Nik Xhelilaj do të jetë prezanues i Festivalit të 50-të të Këngës

SHPËRNDAJE

Pas shumë diskutimeve brenda stafit drejtues të Festivalit të 50-të të Këngës, se kush do të ishte prezantuesi i këtij viti jubile, më në fund është vendosur që këtë edicion ta prezantojë aktori i njohur 28-vjeçar, Nik Xhelilaj. I komentuar si mashkulli simpatik i filmave më të fundit të kinemasë shqiptare, me tiparet e djalit mesdhetar, për drejtuesit e këtij festivali ka qenë personi më bindës për të prezantuar aktivitetin më të madh muzikor të vitit. Lajmi është konfirmuar nga drejtori i festivalit, Martin Leka, i cili ka pohuar se Nik Xhelilaj do të prezantojë së bashku me dy partnere, emrat e të cilave do të behën të ditura brenda këtyre ditëve”. Për aktorin e Teatrit Kombëtar, kjo është eksperienca e parë si prezantues, ndërkohë që për sa i përket pjesëmarrjes së tij në një show televiziv, e fundit ishte gara në “Dancing with the stars”, një spektakël i transmetuar në “Vizion Plus”. Jemi kureshtarë të shohim se si do të shfaqet Niku si prezantues në festivalin me regji të Osman Mulës dhe skenar të Pandi Laço e Edlira Birkos. Ndërkohë që tashmë është hedhur shorti i natës së parë dhe natës së dytë, dhe kanë nisur provat e këngëtarëve dhe orkestrës që do të jetë 100% live. Festivali do të jetë katër net, duke filluar nga 26 dhjetori. Në natën e parë dhe të dytë do të bëhet prezantimi i këngëve, nata e tretë do të jetë nata gala, ku këngëtarë të njohur të brezave të vjetër dhe të rinj do të këndojnë 28 këngët më të zgjedhura të festivaleve në vite, dhe nata finale, ku do të shpallet këngëtari fitues, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong. Pesëdhjetëvjetori i Festivalit të Këngës në RTSH do të mund të konsiderohet si gara e këngëtarëve meshkuj të karrierës. Sipas drejtorit të Festivalit, Martin Leka, ky edicion do të zhvillohet 100 për qind live, pasi jo vetëm këngëtarët do të këndojnë live, por edhe orkestra e RTSH-së e një bandë orkestrale që do të drejtohet nga udhëheqësi artistik i edicionit të sivjetshëm, Shpëtim Saraçi. Ndërkohë që konkurrenca do të jetë mes këngëtarëve: Altin Goci, Bashkim Alibali, Bojken Lako, Claudio la Regina, Dr. Flori, Elton Deda, Endri dhe Stefi Prifti, Entela Zhula, Evans Rama, Frederik Ndoci, Goldi Halili, Iris Hoxha, Kamela Islamaj, Kujtim Prodani, Mariza Ikonomi, Marjeta Billo, Marsida Saraçi, Orinda Huta, Rona Nishliu, Saimir Braho, Samanta Karavello, Xhensila Myrtezaj etj. Gjithë show-n do e drejtojë Nik Xhelilaj, prezantuesi që u vendos pas tërheqjes së Adi Krastës. Vitet e fundit, RTSH ka eksperimentuar me prezantuesit e këtij festivali, të cilët më së shumti kanë qenë këngëtarë dhe aktorë. Për sa i përket karrierës si aktor, Xhelilaj së fundi po punon me xhirimet e një filmi të ri në Londër. Jehona e tij e fundit si aktor i sukseshëm ka qenë me filmin “Shqiptari”, ku vlen të përmendet se në fillim të vitit ky film u shpall fitues i çmimit “Max Ophuels”.

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.