formularin nga gjendja civile, dhe i thonin qytetarit: Janë këta njerëz që jetojnë në Kënetë në Durrës, në Bathote. Tani ti zotrote, o do i sjellësh këta njerëz të votojnë në Peshkopi ditën e votimi, ose plantacioni të shkatërrohet dhe ti do të burgosesh se ke shkelur ligjin. Diktaturat nuk bëjnë zgjedhje se nuk duan.

BERAT BUZHALA: Si i shihni deklaratat e zotit Meta i cili tha dje se Shqipëria është vend pluralist dhe nuk ka zgjedhje pa opozitën, Rama tha se do ti mbajmë zgjedhjet gjithsesi. A ka lëkundje mes tyre?

SALI BERISHA: Meta natyrisht përpiqet të dallojë nga paranoja e Ramës. Ata janë një qeveri dhe kjo qeveri qëndron se ata janë në koalicion. Këtu në Shqipëri krijuam një shëmbëlltyrë inekzistente në botë të qeverisë me vëllezër armiq në qeveri. Ka filluar edhe në Kosovë tani nga pak, por uroj të mos fillojë më shumë. Nuk ka etikë kjo, po qeverise qeverisni së bashku, në të kundërt iki.

BERAT BUZHALA: A prisni që do të iki Meta nga qeveria?

SALI BERISHA: Nuk mund ta them. Nuk e di cili është vendimi i tij

BERAT BUZHALA: Përveç Shqipërisë që ka probleme me qeverinë, në Maqedoni nuk ka qeveri, vazhdojnë trazirat atje. Zoti Rama ka bërë një platformë edhe atje të shqiptarëve. Kemi Malin e Zi që cenohet prej Rusisë. Kosova gjithashtu probleme. Po flitet se Turqia në njërën anë dhe Rusia në anën tjetër e kanë synuar Ballkanin dhe po e destabilizojnë. A e shihni edhe ju në këtë dritë? A po prisni trazira në Ballkan?

SALI BERISHA: Unë shoh që potenciali për konfliktualitet në Ballkan po rritet me shpejtësi. Dhe shoh në radhë të parë Serbinë si faktor kryesor destabiliteti. Zhvillimet e fundit dëshmojnë që Serbia është absolutisht hipokrite dhe nuk ka ndryshuar në mendësinë e saj sa i përket projektit të Serbisë së madhe.

BERAT BUZHALA: A e manipuloi Ramën Serbia?

SALI BERISHA: Plotësisht. Me lehtësinë më të madhe. Po marr vetëm një moment. Negociatat Kosovë-Serbi, janë procesi më i rëndësishëm sot për paqen në Ballkan. I kam ndjekur me shumë interes, nuk kam besuar fillimisht në to, dhe ndaj kam sulmuar me të gjitha mundësitë e mia Serbinë asokohe, dhe parashtrova tezën e rrethimit të shqiptarëve nga albanofobia, që është edhe sot. Miqtë tanë amerikanë më thanë mua që “këtu nuk ke të drejtë sepse procesi i negociatave do të eci”. Unë e kam mbështetur – i thash, – por problemi është se nuk po shoh asnjë zbatim nga ana e Serbisë të këtyre marrëveshjeve. Jo thanë – do të zbatohet. Unë isha i mendimit që duhej të ishin edhe amerikanët pjesë e këtij procesi. Jemi thanë – ne jemi “next door”. Nuk mund ta mohoj krejtësisht, fare pak disa hapa të vegjël janë bërë, por jo kryesorët.

Dhe pasi janë bërë këto hapa ai merr përsipër për të provuar aneksimin. Ajo që bëri me trenin Vuçiç është absolutisht akt prove nëse mund ta aneksojë në mënyrë gjysmë paqësore, gjysmë ushtarake, apo jo. Serbia është e gatshme për konflikt. Çka do të thotë se shqiptarët duhet të përgatiten në të gjitha format.

BERAT BUZHALA: A duhet Kosova ta aprovojë projektligjin për formimin e ushtrisë?

SALI BERISHA: Kosova e ka të domosdoshme ushtrinë. Por unë mendoj që presidenti Thaçi, kryeministri Mustafa, duhet të lobojnë fuqishëm në Pentagon, në State Departament, në NATO, sepse ushtrinë duhet ta ngrenë së bashku me ta. Çështja e ushtrisë ka vite, dhe unë personalisht kam lobuar me ato mundësitë e mia dhe e kam quajtur të domosdoshme ushtrinë e Kosovës. Nuk jam për të hyrë në një sherr me partnerët tanë kryesorë. Ushtria e ka jetike mbështetjen e Pentagonit, ndihmën dhe mbështetjen politike. Por disa gjëra duhet të diskutohen më me hollësi tani, edhe çështje të sigurisë me Pentagonin. Por duhet të specifikohen gjërat, por kjo shkohet gradualisht nuk duhet me hapa të njëanshme që mund të paguajnë çmim, duhet ta shmangin këtë.

BERAT BUZHALA: Në këtë kohë, kush janë miqtë e vërtetë të shqiptarëve?

SALI BERISHA: Amerikanët janë. Ne kemi qenë komb jetim. Shqiptarët nuk duhet ta harrojnë asnjëherë këtë, kanë qenë komb jetim në histori, kanë mbijetuar nuk duhet të tremben dhe të bien në pesimizëm, se edhe si të tillë kanë mbijetuar para së gjithash në sajë të armëve të tyre. Kanë qenë armëmbajtës. Nuk kanë pasur një nacionalizëm të mirë-organizuar, por nuk kanë nguruar të luftojnë. Nuk kemi pse të kemi as frikëra, as të ngutemi. Ne duhet të jemi të qetë dhe, po, duhet të përgatitemi. Sepse nuk është Ballkani fuçi baruti, është Serbia me doktrinën e “Serbisë së Madhe”. Po mund ti bëjë një qeveri veprime të tilla që kanë bërë ata? Vetëm qeveri zuzarë bëjnë akte të tillë ndaj fqinjëve të tyre.

Kurse Rama e bën siç është, sepse Rama i dha një pasaportë atij për tu treguar evropian duke e ditur që nuk e meriton atë pasaportë. Se po ta meritojë absolutisht nuk i mohohet, pavarësisht se çfarë kanë bërë ata mbi shqiptarët.

BERAT BUZHALA: A do ta citoje Ivo Andricin?

SALI BERISHA: Kurrë ai është shkrimtar kriminel, nobelist kriminel. Përkundrazi shqiptarët duhet të bëjnë çmos për t’i hequr çmimin Nobel. Andrici është më i rrezikshëm se të gjithë doktrinarët e tjerë se asnjëri prej tyre nuk është nobelist, është i veshur me petkun e shkrimtarit. Në idenë e Serbisë së Madhe ky është më i rrezikshmi, moderni.

BERAT BUZHALA: A do jeni deputet në zgjedhjet e ardhshme?

SALI BERISHA: Varet nga vendimi që do të marrin organet drejtuese të Partisë Demokratike

BERAT BUZHALA: A po udhëheqin mirë organet drejtuese të PD-së?

SALI BERISHA: Tani ata janë kyçur në një proces të paprecedentë në historinë e vendit, që ja ka imponuar Edi Rama

BERAT BUZHALA: A takoheni shpesh me zotin Basha?

SALI BERISHA: Takohem. Dhe jam i bindur që do e fitojë këtë betejë. Se janë të gjithë të bashkuar. Opozita është e bashkuar si kurrë ndonjëherë. Qytetarët janë të vetëdijshëm, të gjithë e kanë të qartë që ky është një paranojak.

BERAT BUZHALA: Përveç ecjes në kohë të lirë me çfarë merreni?

SALI BERISHA: Në përgatitem për ditën e parlamentit, pavarësisht se mund të mos lexoj fjalime, nuk shkoj kurrë pa u përgatitur. Lexoj

BERAT BUZHALA: Çfarë po lexoni aktualisht

SALI BERISHA: Këto kohë kam lexuar shumë psikologji dhe histori

BERAT BUZHALA: Keni hequr dorë prej romaneve

SALI BERISHA: Kam disa muaj që kam lexuar disa libra shumë të mirë për Shqipërinë, për luftën e dytë, me dokumente, që faktojnë tradhtinë e madhe që ju bë Kosovës, por edhe shqiptarëve në çdo aspekt nga grupi i Enver Hoxhës. Kanë dalë libra që trajtojnë disa aspekte të gjenocidit komunist në Shqipëri. Libra që trajtojnë masakrën e Tivarit. Përveç librit të Blendi Fevziut për “Enver Hoxhën” ka botuar Vasfi Baruti një libër shumë interesant

BERAT BUZHALA: Pra ju lexoni edhe shkrimtarë lokalë?

SALI BERISHA: Po. Për fat të keq komunizmi shqiptar në letërsinë botërore është minimal. Shqipëria ka ardhur një vend me histori të ndaluar.

Unë ndjej keqardhje që nuk mbahet ndaj Gani Kryeziut, udhëheqës në luftën kundër nazistëve. Dhe nuk ka asnjë dokument komprometues për të. Përveç urrejtjes së Titos dhe të Enver Hoxhës. Një njeri që luftoi 4 vjet, një pjesë të mirë të luftëtarëve të tij i kanë ekzekutuar me tokmak pas koke dhe i kanë hedhur në një pus. Dikush duhet të kujtohet për ta. Duhet të nxjerrim historinë tonë.

BERAT BUZHALA: Cilin romancier keni më përzemër në letërsinë botërore?

SALI BERISHA: Markezin, por e kam me periudha. Ka pasur periudha që jam dominuar nga Heminguej, Hygoi, Borgezi.

BERAT BUZHALA: Në Kosovë?

SALI BERISHA: Më pëlqen Anton Pashku, më pëlqen shumë Ali Podrimja, më i dashuri me “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Edhe Azem Shkreli.

BERAT BUZHALA: Rexhep Qosen besoj nuk e keni shkrimtar të preferuar?

SALI BERISHA: Me Qosen ndahem nga ana politike. Padyshim “Vdekja vjen nga sytë e tij” është vepër e mirë. Është roman autobiografik, ai duhet ta pranojë që është autobiografi. Ta pranojë mos të ketë asnjë kompleks. Nuk jam dakord me analizat e tij për letërsinë, ato më kanë mërzitur qëkur i kemi lexuar, kur thoshte se “ne kemi shkrimtarë të mirë por s’kemi letërsi të madhe”. Bën disa krahasime që nuk jam dakord dhe nuk janë të vërteta. Sepse letërsia ka një monument madhështor të ndërtuar nga Ismail Kadareja. Kemi vërtetë poetë shumë të mëdhenj, Ali Podrimja, Lasgush Poradeci, ai pse shkon dhe i zhvlerëson këta. Nëse poezia do kishte gjuhë, do ishin poezitë e Lasgushit.

BERAT BUZHALA: Muzikë dëgjoni?

SALI BERISHA: Po. Edhe shqiptare, edhe të huaja.

BERAT BUZHALA: Cili është kundërshtari më i ashpër politik që keni pasur beteja, mirëpo që nuk e keni humbur respektin asnjëherë?

SALI BERISHA: Ruaj një respekt të caktuar për Fatos Nanon. Sepse ai i bëri detyrat. Detyra më baze e një politikani është që po humbi zgjedhjet, po ta gjykojë, të thotë mirupafshim. Fatos Nano e bëri këtë. Bëri një rotacion, pavarësisht se çmendoja unë për të, por e bëri. Çka nuk është Edi Rama kjo gjë. Edi Rama është e kundërta. Njeri që nuk pranon të bëjë zgjedhje. Nëse Nano nga një ushtar i partisë doli prapë në krye kur e hoqën me kurth, Edi Rama fut të gjithë anëtarët e partisë për të votuar. Pse? Që ai mos të votohet. A und të ndodhë kjo në botë, përveçse me të!

BERAT BUZHALA: Zoti Berisha faleminderit!

SALI BERISHA: Shumë faleminderit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura