“Ngritje e mundimshme” e Pëllumb Nakos që tenton t’u përgjigjet PSE-ve

May 5, 2022 | 11:40
SHPËRNDAJE

nonda varfi

NGA NONDA VARFI

Ngritje e mundimshme, me autor Pëllumb Nakon, është një përmbledhje publicistike e botuar kohët e fundit, e cila ngërthen një sërë shkrimesh të fokusuara në çështje që lidhen me politikat zyrtare për sigurinë, drejtësinë, policinë dhe sigurinë publike, shoqërinë shqiptare përballë kriminalitetit, të para këto nga këndvështrimi i një specialisti të fushës, me një karriere të gjatë në polici.

Që në fillim, titulli dhe semiotika e kopertinës së librit ngjallin kureshtjen për të kuptuar përse janë zgjedhur, për çfarë ngritjeje bëhet fjalë dhe përse kjo ngritje qenka e mundimshme.

Pa dashur të bëj parafrazim të përmbajtjes, nënvizoj se kjo ngritje lidhet me tematikën e shkrimeve të përmendur më lart; me çështje dhe dukuri ende të pazgjidhura që brejnë shoqërinë shqiptare në këto tridhjetë vite të një demokracie të brishtë, për të mos thënë anarshi; me uljet dhe ngritjet e saj, me shpresën dhe zhgënjimin, ku faji ngelet jetim dhe, me gjasë, rrugëtimi për të mbërritur në Tokën e premtuar nuk ka të sosur sepse, siç shprehet autori: “Në një mënyrë ose një tjetër duket qartë se kolona kryesore ku çalon vendi ynë në hapjen e negociatave është mungesa e goditjes më intensive të korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Por përse gjithë ky korrupsion dhe krim i organizuar në një vend me një popullsi kaq të vogël? Përse jemi kthyer si Sicilia dikur? Në Kolumbi? Përgjigjen e këtyre pyetjeve e japin qartë vëzhgimet dhe analizat realiste të një intelektuali të paanshëm, i cili nuk druhet të shprehë atë që mendon, as të qëndrojë gojëkyçur dhe soditës si shumë intelektualë të tjerë.

Pëllumb Nako, me sa duket, i ka vënë vetes detyrën të thotë të vërtetën, pa mbajtur anën e askujt dhe pa krijuar tymtaja siç ndodh rëndomnë gazetari dhe në mediat tona ku gëlojnë gazetarë, “opinionistë” të gjithëditur që riciklohen e pëgërin ekranet e televizioneve, kompetentë për gjithçka, nisur nga gjinekologjia deri te kibernetika e udhëtimet në hapësirë. Nga leximi i këtyre shkrime mësova shumë gjëra, i bëra vetes shumë pyetje dhe mora shumë përgjigje; herë-herë u trishtova për gjendjen ku ndodhemi, për këtë ngritje të mundimshme, të cilën do ta krahasoja me rrugën e mundimshme drejt kalvarit.

Pyetje të shumta ende të pazgjidhura, që më bënë të guxoj të shprehem. Perse? Përse një vend i bekuar nga Zoti duhet të jetë në këtë gjendje? Një vend që ka mbi 300 ditë diell, kur në Belgjikë marrin ampula vitamine B? Kur në bregdetin tim portokallet vijnë nga gjetiu dhe, në vend që të mbjellim agrume, mbjellim beton ? Përse në Dukat, siç më tha një pronar lokali, mishi i qengjit vjen nga diku gjetiu, sepse, nga 110000 mijë kokë bagëti dikur, nuk kanë ngelur as 10000?

Përse pronari i gjallë quhet ish-pronar, i vdekur, sipas ligjit 7051, ligj që, edhe Revolucioni Francez, po të ngrihej nga varri, do të çuditej? Përse kemi shumë burime ujore, vendi i dytë pas Norvegjisë, katërfish në krahasim me Greqinë, dhe në rubinet nuk kemi ujë të pijshëm ? Përse, duke u nisur nga Tirana për në Vlorë, “autostrada” ka pesë logjika të ndryshme, ku natën mund të thyesh kokën, “autostradë” që nuk përmbush as standardet e rrugëve të Francës të viteve ‘50? Përse prodhojmë kaq shumë politikë që nuk e tresim dot, duke menduar se jemi kërthiza e botës, kur jemi sa një lagje periferike e një qyteti të madh, dhe, duke mos qenë të zotë të zgjidhim hallet tona, i kërkojmë komshiut të afërm apo të largët të na i zgjidhë? Etj., etj.,… Sigurisht, fajet i ka kjo politikë, ata që politikën dhe pushtetin e shohin si mundësi për të fituar dhe për lavdi. Apo për të zëvendësuar fenë (Remark “Tre shokë”). Ndërsa ne të tjerët “Presim Godonë”. Qëndrojmë deri sa thinjemi para portës së (“Kështjellarit” Kafka) për të gjetur drejtësinë.

Ndoshta një ditë do të mbërrijmë atje ku shpresojmë, jo në kalvar, por kjo besoj do të ndodhë kur sekush të marrë përsipër dhe të japë llogari për përgjegjësitë që ka, me një filozofi dhe ideologji të qartë, jo me demagogji, si edhe me guximin që vërejta në qëndrimet e ish-studentit dhe mikut tim Pëllumb Nako, i cili i ka vënë vetes detyrën për të bërë “Luftën e Luftëtarit të Dritës”. Së fundi, dëshiroj ta falënderoj dhe t’i uroj të vazhdojë më tej në respekt të fjalës së lirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura