Ngritja meteorike në pushtet e Merkelit

Jul 9, 2015 | 12:07
SHPËRNDAJE

SYLË UKSHINI

    Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është një nga gratë më të fuqishme në botë. Kjo politikane e partisë më të madhe gjermane, Union Kristiandemokrat (CDU), tani ndodhet në kulmin e fuqisë së saj politike jo vetëm në Gjermani, por me influencë edhe jashtë shtetit gjerman. Është në mandatin e saj të tretë në postin e Kancelares dhe një nga figurat kyçe e më me influencë brenda BE-së. Merkel udhëheq partinë e saj në mënyrë stabël dhe pothuajse në mënyrë të pakontestueshme. Në publik ajo gëzon reputacion të lartë, jo më pak për shkak të mënyrës si ka qeverisur, por shpesh kritikët e akuzojnë për mungesë respekti për opozitën politike, të cilën e dënon duke e injoruar. Stefan Kornelius, për më shumë se njëzet vjet gazetar i politikës së jashtme, e ka njohur personalisht dhe ka punuar me Merkel që nga fillimi i karrierës së saj politike në vitet ’90, vitin e kaluar ka shkruar dhe botuar një libër për Kancelaren Angela Merkel dhe botën e saj, përmes të cilit na jep një portret të plotë dhe bindëse për personalitetin, karrierën, botën, natyrën, karakterin, punën, suksesin politik dhe për rrënjët e saj polake.

Si dëshmitar të dorës së parë për rritjen e saj meteorike në pushtet, në librin e tij biografik “Angela Merkel: Kancelarja dhe bota e saj”, Kornelius hedh dritë mbi karrierën fenomenale politike të Merkelit, duke filluar nga jeta e saj e rinisë në ish-Gjermaninë Lindore, ku ajo kaloi plot tridhjetë e pesë vjet të jetës së saj në një sistem komunist dhe diktatorial, për ngritjen në karrierën meteorike politike në Gjermaninë e ribashkuar dhe ngritjen e saj drejt majave të politikës gjermane, fillimisht duke u anëtarësuar në partinë Demokratische Aufbruch (Zgjimi Demokratik), pastaj katapultimin e saj në krye të CDU-së, për ta bërë realitet ëndrrën e saj më 2005-n, kur zgjidhet Kancelarja e parë femër e Gjermanisë. Në këtë kontekst, autori përshkruan po ashtu tranzicionin interesant të Merkelit nga një qytetare brenda regjimit autokratik te një udhëheqës me një fuqi të madhe demokratike, duke ruajtur vlerat humaniste nga edukimi i saj si vajza e një pastori luteran.

Gjithashtu, në këtë libër ndriçohen anët e forta dhe dobësitë e Merkelit në rrugën e saj të mprehtë të ngritjes së politike në Gjermaninë e ribashkuar, mendjemprehtësinë e saj analitike, mënyrë sistematike të punës dhe ndershmërinë. Në këtë kuadër, trajtohet angazhimi i saj i fortë për shpëtimin e euros dhe ruajtjen e kohezionit të Bashkimit Europian, për rolin e rëndësishëm në politikën europiane. Por, autori pranon se pas shumë vjetësh në krye të qeverisë gjermane, është vështirë të matet mirë se cilat punë janë kryer dhe cilat është dashur të kryhen.

Vitet e panjohura të Angela Merkel
Megjithëse libri nuk ndalet shumë në shtjellimin e viteve të rinisë, ajo në mënyrë telegrafike na sjell disa të dhëna deri më tani të panjohura. Angela Dorothea Kasner, gruaja e parë Kancelare e Gjermanisë, lindi më 1954, në Hamburg. Është vajza e pastorit Horst Kasner dhe e bija e pedagoges së gjuhës angleze dhe latine, Herlind Jentzsch. Fëmijërinë e kaloi në një fshat të Republikës Demokratike të Gjermanisë Lindore. Aftësia e familjes për të lëvizur lirisht mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore gjatë viteve të socializmit, si dhe fakti se kjo familje kishte dhe makina.

Merkel ka studiuar për Kimi në Universitetin e Leipzig-ut, shkollimin akademik e vazhdoi dhe ka marrë titullin e docentit në Kiminë Kuantike, gjithashtu ka punuar për pak me Kohl në nivel kërkimor. Ngjarjet historike të vitit 1989 dhe rënia e Murit të Berlinit e drejtuan Merkel nga studiuese të kërkimeve në fushën e kimisë në atë të politike, duke qenë më aktive se kurrë, duke marrë pjesë në Zgjimin Demokratik të Gjermanisë Lindore. Pas bashkimit të Gjermanisë u zgjodh deputete në Parlamentin gjerman, që nga ajo kohë e deri më sot ka qenë një anëtare e vazhdueshme e Bundestagut. Angela martohet në 1997 me një student të degës së fizikës, Ulrich Merkel, me të cilin u divorcua 12 vjet më vonë, për t’u martuar më pas me profesorin e kimisë, Joachim Sauer, me të cilin ajo jeton aktualisht. Duhet përmendur se kujtesa e parë e saj politike është ndërtimi i Murit të Berlinit në gusht 1961, e dyta vrasja e Presidentit John F. Kennedy.
Zërave të disa autorëve për afërsinë e Kancelares me sistemin e Gjermanisë Lindore, autori u përgjigjet duke argumentuar se Merkel kishte dëshmuar një distancë të madhe të brendshme ndaj sistemit.

Gjatë kohës që ishte e angazhuar në Akademinë e Shkencave të RDGj-së, ajo ka qenë aktiviste partiake, por ky angazhim më tepër kishte qenë një ritual i zakonshëm për personalitetet publike në RDGJ, ashtu si në të gjitha vendet e tjera socialiste. Për çdo intelektual ky qe një kusht i vënë nga partia-shtet. Në fakt, në kohën kur ajo punonte në Akademi, kishte ushtruar një funksion në Freie Deutsche Jugen. Rinia e Lirë Gjermane, por që sipas Merkelit bëhej fjalë për organizimin e ngjarjeve kulturore, blerjen e biletave për teatër ose udhëtimeve.
Nga libri i Stefan Kornelius mësojmë se Angela Merkel ka përshkuar një rrugë politike tejet të suksesshme, duke filluar karrierën e saj si një nëpunësve e rangut të ulët në qeverinë e fundit të Gjermanisë Lindore pas legalizimit të pluralizmit. Një vajzë e rritur në garnizonin sovjetik të qytetit Templin, e hipnotizuar nga Kalifornia dhe të bindur për fuqinë e lirisë dhe fuqinë e argumenteve të tyre, vetëm pesëmbëdhjetë vite më vonë ajo u katapultua në krye të udhëheqjes së shtetit të ribashkuar gjerman.

Gruaja më e fuqishme në botë, karrierën e saj politike në postë ministror e filloi si një “vajzë e Kohl-it” në krye të Ministrisë së Mjedisit, të cilin edhe sot e kujton si momentin më mbresëlënës në këtë pozitë, rastin e kryesimit të Samitit të Berlinit për çështjen e klimës, një maratonë që ka arritur të finalizohet me Protokollin e Kiotos. “Konferenca e Berlinit shpalosi një tipar interesant të Merkel, i cili edhe sot karakterizon punën e saj, për të mos thënë e përcakton: ajo është tepër pragmatike kur e sheh se mund të arrijë një kompromis. Dogmatizmi për të është i huaj, ajo dëshiron të arrijë një rezultat”, shkruan autori (fq.70).
Stefan Kornelius e portretizon profilin e politikës së jashtme të Kancelares, punën e saj tensionuese për shpëtimin e euro-krizës, aktivitetin politik në mes të Uashingtonit dhe Pekinit, si dhe trajtohet me saktësi parimi më i rëndësishëm bazë i politikës së saj  në politikën e jashtme gjermane, që mbetet ndërtimi i marrëdhënieve transatlantike, përkatësisht aleanca me BE-në, SHBA-të dhe Aleancën Transatlantike në zgjidhjen e problemeve rajonale dhe ndërkombëtare. Në këtë kontekst, sa i përket politikës së sigurisë, për Merkel partneriteti i shtetit gjerman me SHBA-të dhe Aleancën Transatlantike mbetet themeli kryesor i politikës së jashtme gjermane.

Ajo është e dashuruar me stilin politik të SHBA-ve, si një vend për të cilin Merkel kultivon dy lloj raportesh, një Amerikë shumë private, ideale, një vend plot ëndrra dhe emocione, si vend të lirisë dhe të realizimit të vetvetes, të cilën ajo e ka njohur në rininë e saj; Dhe një Amerikë zyrtare të viteve si Kancelare dhe të videokonferencave me presidentin e samiteve dhe të politikës së lartë, një Amerikë që qëndron si monolit në peizazhin politik të Kancelares. Ajo ushqen një dashuri për Rusinë, të cilën e kishte vizituar për herë të parë si nxënëse, pasi u rendit në vend të tretë si një ndër nxënëset që ishin njohëse të rusishtes dhe u shpërblye me një udhëtim në Moskë. Ndërkaq, ndaj Vladimir Putinit nuk tregon ndonjë konsideratë, pasi asnjeri nuk e ka rivalizuar me aq këmbëngulje sa Presidenti rus. Është interesant të përmendet edhe perceptimi i Merkelit për François Miterrand, të cilin ajo nuk mund ta duronte për shkak të një vizite të panevojshme në Berlinin lindor në muajt e fundit të RDGJ-së dhe takimit të saj me liderin e fundit komunist, Egon Krenz. Ndër të tjera, lexuesi mëson përse Kryeministri indian, Manmohan Singh, u takon shtetarëve të preferuar të Kancelares Merkel.

Merkel beson gjithmonë te fuqia e lirisë dhe te forca e argumenteve, ndërsa për të politika është një lojë me shumë zero, një koleksion i suksesit dhe dështimit dhe asaj i pëlqen të arrijë një rezultat pa konflikt të madh. “Në politikë më shumë kërkoj bashkëpunim sesa ballafaqim”, ka thënë ajo dhe, duke i bërë një vlerësim korrekt vetvetes, më tej ka shtuar: “Mënyra se si disa politikanë sillen kur duan të imponojnë qëndrimet e tyre, mua më duket madje mjaft e pakëndshme”. Merkel nuk vendosi në një moment të lumtur të historisë Helmut Kohl-in, kancelarin e bashkimit të Gjermanisë, e kishte njohur në marxhinat e Kongresit të bashkimit të CDU-së pak ditë para ceremonive zyrtare të bashkimit më 1990-n. Dhe pikërisht ky takim u bë pikë kthese në kërkimin e majave të politikës gjermane, krahas hyrjes së rrufeshme postet qeveritare, pas zgjedhjeve për Bundestag në dhjetor 1990, Merkel mori detyrën e ministres për Çështje të Grave dhe të Rinisë, ajo filloi të ngjitej edhe në hierarkinë partiake. Në të njëjtën kohë, e kuptojmë se krahas ngritjes në poste qeveritare dhe partiake, Merkel po ashtu nuk ndihej shumë komode edhe në jetën e saj si politikane dhe as nuk mund ta merrte me mend që pjesën tjetër të jetës të mbetej në politikë dhe shpeshherë kishte menduar edhe për çastin e duhur të largimit nga politika. Por, me kalimin e kohës, ajo do të marrë përsipër timonin e partisë dhe përqafon dëshirën për konkurrencë dhe kënaqësinë e fitores.  Kështu, ish-vajza e vogël nga RDGj me mandatin e saj të tretë si Kancelare sot është shndërruar në një grua më të fuqishme në Europë, por sidomos më e fuqishme se çdo kancelar, apo lider tjetër europian. Në fakt, askush nuk besonte në kandidimin e saj për Kancelare të Gjermanisë, se do të fitonte dhe se do të udhëhiqte Europën. Por, për këtë Merkelit i nevojitej të mësonte se duhej të vepronte në skenën ndërkombëtare.

Përfundim
Theksi i biografisë “Angela Merkel: Kancelarja dhe bota e saj”, i gazetarit Stefan Kornelius, është trajtimi deri në detaje i marrëdhënieve personale dhe politike të Kancelares Angela Merkel me udhëheqës të ndryshëm botërorë nga Europa, Azia dhe Amerika, dhe dimensioni i veçantë i marrëdhënieve me shtetin e Izraelit. Po ashtu, libri përmban shumë detaje interesante edhe për raportet me bashkëpunëtorët e saj në kabinet, për mënyrën e organizimit dhe të menaxhimit të punëve lidhur me çështjet vendore, europiane dhe ndërkombëtare, duke spikatur pragmatizmi i saj në çështjet fundamentale, të bazuar në një filozofi të fortë politike, të udhëhequr nga vlerat themelore të lirisë dhe tolerancës. Kornelius e konsideron Merkelin si politikane që vazhdimisht ka forcuar pozicionin si lidershipe nën presionin e krizës gjatë viteve të fundit, për shkak të kujtesës së saj të shquar, përfshirjes së detajuar me proceset e ndërlikuara dhe nganjëherë edhe për sensin e saj humor. Përmes kësaj biografie, lexuesi, pos që njihet me mënyrën e funksionimit të kabinetit të saj dhe të këshilltarëve politikë, mëson jashtëzakonisht shumë për artin dhe qeverisjen e suksesshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura