Nicole Kidman: Më vështirë të luash emocionet, se një skenë seksi

Oct 15, 2012 | 15:47
SHPËRNDAJE

Duket se koha ka ndalur për të. E bukur dhe e rrezikshme, Nicole Kidman në moshën 45-vjeçare është në kulmin e karrierës së saj. Ndërsa ka nisur xhirimet për filmin dedikuar Grace Kelly-t, po trondit me filmin “Paperboy”, ku luan rolin e një femre të fiksuar pas një krimineli të burgosur dhe shfaqet në skena të forta seksi.

Nicole Kidman, 45 vjeç, një Oskar, një burrë (këngëtarin Keith Urban), dy vajza (dy fëmijët e tjerë të adoptuar me Tom Cruise duket se kanë rënë në harresë)… Nuk i intereson nëse karakteri i saj është tronditës apo jo. Në emër të artit, në emër të lirisë së artistit – ajo çka dëshiron edhe më shumë – në emër të refuzimit të saj për të qenë konformiste, ajo afirmohet, në mënyrën e saj, aktore militante. Në emër të kësaj lirie dhe të ligjit të të kundërtave, ajo ka filluar në Paris xhirimet e një një bioptiku, nënshkruar nga Olivier Dahan, dedikuar Grace Kelly-t. Po ndërkaq roli i saj në “Paperboy”, ku ajo shfaqet në disa skena të forta seksi, po bën bujë. Shumë shikues janë shokuar…

Është deri diku befasuese t’ju shohim në “Paperboy”, një film që nuk ka asgjë të përbashkët apo në shijen tuaj të mëparshme…
Jam impenjuar në një terren rrënjësisht të ndryshëm, një terren ku pres të stimulohem dhe të vihem në rrezik. Dua të provoj gjëra të reja, t’i kthej shpinën vetëkënaqësisë dhe frikës, që mund të vijnë lehtë në një karrierë: në një moment të caktuar shumë aktorë bëjnë zgjedhjen e vetëmbrojtjes në vend që të rrëzojnë barrierat.
A është e lehtë të largohesh nga shtigje të njohura, ndërsa jeni Nicole Kidman, ylli ndërkombëtar, ikonë e joshjes?
Nuk e konsideroj veten kështu dhe nuk e pranoj këtë përkufizim. Unë nuk jetoj në Hollywood, por në Nashville, Tenesi. Kam dy vajza të vogla, një burrë të dashur dhe këmbët në tokë. Unë nuk punoj për paratë apo bëj ndonjë gjë që nuk më pëlqen. Përpiqem të jem një aktore e sinqertë, nëse kjo fjalë ka ende ndonjë kuptim.
Keni thënë se zgjedhjet tuaja kanë dekurajuar ndonjëherë rrethin tuaj…
Së pari, burri im më sheh paksa si një mercenare. Zgjedhjet e mia janë të pazakonta, sepse nuk jam konsensuale, nuk kam qenë kurrë, dhe kur përpiqem të jem, nuk më ecën.
Çfarë është “konsensuale” për ju?
“Moulin Rouge” për shembull, filmi i mikut tim Baz Luhrmann. Megjithatë, askush nuk e parashikonte në këtë mënyrë! Por unë qesh megjithëkëtë, nuk kërkoj miratim, nuk dua t’i pëlqej gjithë botës me çdo kusht.
Ka te ju diçka ekstravagante?
Jo te gruaja: bëj një jetë të qetë, të një bashkëshorteje. Si një aktore, kam eksploruar botë paralele, pastaj kthehem urtësisht në realitet.
“Paperboy” ka skena shumë të forta seksuale. Keni hezituar?
Jo. Emocionet janë nganjëherë më të vështira për të luajtur, se skenat e seksit. Mbi një pjatë unë jam si një kalë me pafta: mund të ketë vërdallë qindra njerëz, unë nuk shoh asgjë. Për “Paperboy”, çka më trondit më shumë, është ky karakteri femër e fiksuar me një kriminel të burgosur. Nëse Charlotte, heroina, zgjedh një njeri në burg, një njeri që nuk mund të arrihet, ajo është duke refuzuar përballjen me realitetin. Ajo është pa dyshim shumë e kënaqur të imitojë një orgazëm, pa u prekur nga ai dhe ky virtualitet është i mjaftueshëm. Kur burri lirohet, ajo tërhiqet dhe shtyp fatkeqësinë. Jam shumë e ndjeshme ndaj brishtësisë së saj. Dhe histeria e saj nuk është veçse shprehje e një force të brendshme të pakontrollueshme, të një çrregullimi që e çon drejt shitjes dhe humbjes. Në mënyrën e vet, ajo ndjek logjikën e dashurisë së pakushtëzuar.
Gjatë filmit, disa shikues janë shokuar…
Ah… kam qenë kaq e përfshirë në karakterin tim, sa asgjë nuk më dukej e pazakontë, e frikshme apo e rrezikshme. Përkundrazi, sjellja e saj më është dukur mjaft normale. Pastaj, ju e dini, këto gra ekzistojnë, unë kam takuar disa dhe kam kërkuar të vë drejtësi për to. Njëra prej tyre më ka treguar se kur është liruar, i burgosuri me të cilin kishte korrespondencë, ka vrapuar në shtëpinë e saj dhe është përpjekur ta vrasë. Nuk kam dashur që personazhi im të duket karikaturesk. Por Lee Daniels, regjisori, ka qenë garant për këtë: ai vjen nga atje, nga një sfond i disavantazhuar, ku njerëzit e dorëzojnë veten deri në ekstrem.
Çfarë prisni nga “Paperboy”?
Jam e kënaqur që pata mundësinë të eksploroj këto territore të panjohura. Pra, punë e madhe nëse njerëzit janë tronditur. Dua  të punoj me autorët që guxojnë, si Lars von Trier. Ata më përshtaten. Që nga fëmijëria kam qenë gjithmonë e shtyrë nga një imagjinatë shumë e gjallë, kurioziteti im është i pangopur: dua të jem një aventuriere.
Gjithkush ka vërejtur se ju jeni aktore edhe më e mirë…
Më saktësisht, do të thosha se u jam qasur eksperiencave të tjera, pasi përvoja ime është shumë më e pasur sot se 20 vjet më parë. Për shembull, mezi pres të shoh Amour të Michael Haneke, pasi dashuria, vdekja, rrugëtimi dashuror i një jete më intereson personalisht. Jetoj me një njeri që dua dhe mendoj shumë mbi atë që do të më rezervojë jeta me të, kur të jemi më të vjetër.
Mendoni se jeta juaj personale do të jetë po kaq e qëndrueshme sa është sot?
Kjo do të ishte një dëshirë, por askush nuk mund të thotë nëse mund të realizohet. Kjo për shkak se jeta ime dashurore është aq e qëndrueshme, saqë ia lejoj vetes të shkoj aq larg në kinema. Nëse nuk do të kisha këtë dashuri në rritje, këtë siguri dhe këtë atmosferë, jeta ime do të ishte një kaos.
Pranoj eksperienca intensive, por më duhet të kthehem shumë shpejt pranë gjërave që dua: tim shoqi – i besuari im, i dashuri im, miku im – dhe dy vajzat e mia, drita ime. Nëse nuk do të kisha këtë dashuri, këtë siguri, jeta ime do të ishte kaos. Ka ulje dhe ngritje në lumturi, si në të gjithë botën, por ky ankorim është më shumë se i rëndësishëm, është jetësor. Kjo është arsyeja pse jam aq mirë në Tenesi, larg nga njerëzit, nga profesioni: nuk e di se çfarë thonë ose çfarë mendojnë. Arrij deri aty sa mendoj se duhet të jetë shumë bukur të jetosh në një pyll me njerëzit që do, më josh ideja e një sanktuari intim. Mund të përshtatem me rutinën dhe më intereson të di se ku e kam vendin. Në të kundërt çmendesh. Etapa e ardhshme: Grace Kelly … Jam duke studiuar derisa të zhytem në të. Filmi i Olivier Dahan përqendrohet te një vit i vetëm në jetën e Grace Kelly-t dhe jam shumë e kënaqur që e kam këtë nder…
Marrë nga “Le Figaro-Madame”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura