Nine Fështi në Tepelenë, Ymer Distafa në Shëngjergj e rikthim i analfabetizmit?!

Mar 13, 2023 | 7:27
SHPËRNDAJE

KRISTO MËRTIRIKRISTO MËRTIRI

Për herë të parë, për priftin shqiptar të kulluar, Nine Fështi nga Peshtani, dëgjova në Tepelenë. Dëgjova Mësuesin e Merituar, Murat Kociaj nga Lopsi, në një 7 Mars të paharruar. Mësuesi ynë i rrallë i Gjuhës Shqipe në shkollën 8-vjeçare “Avni Rustemi”, rrëfente plot dashuri e mirënjohje, por edhe me nota krenarie: “Nga Mitropolia e thirrën dhe e paralajmëruan seriozisht disa herë njeriun e mbuluar me rrasën e zezë: Të mos bënte asnjë meshë a ceremoni fetare në shqip! E kërcënonin hapur. Aty për aty u premtonte, por asnjëherë nuk ua mbajti fjalën. Në kishat e fshatit fliste vetëm gjuhën e Nënës, duke u kthyer kështu në një mësues të veçantë përmes errësirës mesjetare, i papërkulur e patriot jo dosido. Pas kërcënimit të fundit ogurzi dhe kur “premtimet” nuk do të pinin më ujë, u kthye në vendlindje. Atë natë pa yje e pa hënë mbi Golik e Trebeshinë, rrojti mjekrën, hoqi veladonin dhe i mbylli në një pako të veçantë… Të nesërmen ia nisi Dhespotit. Bashkë me mbishkrimin vetëtimë: “Merrini paçavuret tuaja, shqipja na është e dhimbsur! Nine Fështi, Peshtan, Tepelenë”. Kaq shkroi i miri Nine. Jehona e kësaj revolte atdhetare, të mençur e trimërore, i kaloi kufijtë e Grykës së Këlcyrë-Mezhgoranit. Mbeti e shënuar në histori dhe qarkulloi gojë më gojë. Ashtu si për të ndriturit e viseve të mia Petro Nini Luarasi e Papa Kristo Negovani. Por thirrja përflaku ajrin: Mblidhmani gjakun! Le të shkruajnë fëmijët…”. Bie Petro Nini./ Mbi barin kokulur, mbi kujet e grave,/ mbi fjalët e nëmura të shqipes në zi…”. Është një nga 150 misionarët e Kongresit të Manastirit që i dha frymë kombit “përmes një Alfabeti të përbashkët”, rilindësi që e helmuan dhe mushka e tij që lëshoi lot e hingëlliu deri sa iku nga kjo botë. Ishte kjo udhë që udhëhoqi bukur edhe Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes! Po gjaku i 30-vjecarit Kristo Negovani të masakruar barbarisht nga andartët fqinjë? Nën rrason e përgjakur të priftit rrihte një zemër shqiptare e vërtetë, gjallonin librat e tij për fëmijë në vargje “Vjershëshkresëtorja”. “I drunjti kryq”, Prishja e Hormovës”, novela “I vogli Donat Argjendi” etj. Përndjekja nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit nuk ua kyçi gojën. Gjuha e Nine Fështit me shokë nuk u lidh kurrë, ajo ligjëroi vetëm shqip bashkë me zogjtë e shumtë nëpër Golikun e pagjumë mbi Vjosë. Vepra e klerikëve atdhetarë nuk fshihet dot nga kujtesa popullore e historike…

Se Gjuha Shqipe është nga të vetmet në botë që ka edhe dëshmorët e saj të pavdekshëm! Çdo shkronjë e Alfabetit të shenjtë, është mbrojtur edhe me gjak, me jetën e të gjallëve. Gratë dhe burrat e ditur nuk kursyen asgjë përballë hordhive të errësirës, duke përhapur me shpirt Dritën e Diturisë si progres e përparim të kombit. 3 vëllezërit e mëdhenj Frashërllinj, shkrinë gjithçka për të ndriçuar mëmëdhenë e drobitur nën thundrat e pushtuesve shekullorë. Hapja e Shkollës së Parë në Korçë nuk ishte rastësi e rëndomtë. Dhe jo më kot i kënduan aq shumë Rilindasit e vërtetë. Brez pas brezi, “Naim Shqipëria” do të quhet edhe “Bilbili i Gjuhës Shqipe”! Punëtorët e parë të Arsimit dhe armata e nderuar gjurmëndjekëse janë në ballë të zhvillimit e përparimit kulturor, ekonomik, social etj. Fjala vjen, pranë kryeqytetit tonë ndodhet një krahinë malore: Shëngjergji arsimdashës i etur, me kontribute jo të vogla në Luftë e në Punë. Bijtë e urtë e të mençur, të pushkës e të penës, nuk heshtën kurrë përballë fateve të Atdheut. Një nga ata burra dinjitozë ishte edhe Ymeri, babai i mikut tim, Halit Distafa, mjek i njohur në pension. Jetoi e punoi 35 vite në vendlindje, në frontin e Arsimit. Fjalëpakë e punëshumë, i talentuar e i ndershëm si ai. Pa u shkëputur asnjë çast nga tradita e pastër e të atit Osman dhe gjyshit Bajram. Traditë që hodhi rrënjë të forta qysh në 1911, kur mësohej edhe shqipja. Më vonë do ishte një tjetër luftë pa armë e municion : Tërheqja e mbledhja e fëmijëve në shkolla dhe lufta lavdimadhe kundër analfabetizmit të popullatës. Se në regjimin e Zogut njerëzia nuk hidhte dot as firmën. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Osmani do të zgjidhej kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Kujtuam edhe një ditar interesant nga Sterjo Spasse, kur punonte në Ministrinë e Arsimit të kohës dhe shkonte shpesh në Shëngjergj. Kur të takohem me Ilindenin(shok i vjetër i vëllait tim) do mësoj me siguri edhe më tepër për shkrimtarin e dashur, por edhe për Ymerin simbol ndershmërie, mësuesie e shqiptarie. Se Sterjo mbante shënime kudo. Prandaj ka aq shumë informacion e jetë në romanet e tij të famshëm historikë. Vetë Haliti më ka rrëfyer se Skënderbeu gjatë udhëtimit me kalë për çlirimin e Krujës së bekuar, u kthye edhe në Shëngjergj te motra e tij Angjelinë (bashkëshorte e vëllait të tretë të Gjergj Arianitit). “Sipas Barletit, mori me vete edhe nipin, Muzakën e Angjelinës” …Në këto troje të lashta arbërore, paska bujtur edhe Heroi i nahijes sime, luftëtari e patrioti i papërsëritshëm, Abdyl Frashëri. Bukur e tha Profesor Shuteriqi për Tomadhen (Shëngjergjin), shumë kohë më parë: “Faqja e dheut të saj ka një bukuri mahnitëse të 3 shenjtëve: Shënmëri, Shëngjergj e Shëngjin”. Ndërsa në një letër private të Kristoforidhit thuhet se banorët e kësaj krahine kanë pritur me ngrohtësi në gjirin e tyre, Abetaren e tij. Pa përmendur këtu Gavril Darën (I riu); shënimet e Kristo Frashërit; ato të Dhimitër Pilikës; Nolit; historianit Italian Biemi etj.

Se Shëngjergji malor ka pasur kurdoherë burra të zgjuar e shqiptarë të kulluar, edhe kur studionin nëpër shkollat turke jashtë vendit, në Stamboll, Manastir, Selanik, Perlepe e gjetkë. Veshjet fetare shpesh shërbenin si ai hiri i vatrës që ruan mirë prushin e ndezur të Gjuhës së Nënës, prush që ngrohte çdo shëngjergjas. P.sh. fisi i Shtëpanëve, tashmë njihet e respektohet qysh nga Rilindja Kombëtare. Të pushkës, por edhe të penës. Ose sa qe gjallë Hoxhë Duka, tregonte për një letër me rëndësi të veçantë që do t’ia çonte në dorë Ismail Qemalit në Vlorë. Xhaferi i Shtëpanëve ia besoi këtij. Kur do kthehej nga qyteti i Flamurit, erdhi me dy trasta plot me libra dhe me një kalë të vogël(dhuratë nga Qeveria e përkohshme). Xhaferi provoi pranga e burgje, por shqipen nuk e braktisi kurrë. Po kështu, Osman Distafa me shokë, e sidomos patrioti dibran Ramiz Hatibi. Se si mësues vendali erdhi vonë, kur mbaroi Normalen e Elbasanit, i paharruari Abdulla Keta… Sivjet do përkujtohet 110-vjetori i Shkollës së Parë Shqipe në Shëngjergj. Apeli i parë do të jetë ai i mësuesve atdhetarë. A e dini ku nisi mësimi? Në një ndërtesë të vogël, majë shkëmbit të quajtur Skrep! Fëmijë të njomë e burra të rritur atje belbëzuan shkronjat e Alfabetit, me gojë e me shkrim. Shembulli i Ymer Distafës do të rrojë gjatë në atë krahinë e më gjerë. Komisar i Dritës së Diturisë! Kështu do ta thërrisnin në çdo sistem politik dhe në çdo lloj pushteti që vjen e shkon. Ai thoshte jo pa krenari gjatë pushtimit fashist e deri sa mbylli sytë përgjithmonë në fundvitet ‘70:- Në shkollën e Shëngjergjit dhe në klasat e saj, nuk u varën asnjëherë portretet e Viktor Emanuelit apo të Musolinit. Gjatë çdo përvjetori të Shkollës Shqipe, nuk mungojnë në apelin tradicional e rrëqethës as Dëshmorët e Atdheut, Xhelal Shtëpani, Emin Balla, Shefqet Tosku, Ramiz Trimi, Jonuz Balla, Bektash Hala e Ramazan Hida. Ishin nxënës të saj. Por morën një “diplomë” tjetër në luftën për Liri e Demokraci të vërtetë. Dhe e mbrojtën shkëlqyeshëm…

Po sot në Pluralizëm, kush i riktheu gjurmët e hidhura të analfabetizmit në emër të luftës kundër “komunizmit”?! Ja një fakt që flet shumë: 32 vjet më parë, në Shëngjergj ishin 493 nxënës, ndërsa në vitin 2000 vetëm 128 nxënës (?!). Shifra të tilla nuk kanë nevojë për komente. Vallë, po në shkallë vendi?… Koha migjeniane sidomos nëpër zonat e thella malore, befas u ul këmbëkryq. Analfabetizëm në “Demokraci” e Pluralizëm?! Të mos harrojmë: Arsimi në sistemin monist ishte “I hapur për të gjithë dhe jepet falas”. Deri këtu një rrugë e gjatë e plot mundime. Se lufta kundër Analfabetizmit nuk u bë në truall bosh. Sot shpesh tremben të thonë të vërtetën e rolit real të Partisë Komuniste Shqiptare, që nga Cetat, Batalionet, e Brigadat Partizane ku në pushimet midis betejave hapeshin edhe fletorkat erë baruti. Fletorka që rrinin tok me torbën e fishekëve! Dhe vazhdonte kjo luftë kundër asaj dukurie të rëndë shoqërore e kulturore, fryt i regjimeve shtypëse. Shtrihej nëpër fshatrat e zonat e çliruara nga okupatori. Pas Nëntorit të kuq si gjaku i Dëshmorëve, jo rastësisht po ecej sipas motos së njohur: “Sa më shumë bukë, sa më shumë kulturë për popullin!”. Dhe dihet, i pari e tha publikisht Enveri! Kjo është saktësia historike. Sistemet politike e pushtetet vijnë e shkojnë, por e vërteta mbetet. Të tjerat janë broçkulla. P.sh. si mund të harrohet 27-vjeçari i paharruar Ndrec Ndue Gjoka që përhapte Dritën e Arsimit Shqip nëpër malet hijerënda të Mirditës dhe gjer në Linaj të Shkodrës ose në Istok të Kosovës?! (16 ditë para Çlirimit të vendit, Këshilli Nacionalçlirimtar i Mirditës vendosi njëzëri hapjen 47 shkollave e kurseve kundër Analfabetizmit. Se nuk ishte aq e lehtë apo sikur të shkoje nëpër disko edhe ardhja e grave e vajzave malësore. Por Komisarin e Dritës së Diturisë, një ditë shkurti…ia shkurtuan jetën! E vranë pabesisht të pabesët e hajnat e errësirës…Ishte luftë për mendjet dhe zemrat e njerëzve që nga Veriu në Jug. Ish-shërbyesit e ndyrë të okupatorit, ata që verboheshin nga kjo dritë atdhetarie e pashoqe, nga progresi e demokracia reale, një ditë zbrazën armët edhe mbi 22 e 20-vjeçaret Marta e Prenda Tarazhi, Heroina të Popullit. “Trimat” e errësirës i masakruan dy lulet e Mirditës në lule të vajzërisë! Historia do të gjëmojë brez pas brezi. Si mund të harrohet Reforma Arsimore (1946)përmes tymit të gërmadhave nga dora nazifashiste e kolaboracioniste ose Vendimi i Qeverisë (1947) “mbi detyrimin e shtetasve meshkuj deri 50 vjeç e femra 40 vjeç për të mësuar shkrim e këndim”?! Dhe ja rezultati: Brenda gati 10 viteve, Analfabetizmi u zhduk! Ngritja e shkollave fillore, 7-vjeçare, të mesme në çdo fshat e krahinë të Shqipërisë, nuk ishte gjë e vogël. E as thjesht “propagandë komuniste”. Ndërsa sot disa kokëtulë e të pushtuar nga ligësia, këto radhë mund t’i pagëzojnë “nostalgji”(?). Punë e madhe ose siç do thoshte Dritëroi ynë “pordhi kali në derë të hanit!”. A mund të harrohen Institutet, Universitetet e deri Akademia e Shkencave që u themelua nga personalitete të nivelit Evropian e Perëndimor? Rrumpalla e 30 viteve të fundit na riktheu skenat zezona të së kaluarës. Madje, në një kuptim edhe i tejkaloi ato: Hyri e u ul këmbëkryq pazari i shitjes së Diplomave, e deri pa shkuar asnjë ditë nëpër auditorë! Shkatërrim më të madh vështirë të ketë. Mbi 500 të tilla u janë shitur vetëm italianëve… Dhe drejtësia e drejtë si drapri, hesht e bën gjumë. Ndërsa dinjiteti i Arsimit groposet. Heshtin Sindikatat e Shoqatat (politike e të “pavarura”). Bëzajnë kryesisht kur I ndërsejnë liderët e partive, ata që e katandisën shkollën në treg e Pazar Roskoveci me xhambazë e matrapazë, ku nuk dallohen hiç këmbët e dhisë nga të kecit…

Disa politikanë balashë e të shpëlarë vazhdojnë të kërkojnë vota për t’u majmur familjarisht me soj e sorollop. Dhe flasin si nga nja e thanës, nëpër vilat luksoze të siguruara me “rrogën” e shtetit të telikosur. Dhe nuk i zë gjumi për fukarenjtë. Madje, po çirren e ngjiren për “Revolucion”, pasi e vodhën dhe e bënë trokë Shqipërizën tonë hallemadhe.

Mirëpo, veprat flasin më shumë se fjalët! Dhe kush nuk di të heshtë, nuk di as të flasë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura