Nigeriani Emerun “braktis” grumbullimin e Tiranës

Jul 25, 2016 | 12:50
SHPËRNDAJE

Prej të hënës së kaluar Tiranës iu bashkua në Serbi një nigerian. Emeka Emerun u vendos nën urdhrat e Ilir Dajës, megjithatë edhe pse u prezantua si një përforcim për sulmuesin, ai me grupin është stërvitur vetëm një ditë, ndërsa nuk u aktivizua në miqësoret e luajtura.

emeka emerun

Madje, edhe dje ai ka vijuar programin i diferencuar gjatë seancës së pasdites, ndërsa në mbrëmje burime për gazetën zbulojnë se ka bërë gati valixhet dhe ka lënë resortin ku akomodohet Tirana. Nuk dihet qartësisht nëse është larguar përfundimisht apo do të rikthehet sërish, megjithatë kjo gjë do të saktësohet nga vetë klubi në vazhdim.

Në fakt, e vetmja gjë e qartë deri më tani është se sulmuesi nigerian është përshëndetur me lojtarët pas seancës së djeshme, duke paralajmëruar kështu një “divorc” të parakohshëm.

Merkato

Bardheblutë nuk duan që të nxitohen në merkato. Drejtuesit po përpiqen që të shmangin gabimet e së shkuarës, ndaj çdo lëvizje që po bëhet në hyrje po studiohet mirë. Sulmi mbetet një nga repartet më problematike. Në dispozicion gjatë javës së fundit ka qenë vetëm Grent Halili, ndërsa afrikani është stërvitur më së shumti veçmas.

Tirana-Ndikumana-flet-201

E gjithë kjo situatë detyron klubin që të gjejë me çdo kusht të paktën dy “bombera”. Pritet Selemani Ndikumana, megjithatë ende nuk ka asnjë zhvillim për rikthimin e shumëpritur. Kapiteni i Burundit, i pyetur për ndonjë të re rreth të ardhmes së tij te bardheblutë, ka thënë shkurtimisht: “Ende asgjë”.

ADELA MERKO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura