Nijaz Lena sfidon Kukësin: Na duhen pikë, fiton Teuta

Dec 17, 2017 | 12:00
SHPËRNDAJE

Teuta e pret e motivuar përballjen me Kukësin, të vlefshme për javën e 15-të të Kategorisë Superiore. Suksesi me goleadë ndaj Kamzës në Kupë ka rritur entuziazmin te “Djemtë e detit”, që shpresojnë të vazhdojnë me të njëjtin ritëm edhe sot në orën 16:00.

Lena

Në stërvitjen përmbyllëse trajneri Gugash Magani punoi më tepër me mbrojtësit. Kukësi nuk po kalon një moment të mirë në kampionat, por për kapitenin e Teutës, Nijaz Lena, durrsakët nuk duhet t’i besojnë ecurisë së verilindorëve. “Kukësi meriton respekt, pavarësisht humbjeve të fundit. I vlerësojmë kundërshtarët, por kërkojmë të marrim maksimumin”, theksoi Lena për “Panorama Sport”.

Ecuria negative e Kukësit është plus apo minus për ju?

Realisht ne na intereson më shumë ecuria jonë sesa e kundërshtarit. Ata do të kërkojnë të hedhin pas krahëve këtë moment dhe mendoj se është më tepër një element negativ.

Ju shqetëson klasifikimi, pasi një tjetër dështim mund të prishë gjithçka?

Sigurisht, ndodhemi në pozita aspak komode. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne, sepse klasifikimi nuk është ai që duam dhe kemi nevojë për pikë ndaj Kukësit. Do të kërkojmë të marrim maksimumin duke dhënë gjithçka në fushë.

Ju e njihni shumë mirë Kukësin, ku duhet të fokusoheni për t’i thyer?

Kukësi ka disa lojtarë të shpejtë dhe nuk duhet të lëmë hapësira mbrapa, pasi ata janë të aftë ta “shpikin” golin. Gjithashtu ata janë shumë të zotë edhe në goditjet standarde.

Formacioni

Keni shfaqur shumë probleme, ku mendoni se duhet të forcoheni në merkato?

Çdo ekip ka nevojë për merkato, edhe ne kemi. Gjithsesi, tani ne duhet të fokusohemi vetëm te këto dy ndeshje që kanë mbetur për të marrë më të mirën, pastaj kemi kohën e mjaftueshme për të menduar.

Si ndiheni pas dëmtimit, jeni gati të zbrisni sot në fushë?

Dëmtimi më mbajti disa ditë jashtë ekipit, por them se e kam hedhur pas krahëve. Jam 100% i fokusuar te sfida me Kukësin dhe gati të ndihmoj ekipin.

Drilon Xhepollari

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura