Ngushtohet me 60% hendeku mes të majtës e të djathtës

Jul 1, 2015 | 12:24
SHPËRNDAJE

KASTRIOT ISLAMI

   Pjesëmarrja në shkallë kombëtare më 21 qershor 2015 është ulur me rreth 152 mijë vota ose me rreth 9% krahasuar me zgjedhjet e 2013-s. Ndërkohë, kjo është shoqëruar me zvogëlim të ASHE me rreth 230 mijë vota ose me rreth 8.6 %, nga 62 për qind në 2013 në 53.4 % në 2015. Nga ana tjetër, APPD është rritur me rreth 50 mijë ose vota ose me rreth 6.7% nga 36% në 42.7%. Kjo është një dukuri që ka ndodhur pothuajse në çdo qark, bashki dhe deri QV, diku më shumë e diku më pak. Mund të thuhet se situata elektorale për dy vjet ka tendencë t’i largohet peizazhit të 2013-s dhe t’i afrohet konfiguracionit elektoral e majtë-e djathtë të vitit 2009, duke qenë më pranë tij, por pa qenë ende i njëjtë me atë të vitit 2009. Ndryshe mund të thuhet se hendeku midis ASHE dhe APPD prej 36% në 2013-n është ngushtuar në 2015 deri në 11% ose, e thënë ndryshe, është ngushtuar me rreth 60% hendeku prej 26%, i krijuar në 2013. Tre janë parametrat që shërbejnë si provë/fakt për të arritur në këtë përfundim: i) rënie e ASHE për shkak të rënies së pjesëmarrjes në votime dhe njëkohësisht rrudhje e saj më rreth 230 mijë vota apo rreth 9 %; ii) rritje e APPD me rreth 50 mijë vota ose me rreth 6.7 %; iii) zvogëlim i hendekut midis së majtës e së djathtës, nga 26% në vitin 2013 në 10.8% në vitin 2015. Duhet shënuar gjithashtu se 2.3% nga rënia e ASHE në shkallë kombëtare ka shkuar për të “financuar” kandidatët e pavarur dhe ata të paraqitur nga partitë jashtë dy koalicioneve.

Kjo është vetëm njëra nga shtyllat e analizës; 3 shtyllat e tjera do të ishin: 1) cilësia e zgjedhjeve të përcaktuara qartas në raportin e OSBE/ODHIR dhe PE, të kriminalizuara, të blera, me përdorim parash të pista, me media nën kontroll, e tjerë… 2) rezultati për kandidatët, i paracaktuar në masën të madhe nga ndarja territoriale, oligarkike dhe xherimander, 3) analiza e brendshme partiake, për gjithçka, që nga kandidatët, listat, ekipet, dhe deri tek organizimi, fushata, koalicionet e të tjera.
1. Ecuria në shkallë kombëtare
Pjesëmarrja është zvogëluar më 152 mijë vota. ASHE është zvogëluar me 230 mijë. APPD është rritur me 49 mijë vota. Kurse kandidatët jashtë dy koalicioneve kanë marrë rreth 29 mijë vota më shumë se në 2013-n. Rritja në përqindje e aleancës së djathtë ka ardhur nga dy faktorë 1) ulja e pjesëmarrjes me 230 mijë votues për shkak të refuzimit prej socialistëve të qeverisjes së kësaj maxhorance; 2) rritjes së të djathtës me rreth 50 mijë vota; 3) ndryshimit të mendjes së rreth 80 mijë votuesve që në 2013-n kishin votuar majtas, kurse në 2015-n rreth 50 mijë votuan djathtas dhe rreth 30 mijë votuan për kandidatët e pavarur.

Madje, edhe hendeku midis të majtës e të djathtës, prej rreth 447 mijë (ASHE kishte në 2013 rreth 1 milion e 70 mijë dhe e djathta rreth 622 mijë) është reduktuar në 169 mijë vota (ASHE në 2015 ka marrë rreth 840 mijë vota, kurse APPD ka marrë rreth 671 mijë vota). Përfundimi është i qartë: Në kushtet e veprimit oligarkik e kriminal, përmes abstenimit të socialistëve, dhe ndryshimit të qëndrimit të shumë ish votuesve pro ASHE në 2013 dhe rritjes së APPD, për dy vjet ka një lëvizje të situatës elektorale tejet të deformuar nga veprimi oligarkik e kriminal i 2013 në një situatë elektorale shumë pranë asaj të 2009-s, kur e djathta arriti të merrte 70 mandate.
2. Berati dhe Fieri: ASHE ulje drastike, kurse APPD ngritje e konsiderueshme…
Në qarkun e Beratit, pjesëmarrja është ulur me rreth 7 mijë votues ose rreth 8%. ASHE është rrudhur me 18 mijë votues ose me 15.3%, nga 75.35 % në 60.07 % në 2015. Kurse APPD është rritur me rreth 11 mijë votues, ose rreth 15.5% nga 24.3% në 39.7%. Nga këto shifra rezulton se në qarkun e Beratit ulja e ASHE me rreth 18 mijë votues ka ardhur pak nga mospjesëmarrja (7 mijë votues më pak) dhe pjesa më e madhe nga ndryshimi i qëndrimit elektoral (11 mijë votues që në 2013-n kanë votuar majtas, në 2015-n kanë votuar djathtas).

Një situatë elektorale e ngjashme me atë të zgjedhjeve 2009, pra që gjeneron një ndarje të njëjtë mandatesh kuvendore (5 mandate e majta dhe 3 mandate e djathta). Në qarkun e Fierit, po ashtu pjesëmarrja është ulur me mbi 22 mijë votues ose me rreth 11%. ASHE është ulur me rreth 47 mijë votues ose me rreth 17.2%, nga 70.8% në 2013 në 53.6% në 2015. Kurse APPD është rritur me rreth 25 mijë votues ose me 17%, nga 27.1% në 2013 në 44.1% në 2015. Në këto dy qarqe është rivendosur situata elektorale e zgjedhjeve të 2009-s.
3. Shkodra – kthim masiv drejt “identitetit të djathtë”
Në zgjedhjet e 2009-s, e djathta fitoi 7 mandate, kurse e majta 4 mandate. Në 2013-n, ASHE fitoi 6 mandate, kurse e djathta 5 mandate, duke pasur përmbysjen më të madhe në të gjithë vendin. Shkodra ishte qarku tipik për veprimin oligarkik e kriminal.

Në 2015-n, me një pjesëmarrje të zvogëluar, me rreth 4 mijë votues ose 3%, është arritur që e djathta të rritet me 10.2% nga 43.55% në 2013-n në 53.73% në 2015-n dhe e majta të ulet me rreth 10.5% nga 55. 35% në 2013-n në 44.78 % në 2015-n. Shkodra është qarku ku e djathta me pothuajse të njëjtën pjesëmarrje si në 2013-n ka realizuar rritjen më të madhe, gjë që tregon se votuesit e djathtë janë kthyer masivisht në “shtëpinë e tyre”, duke realizuar ndryshimin më të madh drejt “identitetit te djathtë”. Arsyet e “jashtme” janë disa: i) reagimi tradicional dhe intensiv i votuesve të këtij qarku kundër oligarkisë e krimit; ii) largimi i presionit oligarkik e kriminal ka ndikuar po ashtu pozitivisht; iii) ndërgjegjësimi i votuesve të djathtë për kthim në traditën e djathtë. Megjithatë, mbetet ende edhe pak rrugë për të arritur te konfiguracioni mandator i 2009-s, 7 mandate e djathta dhe 4 mandate e majta.
4. Durrësi, qarku nën veprimin oligarkik e kriminal të njëjtë si në 2013…

Durrësi mund të konsiderohet si qarku që s’ka ndryshuar ose ka ndryshuar shumë pak krahasuar me 2013-n, sepse veprimi oligarkik, i njëjtë por më i sofistikuar në Durrës dhe veprimi kriminal, po aq intensiv në Krujë për blerjen e votave dhe kërcënimin e votuesve, kanë prodhuar pothuajse të njëjtën situatë elektorale si në 2013. Ndonëse pjesëmarrja është ulur me rreth 4.7 për qind ose rreth 7000 votues, ASHE është ulur vetëm me 0.2 për qind, kurse APPD është rritur vetëm me 1 për qind, nga 43.25 për qind në 2013 në 42.29 për qind në 2015. Sfida kryesore për këtë qark mbetet goditja, zbërthimi dhe çrrënjosja e modelit oligarkik e kriminal…
5. Tirana, pjesëmarrje shumë e ulët, veprim oligarkik i nivelit të lartë…
Qarku i Tiranës ka pasur uljen më të madhe në vend të pjesëmarrjes në votime, me rreth 52 mijë votues ose me 11.4%. Por në katër bashkitë e mëdha të këtij qarku, Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Kavajë, veprimi oligarkik dhe kriminal, si dhe përdorimi masiv i parave të dyshimta, kanë çuar vetëm në një ndryshim “modest” të situatës elektorale.

Konkretisht, e majta është zvogëluar vetëm me 7.4%, nga 60.8% në 2013-n në 53.4% në 2015-n; kurse e djathta është rritur me rreth 3.1%, nga 37.9% në 41%. Dhe rreth 4.3% e rrjedhjes së të majtës ka shkuar për kandidatët e pavarur dhe ata të paparaqitur nga partitë jashtë dy koalicioneve. Hendeku midis të majtës dhe të djathtës është ulur nga 23% në 2013-n në 12.3% në 2015-n, pra është ngushtuar me rreth 47%. Veprimi oligarkik, veprimet e individëve me rekorde kriminale, përdorimi i mjeteve të shtetit, kërcënimet ndaj votuesve e kandidatëve, paratë e shumta e të dyshimta, në Tiranë, Vorë, Kavajë dhe Kamzë, kanë qenë të koordinuara dhe orientuara nga drejtuesit më të lartë të shtetit.
6. Në vend të përfundimit…
Nga ky këndvështrim i analizës mund të nxirren disa përfundime. Së pari, efekti tashmë i njohur i ndarjes territoriale, ideuar dhe realizuar për arritjen e dy qëllimeve kryesore i) zgjatjen e oligarkisë qendrore në nivel vendor dhe ii) favorizimin e maxhorancës aktuale për garantimin e fitores në tavolinë përmes teknikës “xherimendër”, është arritur pothuajse plotësisht.  Drejtimi i 45 bashkive nga ASHE është një farsë tashmë e parafabrikuar dhe në kushtet e prezencës së një qeverisjeje oligarkike, e pamundur për t’u parandaluar.

Prandaj, një nga objektivat kryesorë të opozitës mbetet dhe do të duhet të jetë ndryshimi i kësaj ndarjeje territoriale bazuar në 2 kritere i) funksionalitetin e bashkive dhe ii) eliminimin e efektit xherimendër, që favorizon aleancën aktuale. Së dyti, zgjedhjet e 2015-s janë organizuar nga maxhoranca e kriminalizuar dhe oligarkike, për rrjedhojë mund të thuhet se këto zgjedhje janë zhvilluar në një “mjedis acid oligarkik e kriminal”, prezent në të gjitha bashkitë, diku më shumë e diku më pak dhe në shumë raste, ku mjedisi ka përcaktuar rezultatin njëlloj si në 2013-n apo ka penguar kthimin në normalitet. Së treti, shumica e socialistëve, të zhgënjyer e deri të revoltuar nga qeverisja antisocialiste kanë reaguar kryesisht duke abstenuar masivisht, rreth 152 mijë votues më pak se në 2013-n kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 21 qershorit 2015.  Së katërti, rreth 80 mijë votues kanë ndryshuar mëndje, nga votues të së majtës në 2013-n, janë kthyer në votues të së djathtës rreth 50 mijë dhe të kandidatëve të pavarur rreth 30 mijë. Kjo situatë elektorale do të çonte në reduktimin e hendekut elektoral, por edhe në reduktimin e “grupit kuvendor” të ASHE (nëse këto zgjedhje do të ishin të përgjithshme) me rreth 10-12 deputetë. Pra, hendeku midis dy grupimeve është ngushtuar me rreth 60 për qind. Kjo do të thotë se në këndvështrimin e zgjedhjeve të 2017-s është hedhur një “hap i rëndësishëm”. Natyrisht, bazuar në gjithçka thënë më sipër për sa i përket i) kontekstit oligarkik e banditesk të veprimit opozitar dhe ii) kthimit realist të së djathtës drejt madhësisë së saj tradicionale mbetet nevoja e “analizës për përmirësimin së brendshmi”, në disa aspekte të tilla, si alternativa qeverisëse, kandidatët, listat, ekipet, organizimi, fushata, koalicionet e të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura