Zbulohet dokumenti, rektori “burgosi” dekanin e Universitetit. Debati i ministres me Mit’hat Memën: Skandal

Mar 18, 2015 | 8:06
SHPËRNDAJE

Rektori mban të “burgosur” për më shumë se dy muaj dekanin Elmas Lezi. Nga izolimi e ka shpëtuar ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila me një vizitë të beftë zbarkoi paraditen e djeshme në Universitetin e Durrësit.

Ministrja Nikolla, gjatë debatit me rektorin e Durrësit, Mit’hat Mema

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku në formë ndëshkimi rektori Mithat Mema ka pezulluar nga aktiviteti dekanin Elmas Leci dhe e ka detyruar këtë të fundit të qëndronte në një zyrë me kushte jo normale.

Dekani i Shkencave Politike Juridike, i mbyllur në një zyrë të vogël, me vetëm 1 karrige dhe një tryezë, ishte i përjashtuar nga mësimdhënia. Gjithashtu, me një urdhër me gojë, ai ishte detyruar të qëndronte nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 në zyrë pa lëvizur prej saj dhe çdo ditë do të firmoste procesverbalin, që tregonte se kishte ardhur në punë dhe po largohej pasi kishte plotësuar orarin zyrtar.

Sipas dekanit Leci, nëse do të dilte nga zyra qoftë edhe për nevoja personale, duhet të merrte leje te burimet njerëzore, të cilat e mbanin nën monitorim me urdhër të rektorit. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e ka quajtur të paprecedentë këtë ngjarje, duke theksuar se do të merren të gjitha masat që përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të marrin ndëshkimin e merituar.

Faksimile e procesverbalit për hyrje-daljen e dekanit

Gjatë ballafaqimit trepalësh Nikolla- Mema-Leci, ministrja doli në konkluzionin se situata ishte krijuar për shkak se rektori kishte kërkuar që ta shkarkojë dekanin, por në kushtet kur përgjigjja ishte negative, Mema në formë hakmarrjeje ka bërë vetëgjyqësi.

Rektori Mema i ka dorëzuar një kërkesë MAS për shkarkimin e tij. Në përgjigjen e saj, MAS kishte refuzuar tri herë kërkesën dhe kishte urdhëruar rikthimin në aktivitet të dekanit Leci. Pas kësaj, rektori ka urdhëruar përgjegjësen e burimeve njerëzore që të mbajë një procesverbal për dekanin dhe ta kishin nën monitorim të rreptë. 

DEBATI NË ZYRËN E IZOLIMIT TË DEKANIT

Ministrja Nikolla: Si mund të mbahet një dekan në një zyrë të tillë dhe me këto kushte? Ç’është kjo zyrë që
keni vendosur dekanin e Universitetit, z. Mema? Ky është skandal, e paprecedentë. Pse e keni izoluar këtu?

Rektori Mema: Kështu e pamë të arsyeshme, zyrë është edhe kjo.

Ministrja Nikolla: Kjo nuk mund të jetë zyra juaj z.dekan, zyra juaj është gjetkë. Nuk mund të qëndroj
një dekan në të tilla kushte. Qetësohu tani z.Leci, se gjithçka do t’i rikthehet normalitetit. Si je ndier këtu, sa
kohë ka që jeni këtu?

Dekani Leci: Kam mbi tre-katër muaj. Vija në mëngjes, firmosja te burimet njerëzore dhe pasdite, kur
largohesha, firmosja sërish. Disa kohë kam qenë i sëmurë dhe nuk kam ardhur fare.

Ministrja Nikolla: Çfarë ju kërkohej? Çfarë ju thoshin?

Dekani Leci: Më kërkonin të vija në orën tetë dhe të firmosja, ndërsa të njëjtën procedurë do të kryeja edhe kur të largohesha, në orën katër. Gjatë kësaj kohe duhet të qëndroja në zyrë, në këtë zyrë që shikoni, nëse mund të konsiderohet zyrë.

Ministrja Nikolla: Si jeni ndier? Dekani Leci: I izoluar, si i burgosur.

Ministrja Nikolla: (I drejtohet shefes së burimeve njerëzore). Ti je shefja e burimeve njerëzore? Çfarë ka ndodhur me z.Leci?

Drejtoresha: Vinte çdo ditë për të firmosur, në mëngjes dhe pasdite kur largohej. Kam pasur urdhër nga rektori, ne vetëm zbatojmë urdhra.

Ministrja Nikolla: Keni pasur urdhër me shkrim nga rektori?

Drejtoresha: Jo, kemi pasur urdhër me gojë.

Rektori Mema: Z. Leci ka qenë i padisponueshëm, pasi ka qenë i sëmurë, prandaj kemi kërkuar pezullimin e tij. Ka qenë me raporte mjekësore.

Ministrja Nikolla: Zotëri, unë e gjeta z.Leci në burgun tuaj. Është turpi juaj, por s’mund të jetë turpi i arsimit. Nëse ju dhunoni lirinë akademike, ne jemi këtu për të mbrojtur fort jo vetëm lirinë akademike. Është turp, të mbahet procesverbal kur vjen dhe kur largohet dekani, me një urdhër verbal të rektorit. Kjo është shkelje e ligjit me të dyja këmbët. Ti ke një urdhër të Ministrisë së Arsimit që rikthen në detyrë dekanin dhe ke përsëri një kërkesë nga Ministria e Arsimit, nga institucioni më i lartë i arsimit, që ju kërkon krijimin e të gjitha kushteve të stafit pedagogjik. Por ju keni vazhduar me dhunën institucionale, z. Mema. Është e papranueshme.

 


NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura