Niko Dhales: Si i zhdukja me pagesë kokat e udhëheqësve

Feb 23, 2015 | 16:31
SHPËRNDAJE

Avni Delvina dhe Niko Dhales në vitet e rinisë

U deshën të kalonin 25 vjet që Niko Dhales të rikthehej në Tiranë si piktor. Do të sjellë me vete një copëz Italie apo Parisi, vendet që e mirëpritën edhe pse i huaj. Në datën 25 shkurt, së bashku me mikun e tij, piktorin Avni Delvina, do të hapë në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën “25 vjet më pas”.

Një mundësi për të treguar se sa ka evoluar arti i tij në këtë çerekshekulli, por edhe për të takuar miqtë e dikurshëm. Dhales e ka filluar pikturën që fare i vogël, i shtyrë nga i ati. Pikënisja do të bëhej një vizatim i vogël i botuar në revistën “Fatos”, për të vijuar me një rrugëtim të vërtetë, që do ta bënte një peizazhist të njohur dhe anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Do të largohej si shumë shqiptarë fillimisht drejt Italisë e më pas në Francë, ku vazhdon pikturën me kohë të plotë. Në prag të hapjes së ekspozitës, Dhales tregon për rikthimin, jetën e tij jashtë shtetit, largimin, por edhe jetën para viteve ’90, kompromiset me realizimin socialist dhe eliminimin e kokave të udhëheqësve nga fotografitë e kohës, pas “djegies” së tyre politike. Dhales dhe miku i tij Delvina e tregojnë jo pa humor kohën kur ai ishte një “killer me pagesë” i kokave të udhëheqjes.

Ç’ju solli në Tiranë pas 25 vitesh?

Për ne ishte pikërisht tani koha për t’u rikthyer. Është si ato përvjetorët e martesave, një “përvjetor i argjendtë”. Kthehemi pas 25 vitesh, me një ekspozitë në gjininë e akuarelit dhe të bojës së kinës, me peizazhe nga vendi ku rrimë. Unë jam më tepër klasik, ndërsa Avniu është bashkëkohor, me kompozime në të tjera teknika, që janë shumë të suksesshme dhe janë përdorur edhe në shtypin italian. Besojmë se do të jetë një ekspozitë që do të mirëpritet nga publiku dhe kritika e artit, pasi mendoj se do të gjejnë diçka të re dhe të bukur.

Përse pritët kaq gjatë?

Kjo ka qenë për shkak të lëvizjeve të mia. Deri në vitin 2010 kam jetuar në Rimini dhe më pas u zhvendosa në Paris, ku pashë një perspektivë më të madhe artistike dhe financiare. Pasi u bëra qytetar italian, pata mundësi të shkoj në Paris, për të gjetur edhe forma të tjera arti. Duke marrë eksperiencën e jashtëzakonshme italiane, e kisha të lehtë të shkoja në Paris, në qytetin ndërkombëtar të artistëve, që përkrah multinacionalitetin. Duke qenë shqiptar dhe italian e shihja me një këndvështrim tjetër Parisin dhe besoj se kam arritur të kap shpirtin e këtij qyteti në peizazhe, duke i parë edhe nga ana ekologjike.

Ju vazhdoni të jeni piktor me kohë të plotë apo jo?

Unë jam piktori i parë dhe i vetëm shqiptar që marr pjesë në sheshin e piktorëve Place du Tetre në Montmartre. Kam fituar licencën, duke marrë pjesë në një konkurs, që zhvillohet një herë në katër vjet, kur lirohet ndonjë vend. Rrethi është shumë i mbyllur. Aty kanë pikturuar piktorët më të mëdhenj të epokave, kështu që është një nder për mua dhe familjen time, por edhe për Shqipërinë që përfaqësohet në Monmartre, në Sacre coeur, aty ku çdo vizitor i botës kalon, qoftë edhe një herë.

Ndryshe nga miku juaj, ju nuk u larguat nga Shqipëria me “ambasadat”. Si qe largimi drejt Italisë?

Unë nuk pata mundësi të hyja në ambasada, sepse nuk e mësova ç’kishte ndodhur. Kur shkoj pasdite të marr Avniun për të dalë, më thotë e ëma që është futur në ambasadë. Kur shkova atje, ajo ishte mbyllur. Për fatin tim unë mbeta në Shqipëri dhe ika një muaj më vonë me vizë nga Ambasada Italiane. Duke qenë se njohjet nuk më mungonin, mora një vizë në ambasadë dhe ika me tragetin e linjës në Trieste. Aty na bënë një pritje shumë të mirë, na mbajtën në hotele për një vit, deri sa gjithsecili u stabilizua me shtëpi e punë.

Si u ritakuat?

Pikërisht aty u takuam me Avniun. Ishte fati ynë që ishim piktorë dhe patëm mundësi të punonim dhe të hapnim ekspozitat tona së bashku e personale. Patën sukses për dy motive, sepse ishim piktorë të përgatitur, por sepse më në fund ne e shihnim botën me sytë e lirisë. Kjo pati jehonë edhe në shtypin italian. U vlerësuam si nga ana artistike dhe monetare.

Duket sikur nuk e keni pasur të vështirë të integroheni…

Ne nuk e patëm të vështirë të integrohemi. Kjo për shumë faktorë. Ne vazhduam të ndiqnim zakonin e të punuarit ditë për ditë dhe patëm mundësinë të tregonim sesa të zotët ishim. Duke qenë emigrantë, patëm fatin të takojmë nga personalitetet me të njohura të kohës, që nga Giulio Andreotti, tek artistët, të cilët kishin kuriozitet të njihnin piktorë nga Shqipëria, me historitë tona.

Sa ka ndryshuar arti juaj, prej kohës që jeni larguar?

Njeriu evoluon me kohën. Duke parë, duke marrë, duke shkëmbyer eksperienca me artistë të huaj, ndryshon pa e kuptuar. Po duke qenë se ne e kishim marrë një bazë, edhe në shkollë, edhe në jetë, e patëm më të lehtë për të evoluar. Dhe arritjet janë të mëdha, krahasuar me Shqipërinë, si nga ana e teknikës, por edhe subjektet që të ofrohet. Italia dhe Parisi për peizazhistët ofrojnë shumë

Jeni të informuar mbi atë çka ndodh në art, në Shqipëri?

Tashmë teknologjia i ka shkurtuar shumë rrugët. Jemi gjithnjë në kontakt me atë që ndodh në Shqipëri, aq sa na duket sikur jetojmë këtu, apo shqiptarëve jashtë shtetit. Tashmë Europa është e lirë dhe kushdo mund të punojë ku të dojë.

Ka një komunitet artistësh shqiptarë në Paris?

Ne jemi të lidhur me komunitetin e artistëve në Francë, që është “La maison des artistes” në Paris dhe aty ka edhe piktorë shqiptarë. Nuk krijojmë komunitete të vogla, që do të dukej provinciale. Duke qenë në shtëpinë e artistëve, kemi mundësi të takohemi dhe të shkëmbejmë eksperiencat tona. Në Francë ka shumë artistë shqiptarë, që kanë arritur një nivel shumë të mirë jetese dhe profesional.

Shumë i konsiderojnë italianët racistë…

Kam jetuar me vite në Itali dhe nuk e ndaj këtë mendim. Është më shumë shprehje e kompleksit të inferioritetit të shqiptarëve karshi të tjerëve. Madje shqiptarët janë inferiorë edhe ndaj vetes, imagjinoni ndaj të tjerëve. Ka pasur shumë shqiptarë që i konsideronin tiranasit racistë, kur vinin nga periferitë…

Ju nuk keni pasur probleme të hapura me regjimin, përse ikët nga Shqipëria?

Problemi im me diktaturën, ishte ajo e gjithë shqiptarëve. Kam pasur studion time të pikturës, por ika për krijimtari artistike më të lirë. Dhe vendin e parë zgjodha Italinë, duke qenë djepi i kulturës botërore. Aty mendova se do të gjeja vetveten dhe do të mund të shprehesha më lirshëm në pikturën time dhe mendoj se kam bërë mirë, sepse e ndiej veten që jam pozicionuar mirë në vendin ku jetoj.

Ju ishit djem rebelë asaj kohe, si ia bënit për t’iu përmbajtur kornizave të realizmit socialist?

Nëse doje t’i përshtateshe me realizmin socialist, duhet të krijoje kompozime, kështu do të ishte edhe më i vlerësuar financiarisht. Mjaftonte të shtoje një figurë me një kazmë dhe një lopatë dhe ia rrisje vlerën punës tënde nga 5000 lekë në 8800 lekë, deri në 28000 që ishte kompozimi. Askush nuk të thoshte asgjë, por nëse doje të ishe i partishëm, bëje një kompozim dhe merrje lëvdatat e partisë. Nëse do të bëje peizazhe, do të ishe thjesht një peizazhist, sa do të shanin e as do të pëlqenin. Kush bënte kompozime, donte pa i bënte.

Ishte çështje kompromisi?

Ishte kompromis me veten, me Partinë dhe me paranë.

Ju çfarë kompromisi kishit zgjedhur?

Zgjidhja më shumë peizazhin që e bëja më lehtë dhe ishte në natyrën time. Ishte më i lirë, më komod dhe e dija që nuk do të kisha vërejtje nga Partia.

Nuk keni pasur ndonjë rast “përplasjeje” me Partinë?

Unë kam qenë “killer me pagesë” në art. Duke punuar në Muzeun Historik Kombëtar, kam “deformuar” historinë e Shqipërisë dhe kam zhdukur kush e di sa koka udhëheqësish. Dhe është hera e parë që kërkoj falje që e kam bërë këtë gjë, pa dashje, por edhe për para. Sa më e “madhe” të ishte koka, aq më shumë paguhej. Nëse do të zhdukja Mehmet Shehun, merrja 1 mijë lekë. Nëse do të fshija Kadri Hazbiun merrja 800 lekë. Sipas kokës, edhe pagesa.

Retushonit fotografi apo piktura?

Unë retushoja fotografi, “qëroja”, “pastroja” historinë, duke e lënë me pak veta. Njerëz si Mehmet Shehu kam bërë mirë që i kam zhdukur, pasi e di që nga im atë që e ka pasur në klasë te “Harry Fultzi”, që ka qenë njeri i keq dhe nuk kam pasur asnjë “simpati” për të. E mbaj mend që kur kam qenë i vogël që im atë më ka thënë, që ai ka qenë spiun që në kohën e Fultzit. Kështu që këtë “vrasje” e kam bërë me qejf, ndërsa të tjerat i kam bërë për pagesë.

Besoj puna u shtua pas ’70-s?

Pas ’70-ës, sa më shumë grupe armiqësore, aq më shumë punë kishte për ne.

Si jua besonin “eliminimin” e kokave?

Kam punuar në Muzeun Historik Kombëtar, që në fillimet e tij, në sallën e Mesjetës. Duke qenë artist, ma besonin mua këtë punë. Por procesi i “zhdukjes së kokave” i besohej një rrethi shumë të ngushtë. Zhduknim gjithë figurën dhe nxirrnim përpara atë që ishte në radhën e dytë, që ka pasur raste që na është dashur ta heqim edhe atë më vonë.

Ju ka ndodhur t’i ktheheni sërish së njëjtës fotografi?

Disa herë i jam kthyer. Madje në disa fotografi më është dashur të shtoj figura që nuk kanë qenë fare atje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura