Nikolla: Nuk po mbyllim shkollat, por klasat kolektive

Sep 6, 2018 | 9:19
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Nga ky vit shkollor nuk do të ketë më klasa, brenda së cilës mësojnë fëmijë të moshave të ndryshme. Bëhet fjalë për afro 33 mijë nxënës në rang vendi, të cilët do të duhet të ecin më shumë kilometra drejt shkollës më të afërt për të nxënë dije me bashkëmoshatarët e tyre.

lindita nikolla

Ky është plani i Ministrisë së Arsimit, i bërë publik një ditë më parë, në përgjigje të akuzave për mbylljen e shumë shkollave. Ministrja Lindita Nikolla thotë se s’bëhet fjalë për shkolla, por klasa kolektive, një problem i mbartur në kohë dhe që po adresohet siç duhet. “Nuk kemi synim mbylljen e shkollave, por mbylljen e klasave kolektive, klasa me nxënës të moshave të ndryshme, ku numri i nxënësve është 3 dhe 5”.

Rigrupimi i klasave kolektive nuk është diçka e re. Edhe më herët, ka qenë vetë ministrja që ka deklaruar se shkollat me më pak se 30 nxënës do të grupohen me shkolla të tjera me qëllim që mësimi të përthithet sipas grupmoshave. Në të gjithë vendin numërohen 937 shkolla të tilla.

PLANI I MINISTRISË

Planet për racionalizimin e shkollave kanë nisur që vitin e kaluar me identifikimin e klasave kolektive dhe testimin e njohurive të nxënësve në shkrim e lexim. Kjo i hapi rrugë një procesi më të thelluar, me shqyrtimin e mundësive për transferimin e tyre. “Kemi parë secilën klasë, kemi matur largësinë nga shtëpitë e nxënësve nga shkollat e tjera më të afërta, kemi parë kushtet e punës në këto klasa e kemi dërguar ekipe që të ecin në këmbë rrugët që përshkojnë vetë nxënësit”, nënvizoi Nikolla.

Pas kësaj, është hartuar plani i veprimit, ndërsa tashmë pritet urdhri për transferimin e nxënësve në shkollat më të afërta si dhe sistemimin e mësuesve.

“Paralelisht kemi studiuar modelet më të mira që sigurojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit në klasat që e kemi të pamundur të mbyllim. Ky është dhe hapi i katërt i ndërhyrjes sonë: kemi mbledhur udhëzues dhe doracakë, me shembuj të orëve mësimore dhe metodave më efektive, që i kemi përkthyer e përshtatur për t’i ndarë me mësuesit e klasave kolektive”, bëri me dije Nikolla në deklaratën për shtyp. Përpjekjet e ministrisë nuk ndalen këtu. Me rrjetin profesional të mësuesve synohet përmirësimi i zbatimit të kurrikulës së re edhe në zonat malore, njëlloj si në qytet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura