Nipi i dëshmorit, i përgjigjet Ylli Polovinës: Dëshmitë që tregojnë rolin e Ramiz Alisë në arrestimin e Kristaq Capos

Aug 5, 2018 | 22:51
SHPËRNDAJE

JANI CAPO

Këtë vit, dëshmori Kristaq Capo kishte përvjetorin e rënies. Nisur nga ky fakt dhe në nderim të veprës së tij, përgatita një artikull për gazetën “Panorama”, që u botua më datën 29.06.2018. Në të, përveç kujtimeve të familjarëve, u mundova të hedh dritë në shumë aspekte të tjera mbështetur në dokumente të kohës, shkrime e dëshmi të panjohura të shumë bashkëkohësve e bashkëluftëtarëve të tij, me të cilët kishte qenë në aktivitetin ilegal dhe në përpjekjet kundër okupatorit.

Kristaq Capo
Kristaq Capo

Për Kristaq Capon, që është dhe xhaxhai im, kam botuar para disa viteve edhe një monografi, ku kam përmbledhur dëshmitë e 44 shoqeve e shokëve pjesëmarrës të Lëvizjes Antifashiste në qarkun e Beratit. E vërteta është se këto publikime janë mirëpritur, jo vetëm nga njerëzit që kanë dijeni për Kristaqin dhe aktivitetin e tij, por edhe nga shumë dashamirës të tjerë. Sakaq, aty-këtu kam dëgjuar edhe ndonjë zë të veçuar, që është përpjekur të kontestojë përmbajtjen e gjetjeve të mia. Reagime të tilla i kam paramenduar, por që do bëhej pjesë e tyre edhe Ylli Polovina, një nga intelektualët e kultivuar e më në zë të qytetit të Beratit, i njohur si publicist e botues serioz, nuk më kishte shkuar në mendje.

E lexova me shumë vëmendje shkrimin e tij “Dokumentet, e vërteta për akuzën se Ramiz Alia në 1943 ishte agjent i SIM-it”, botuar në gazetën “Panorama” të datës 23 korrik 2018. Ajo që më bëri përshtypje në gjithë shtjellimin e tij në këtë replikë “me nipin e dëshmorit”, ishin argumentet jo bindëse të huazuara fund e krye nga libri i vetë Ramiz Alias, “Jeta ime”. Nuk e di çfarë mund të shikonte ndryshe miku im Ylli Polovina, jashtë syzeve të Alisë, për jetën dhe veprën e Kristaq Capos. Nuk ma do mendja që zoti Polovina, i cili i është rikthyer disa herë historisë së viteve të qëndresës antifashiste në Berat, të sjellë për të vërtetë vetëm kujtimet e Ramiz Alisë, që prej vitesh është përfolur nga të gjitha shtresat në Berat.

Gjithsesi, kjo është puna e tij dhe e mënyrës si ai operon në hulumtimin e fakteve të tilla historike, që kanë lënë gjurmë të thella edhe përtej qytetit tonë. Meqë zoti Polovina më tërheq vëmendjen se akuzoj pa të drejtë Ramiz Alian si shkaktarin kryesor në arrestimin e Kristaq Capos, detyrohem të risjell një pjesë të dëshmive dhe fakteve që hedhin dritë mbi të vërtetën e asaj ngjarjeje misterioze.

DENONCIMI I PARË, NË VITIN 1952

Jake Tefiku, pas luftës, ka qenë hetuesi i Ministrisë së Brendshme, që ka operuar në Lushnjë. Në një nga proceset e asaj periudhe, më saktë në vitin 1951, ka bërë hetimin e një grupi diversantësh të kapur nga organet e ndjekjes dhe aty ka mësuar një fakt të panjohur më parë, për të cilin ka raportuar direkt te ministri i Brendshëm. Ky, në një farë mënyre, është dhe denoncimi i parë për aktivitetin e dyshimtë të Ramiz Alisë në qarkun e Beratit. Për herë të parë, ky fakt është bërë i ditur në rrëfimin e një veterani disa vite më parë, në gazetën “Populli Po”, të cilën, në mos gaboj, e drejtonte zoti Ylli Polovina.

Jani Capo, nipi i dëshmorit
Jani Capo, nipi i dëshmorit

Po ashtu, është ribotuar pak më vonë edhe në librin “Udhëkryqe të historisë” të autorit Apostol Duka, një mik e bashkëpunëtor i hershëm ky i zotit Polovina. E nënvizoj këtë, për t’i rikujtuar autorit të replikës ndaj meje se ai ka qenë në dijeni shumë më herët nga unë me këtë denoncim të pazakontë kundër Ramiz Alias. Veterani Jake Tefiku, sipas rrëfimit në librin “Udhëkryqe të Historisë”, faqe 283- 290, pasi ka drejtuar një proces hetuesie kundër një grupi diversantësh, ish-kulakësh e ish-kolaboracionistësh që kishin bërë shumë krime në vend, i ka bërë me dije Mehmet Shehut, me një raport sekret, një dëshmi tronditëse që kishte dalë nga hetimet e këtij grupi kriminal.

Ndër të tjera, Tefiku pohon se gjatë procesit ka njohur njërin nga të pandehurit. Ai, në një moment, i ka treguar se në vitin 1943 kishte qenë në Berat për të takuar të vëllanë, i cili në atë kohë ishte zëvendëskuestor. “U takova me të,-pohonte ai,-dhe shkuam në një lokal, ku ia shtruam me të ngrënë e me të pirë. Në pije e sipër, meqenëse në Berat ishin bërë shumë atentate kundër bashkëpunëtorëve të fashizmit, i thashë vëllait të bënte kujdes, se komunistët nuk e falnin”.

Vëllai, gjysmë i dehur, buzëqeshi dhe ma ktheu: Mos ki merak. Neve qarkorin e Beratit e kemi në thes, se kemi agjentin tonë shumë të fortë në radhët e tij dhe ky është një shkodran… I vetmi shkodran në qarkun e Beratit në atë kohë ishte Ramiz Alia. I njohur me këtë dëshmi, Mehmet Shehu e thirri Jake Tefikun në zyrë që të nesërmen. Jake Tefiku e kujton kështu bisedën e asaj dite.

-Ç’është ai informacion që më dërgove Jake?

ramiz alia

-Kam shkruar aty vetëm fjalët që më tha i pandehuri, shoku ministër. Po të doni, e thërrasim dhe e pyesim përsëri në praninë tuaj.

-Po nuk e di ti që armiqtë e popullit këtë duan, që të shpifin e të hedhin baltë mbi njerëzit tanë dhe të na ngatërrojnë me njëri-tjetrin.

Prandaj, mos u merr me këtë punë. I ke folur ndonjë tjetri për këtë problem. -Jo, shoku ministër. E dimë vetëm unë, juve dhe i pandehuri, që shumë shpejt do të marrë gjysmën e lekut. -Epo mirë. Mos bëj zë me njeri tjetër, ma lër mua këtë punë. Se çfarë bëri Mehmet Shehu, vazhdon në rrëfimin e tij Jake Tefiku, e çoi apo nuk e çoi diku atë informacion të rezervuar, nuk dihet.

Por, në fakt, Enver Hoxha nuk mori vesh asgjë dhe Ramiz Alias nuk i hyri gjemb në këmbë. I njëjti në gazetën dhe librin në fjalë, kujton edhe shumë rrethana nga momentet e arrestimit të grupit të drejtuar nga Kristaq Capo, ku e vë gishtin pikërisht te Ramiz Alia. Ndoshta në një përgjigje të dytë për zotin Polovina, do t’i risjell të plota, bashkë me shumë kujtime të tjera që m’i ka treguar i paharruari Jake Tefiku dhe disa nga miqtë e tij.

DËSHMIA E PROFESOR SOTIR MANUSHIT

Ka qenë një pasdite korriku e vitit 1994, kur me profesorin e nderuar kemi biseduar gjatë rreth dyshimeve për aktivitetin e Ramiz Alias në qarkun e Beratit, në verën e vitit 1943. I qetë e pa komplekse në rrëfimin e tij, megjithëse disi i rezervuar, ai më ka treguar një sërë rrethanash kritike të asaj periudhe që lidhen me emrin e Ramiz Alias.

Ylli Polovina
Ylli Polovina

Ja një pjesë e rrëfimit të profesor Manushit: Unë dhe Ramiz Alia shkuam në Berat në fillimin e vitit 1943 me urdhër të sekretarit të rinisë komuniste të Shqipërisë, Nako Spiru, për t’u angazhuar në drejtimin e Lëvizjes Antifashiste në qark. Sapo mbërritën në stacionin e autobusit në qytet, u ndeshëm me Policinë e kuesturës, që na kërkoi dokumentet e identitetit dhe na pyeti për arsyen e ardhjes. Unë i paraqita pasaportën dhe një shkresë, ku më rekomandonin të interesohesha për blerjen e një sasie lëkurash për një firmë italiane në Trieste.

Me mbarimin e kontrollit, më lanë të lirë. Dokumentet iA kërkuan edhe Ramizit dhe për çudi ai nuk dispononte asnjë të tillë. Për këtë arsye, ata e shoqëruan në kuesturë, ku e mbajtën vetëm disa orë dhe e liruan. Fola me Ramizin kur u takuam pas kësaj ngjarjeje, por të them të drejtën, mënyra si ma shpjegoi “nderin” që i kishin bërë në kuesturë, nuk më bëri përshtypje të mirë. Sidoqoftë, Ramizi, ia kishte marrë dorën vizitave në zyrat e kuesturës. Dy herë të tjera kur ishim në Tiranë, ai ishte bërë “mysafir” vetëm për pak orë i birucave të ftohta, por ia kishte hedhur pa ndonjë problem.

Pas këtij detaji, që tregonte “lehtësinë”, me të cilën Alia futej dhe dilte nga zyrat e kuesturës, profesor Manushi më tregoi dhe një ndodhi që më ka bërë shumë përshtypje dhe më ka vënë në mendime. I ndodhur në Berat në kohën kur ishte bërë arrestimi i Kristaq Capos, sa kishte marrë lajmin e kobshëm, ishte nisur menjëherë në bazën e sigurt ku rrinte Margarita Tutulani.

“Sa shkova te porta,-tregonte profesor Manushi,- dëgjova një debat të acaruar që bëhej brenda shtëpisë. Mbajta këmbët. Aty për aty dallova zërin e lartë të Margaritës, por nuk merrja vesh se me kë fliste. Një çast dëgjova edhe zërin e tjetrit. Ishte Ramizi. Më befasoi prania e tij atje, sepse e dija që ishte me grupin e Kristaq Capos. Nuk vonoi shumë dhe u hap dera. Përballë pashë Ramizin që doli me nxitim dhe u largua i skuqur në fytyrë. Pa më folur fare. Nga brenda derës dëgjova përsëri zërin e Margaritës, që në largim e sipër i thoshte Ramizit: Ta dish mirë se do të përgjigjesh për këtë! Hyra në dhomë. Margarita ishte e mbuluar e gjitha në lot. Fola gjatë ato çaste me të, por nuk përmbahej.

Margarita Tutulani dhe Kristaq Tutulani
Margarita Tutulani dhe Kristaq Tutulani

Më shpjegoi për ngjarjen e rëndë. Më foli dhe për përplasjen me Ramizin. Ajo e fajësonte për mënyrën si kishte operuar në atë operacion. Sidoqoftë, një ditë, ndoshta do ta kërkojë momenti ta shpreh më shkoqur atë që më tha Margarita për arrestimin e grupit të Kristaqit”, e mbylli bisedën profesori.

SI U SHFAQ RAMIZ ALIA NË BERAT

Në fund të refleksionit për rolin e Ramiz Alias në Qarkun e Beratit në vitet e luftës, zoti Polovina, dashur pa dashur, zbulon një të vërtetë që lidhet me imazhin që ai ka lënë gjatë kohës kur ka operuar në qytetin tonë. Pavarësisht mjeteve që përdor për ta përshkruar këtë, autori i replikës me nipin e dëshmorit, të lë të kuptosh se edhe ai vet ka rezerva për mënyrën si është shfaqur “tetëmbëdhjetëvjeçari Alia” në qytetin e Beratit në ditët e stuhishme të luftës. Ja si e përshkruan këtë Polovina: Tetëmbëdhjetëvjeçari Ramiz Alia, për sa mbahet mend nga të rinjtë antifashistë të Beratit, nuk qe tip karizmatik, ishte natyrë e mëdyshtë dhe e pavendosur.

“Kur bisedonte, kujtonin ata, në shumicën e herëve nuk të shihte në sy”. Duke qenë se ai nuk ra dot “në dashuri” me beratasit, ishte e natyrshme që ata të kishin perceptimin se udhëheqja lokale e LANÇ-it, e cila duhet theksuar se ishte elitë e qytetit, u godit rëndë dhe u asgjësua saktësisht në periudhën e pranisë tremujore të tij. Me siguri për akuzën ka vepruar arsyetimi sipërfaqësor: Ishim mirë kur nuk qe ai, erdhi ai dhe na u vranë djemtë.

E ke drejt zoti Polovina kur flet për imazhin që ka lënë në qytet Alia, që nuk u dashurua, sipas teje, kurrë me beratasit, por përtej dashurisë së munguar, referuar fakteve e dëshmive të shumta, ai i ka lënë Beratit edhe një kosto të dhimbshme me disa jetë njerëzish të këputura pabesisht në mes, falë lidhjeve të tij të fshehta me autoritetet e okupatorit. Unë në këtë rast të solla vetëm disa dëshmi, por jam i gatshëm që në rastin më të parë të të vë përpara dhe dhjetërave të tjera ku Alia shfaqet jo i dyshimtë, por autor i mjaft goditjeve misterioze që janë bërë në verën e vitit të largët ’43 në qytetin tonë.

Meqë jeni dashuruar me kujtimet e Alisë nga koha kur ishte në Berat, unë zoti Ylli po të them se aty ka shumë pasaktësi dhe trajtime të manipuluara larg të vërtetës. Jo rastësisht te libri “Jeta ime” nuk ceket fare roli i Kristaq Capos në drejtimin e Lëvizjes Antifashiste në Berat, po ashtu nuk përmenden as funksionet që ai kishte në krye të kësaj lëvizje. Nuk përmendet aty kush e organizoi dhe drejtoi demonstratën e madhe të 28 Nëntorit në vitin 1942, kush e drejtoi ekzekutimin e agjentëve, të cilët spiunuan Alqi Kondin e Hajdar Dushin, kush ekzekutoi drejtorin e bankës, që ishte një nga krerët e lartë të agjenturës fashiste dhe shumë operacione të tjera që kanë për protagonist Kristaq Capon.

Ju, zoti Ylli, më tërhiqni vërejtjen që nuk e kam shkruar në librin tim faktin që Alia ka spiunuar Kristaq Capon dhe sakaq më qortoni pse nuk ia kam vënë në dukje Alias sa ishte gjallë. Sa për ta ditur ju, por jo vetëm, unë i jam drejtuar disa herë Ramiz Alias për të biseduar nga afër rreth kësaj enigme, por në asnjë rast ai nuk ka pranuar.

I kam drejtuar ndërkohë edhe dy letra për të sqaruar pozicionin e tij në rrethanat e arrestimit të Kristaq Capos dhe shokëve të tij mesditën e 28 qershorit 1843, por nuk mora kurrë përgjigje. Të njëjtën gjë ka bërë dhe zoti Emin Mysliu, i cili në grupin e Kristaqit ka pasur vëllain e tij, por asnjëherë nuk ka gjetur gatishmërinë e Alisë për t’i thënë të vërtetën.

Dëshmia e oficerit të Sigurimit: Ramizi ka gisht në arrestimet e vitit ’43 në Berat

Pas lirimit nga burgu në Tiranë, Ramiz Alia me vendim të Komitetit Qarkor të Tiranës u hodh në ilegalitet dhe në fillim të vitit 1943, ai u dërgua me detyrë në Berat. Atje u lidh menjëherë me Qarkorin e Beratit, sekretar organizativ i të cilit ishte Kristaq Capo. Ai ishte mësues, dinte pesë gjuhë të huaja, ishte shumë konspirativ, jashtëzakonisht i ekuilibruar dhe trim. Kristaqi e afroi Ramizin dhe në sajë të shoqërisë me të, Alia u njoh gati me të gjithë njerëzit kryesor të lëvizjes në Qarkun e Beratit.

Në qershorin e vitit 1943 Qarkori organizoi një mbledhje me anëtarët te burimi i Bogovës, në një pyll aty pranë. Atë ditë duhej të raportonte një shoqe, anëtare e Qarkorit, për veprimtarinë e Organizatës së Gruas në qytet. Ajo po vonohej. Me këtë rast, Kristaq Capo çoi Ramiz Alian me biçikletën e tij për ta sjellë aty. Kaluan disa çaste, Ramizi me shoqen nuk po vinin. Ndërkohë mbërritën befasisht Kuestura dhe Milicia, që mundën të arrestonin anëtarët e Qarkorit që ishin aty.

Mes tyre ishte dhe Kristaqi me korrierin e tij, një djalë 15- vjeçar. Prej andej i nisën menjëherë në burgun e Gjirokastrës, ku do t’u bëhej edhe gjyqi për t’i dënuar. Për çudi, në të dalë të Tepelenës, pas një ndalese disi të gjatë në qytet, në një rrëpirë i pushkatuan barbarisht. I pushkatuan pa gjyq dhe pa dëshmitarë. A thua se kështu iu mbush mendja oficerit që i shoqëronte. A mundej një oficer shoqërues të pushkatonte me kokën e vet të arrestuarit që konsideroheshin si peshqit e mëdhenj për OVRAn? Më tej, në qoftë se ata do të pushkatoheshin, përse duhej t’i çonin deri në Tepelenë, kur këtë mund ta bënin fare mirë në Berat, madje, bash mu në vendin e arrestimit. E gjitha kjo ka vetëm një shpjegim.

Gjatë rrugës nga Berati në Tepelenë, Kristaqi me korrierin e vet të veçuar, të mbyllur në të njëjtin kamionçinë, duhet të kenë biseduar për shkaqet e arrestimit. “Si ndodhi kjo punë”. “Si na arrestuan kaq pa pritur”. “Kush na tradhtoi”. Dhe patjetër që kanë përmendur emrin e Ramiz Alias, duke shtuar se se ta shkonin në Gjirokastër do të njoftonin shokët për këtë pabesi. Vetëm me këto pak fjalë ata ndëshkuan dënimin e tyre me vdekje pa e kuptuar.

Arsyeja ishte e thjeshtë dhe e kuptueshme edhe për punonjësin më të thjeshtë të shërbimeve të fshehta: Duhej ruajtur me çdo kusht agjenti i OVRA-s, pavarësisht nga kostot dhe pasojat e operacionit. Në fillim të gushtit 1943, gati në këto rrethana u arrestuan krejt papritur Margarita dhe Kristaq Tutulani. Të dy punonin në fshehtësi të thellë, ndërkohë që familja Tutulani, me emër, pasuri dhe prestigj në gjithë Qarkun e Beratit, ka qenë baza kryesore e Ramiz Alias, që mbante pseudonimin “Agimi”. Kësisoj, vendin e strehimit të Margaritës e Kristaqit e dinin vetëm nëna e tyre, familjarët e bazës dhe Ramiz Alia. Atëherë kush i tradhtoi ata të dy?

Nëna e tyre?! Familjarët e bazës, që kishin rrezikuar gjithçka për t’i mbajtur të strehuar?! Është absurditet ta besosh. Të gjitha gjasat dhe dyshimet lidhen me emrin e Ramiz Alias. Përsëri vihet në lëvizje i njëjti mekanizëm. Jepet urdhri dhe të arrestuarit nisen drejt Tiranës. Në Gosë të Kavajës eskorta e tyre ndalet dhe motër e vëlla pushkatohen krejt papritur, pa gjyq e dëshmitarë, barbarisht. Pse në Gosë të Kavajës dhe jo në Berat? Dhe pse jo në Tiranë xhanëm?!

Përse duheshin pushkatuar pa gjyq dy të rinj, që nuk përbënin ndonjë rrezik kushedi çfarë as për Kuesturën e as për OVRA-n, aq më tepër kur familjes së tyre, që kishte lidhje të caktuara me njerëzit e pushtetshëm të asaj kohe dhe kishte paguar një shumë të madhe parash i ishin dhënë garanci të plota për jetën e tyre?! Përgjigja është e njëjta si në rastin e Kristaq Capos: Përballë OVRA-s ishte i pafuqishëm çdo lloj pushteti. Sikundër Kristaq Capo, edhe Margarita e Kristaq Tutulani gjatë rrugës duhet të kenë shprehur dyshime dhe të kenë përmendur një emër që nuk duhej përmendur kurrë. Pas kësaj, fundi i tyre ka qenë i paracaktuar dhe i pandalshëm…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura