Nikolina Kola, kryetare e PS në Greqi: Pse e mbështeta Tom Doshin, kur miqtë e vjetër i kthyen krahët

Jul 24, 2015 | 11:40
SHPËRNDAJE

Deputeti Tom Doshi me kryetaren e Forumit Eurosocialist në Greqi, fotoja që bëri “xhiro” në web
Deputeti Tom Doshi me kryetaren e
Forumit Eurosocialist në Greqi,
fotoja që bëri “xhiro” në web
Fotografia bëri xhiron e rrjeteve sociale. Një brune simpatike e rinisë socialiste shijonte e buzëqeshur një pije me deputetin Tom Doshi, ndërkohë që miqtë e tij të vjetër të politikës i hoqën imunitetin dhe e përjashtuan nga Grupi. Quhet Nikolina Kola, 21 vjeçe dhe është kryetare e Forumit Eurosocialist në Greqi. Ajo erdhi nga Selaniku dhe u takua me Tom Doshin duke i dhënë mbështetje, në një kohë kur kolegët e Parlamentit i shmangen, kush hapur e kush me stil…
Nikolina Kola, në zyrën e PS-së në Greqi
Nikolina Kola, në zyrën e PS-së në Greqi
Kur katër muaj më parë nisi historia e akuzave të Tom Doshit ndaj kreut të LSI-së Ilir Meta, si iniciator i një skenari për vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi, kolegët e majtë iu larguan deputetit të Shkodrës. Kush hapur e kush me stil, deputetët e PS-së dhe LSI-së u përpoqën që ta shmangnin Tom Doshin, ndërsa aprovuan me votë heqjen e imunitetit të tij, duke i hapur udhë hetimit të akuzave dhe kundërakuzave, që tashmë janë në një proces që ndodhet në Gjykatën e Lartë. I përjashtuar edhe nga Grupi i PS-së, Tom Doshi u rikthye javën e kaluar në Parlament me rastin e vizitës së Presidentit të Parlamentit Europian, Martin Shultz, por përveç disa deputetëve tek-tuk që i buzëqeshnin gjysmë të ngrirë e me frikëra partiake, kolegët e majtë vijojnë t’i përvidhen përballjes me deputetin shkodran. E në këtë atmosferë, nuk kishte si të mos bënte përshtypje guximi i një socialisteje të re, që me një fotografi të publikuar në Facebook sfidoi burrat e selisë rozë.

Quhet Nikolina Kola, 21 vjeçe dhe është kryetare e Forumit Eurosocialist në Greqi. Brunia simpatike erdhi nga Selaniku dhe u takua me Tom Doshin duke i dhënë mbështetje miqësore e politike, por edhe krahinore, duke qenë se vijnë nga e njëjta zonë. Të paktën kështu shkruan Nikolina në statusin dhe komentet që shoqërojnë fotografinë e postuar në FB, ku të dy shihen duke pirë diçka në lokal. Si për ironi, në të njëjtën ditë, dy deputetë të PS-së, dikur miq të ngushtë të Tom Doshit, i kishin kthyer krahët sikur nuk e panë, duke ndërruar lokal me shpejtësi. “Njerëzit sillen sipas interesit dhe perceptimit të tyre”, thotë Nikolina Kola, teksa flet për gazetën “Panorama”…

Deputeti Tom Doshi u rikthye në Parlament dhe ndërkohë kolegët deputetë nuk i folën, ose ndokush i foli shkarazi. Ndërkaq, ju publikuat fotografi me të, duke e shoqëruar me diçiturë mbështetëse. Pse e bëtë këtë, çfarë mesazhi dëshironit të përcillnit?
Qëllimi dhe slogani im është i thjeshtë: “Vazhdo drejt, me nder, sepse e drejta zhytet, por nuk mbytet”. Njerëzit sillen sipas interesit dhe perceptimit të tyre: qofshin ata që e shikuan dhe nuk i folën, kur deri dje mbanin qëndrim mbështetës; apo qofshin ata që e përshëndetën shkarazi, por të paktën nuk e mohuan.

Çfarë mendoni për sjelljen e deputetëve apo aktivistëve të tjerë të PS-së, të cilët po i shmangen Tom Doshit? Shmangen, sepse vërtet mendojnë se Tom Doshi ka sajuar historinë e atentatit ndaj tij, apo se kanë frikë nga Kryeministri Rama?
Kryeministri Rama është një zotëri i respektuar. Problemi nuk qëndron tek ai, por te zgjedhjet e atyre që e rrethojnë atë. Shqiptarët shquhen për burrninë, trimninë dhe nuk besoj t’i tremben presionit të askujt. Mendoj se janë të influencuar më tepër, por kjo gjë është hesapi i tyre. Njerëzit e vegjël zakonisht shmangin përballjet, u druhen. Normal, kur kanë hile…

Po ju si mendoni: A është e vërtetë historia e atentatit? Çfarë dini ju rreth kësaj ngjarjeje?
Zoti Doshi nuk ka nevojë për komente të tepërta, sa i takon personalitetit të tij. Një malësor besnik, me nder dhe njerëzit e tillë nuk sajojnë apo shpikin. Kaq besoj mjafton.

Ju jeni kryetare e Forumit Rinor Eurosocialist. Duke mbështetur publikisht Tom Doshin, a nuk rrezikoni që t’ju mënjanojnë nga PS?
Në fakt me kohën që ka ardhur, pyetja është me vend, por unë besoj te rregulli dhe ndershmëria e regjimit. Ne jemi në demokraci. Si pasojë, jemi të lirë të zgjedhim aty ku na duket e drejtë dhe e përshtatshme. Përkrahja ime le të jetë një shembull pozitiv, që domethënë se përplasjet në jetë apo në politikë mund të jenë të shumta dhe të vazhdueshme. Ama, kjo nuk do të thotë të ngrihen kundër, të krijohen përçarje dhe më pas të krijohen aleanca pesimiste në ndikim të shoqërisë, e rrjedhimisht të Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë për njerëz të zotë, të bashkuar. Nuk duhet që, me problemin e parë që përballemi të krijojmë shmangie. Përkundrazi, të analizohen situatat dhe të gjenden mundësi për të ecur përpara.

Çfarë vlerësoni te Tom Doshi në politikë?
Vlerësoj ato që duhet t’i ketë çdokush në fakt: guximin, aftësinë, ndershmërinë!

Po nga socialistët e tjerë në parti, kë do të vlerësonit dhe kë do të kritikonit?
Nuk më pëlqen të përmend emra konkretë. Emrat konkretë përmenden kur individin e ke përballë, qoftë për mirë apo jo për mirë, për të shmangur keqkuptimet. Ajo që mund të them është se përkrahësit e kësaj aleance socialiste janë njerëz që përpiqen fort!

Kryeministri Rama ka emëruar në disa poste kyçe drejtuese femra nga Partia Socialiste. E shihni PS-në si një parti ku femrat mund të bëjnë karrierë?
Femrat e afta, të zonja, aftësinë e tyre e shprehin kudo me vepra e sjellje korrekte, pavarësisht përkatësisë partiake.

Cilat janë ambiciet tuaja në politikë dhe ndërkaq, për çfarë jeni arsimuar?
Politika është e bukur kur ka njerëz me kreativitet, që punojnë me shpirt për mirëqenien e popullit! Sa i takon ambicies, njeriu synon gjithnjë e më lart, ashtu edhe unë. Realisht kam mbaruar të mesmen Ekonomi-Biznes dhe studimet do t’i vijoj në këtë degë, për të vënë më pas njohuritë e mia të fituara në shërbim të politikës. Dua që të jem sa më e informuar në fushën e ekonomisë, pasi është sektori kyç i zhvillimit të një vendi. Dhe unë dua të kontribuoj për zhvillimin e Shqipërisë…

Në rast se Tom Doshi do të formonte parti të re, do t’i bashkoheshit kësaj force politike?
Zotit Doshi i uroj shumë të mira në rrugën e tij të gjatë dhe të sigurt në politikë. Është dhe do të mbetet figurë e nderuar në politikën shqiptare, por theksoj se bashkëpunimi është rruga e duhur për një Shqipëri të bekuar.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura