Ngritja e Gjykatës së Lartë, kandidatët të njëjtin plan për zgjidhjen e dosjeve stok

Feb 28, 2020 | 10:28
SHPËRNDAJE

pjimage

BLEONA METUSHI/ Tre kandidatët që do të zënë një vend në Gjykatën e Lartë, dhanë dje zgjidhje të mundshme për shqyrtimin e numrit të lartë të dosjeve në këtë Gjykatë. 

Statistikat e fundit flasin për një shifër prej 35 mijë e 23 dosje të mbërritura dhe që presin të shqyrtohen, ndërsa brenda një muaji pritet që Gjykata e Lartë të plotësohet me 3 anëtarë. Këshilli i Lartë Gjyqësor intervistoi dje 3 kandidatët që do të zënë një vend në Gjykatën e Lartë dhe brenda 10 ditësh emrat do të dërgohen në Presidencë për të bërë emërimet.

Teksa u pyetën nga anëtarë të KLGJsë në lidhje me mënyrën se si mund të përballohej numri i lartë i dosjeve, tre kandidatët dhanë pothuajse të njëjtën zgjidhje të mundshme, duke iu referuar dhe rolit të ri që, sipas tyre, i kanë dhënë ndryshimet ligjore të vitit 2016 Gjykatës së Lartë.

Kjo “gjykatë duhet të jetë gjykatë ligji dhe jo provash”, tha drejtuesi i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushaj.

Ndërsa më tej edhe dy kandidatët Ilir Panda dhe Ervin Pupe argumentuan se vendimet unifikuese, pilote, do të mund t’u jepnin zgjidhje disa dosjeve njëherësh. Sipas juristëve, Gjykata e Lartë duhet të japë vendime unifikuese dhe interpretimi i tyre të jetë i njëjtë dhe për gjykatat e tjera. Kjo do të zgjidhte shumë çështje.

Teksa pranuan që numri i lartë i proceseve në këtë Gjykatën e Lartë është shqetësues, ata pranuan që ky problem nuk ka ardhur vetëm nga shkrirja, por edhe për arsye të tjera që lidhen me rekurse të panumërta, e “abuziv”.

“Në gjykatën e Lartë mund të krijohet një seksion që të analizojë një grup çështjesh. Nëse çështjet grupohen, Gjykata e Lartë mund të japë vendime pilote. Kjo është një punë që mund të bëhet edhe me ndihmën e KLGJ. Ky grup që do ndihmojë në selektimin e këtyre dosjeve mund të jetë edhe i përkohshëm. Unë kam bindjen që shumë rekurse janë abuzivë. Mundet që në këtë pikë gjykata të jetë më aktive”, tha pedagogu i së Drejtës Civile, Ervin Pupe.

Edhe kandidati Ilir Panda në fjalën e tij tha se duhet të ketë disa kritere që të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë dhe vendimet e saj duhet të jenë detyruese për Gjykatat më të ulëta dhe palët në proces.

“Mendoj që përmes veprimtarisë së saj, Gjykata e Lartë të bindë palët pjesëmarrëse, që për të shkuar te rekursi, duhet t’u mbushet mendja të gjithë anëtarëve që çështjet kanë rëndësi të madhe”, tha Panda. Ndërkohë, në përfundim të mbledhjes së djeshme, KLGJ bëri pikëzimin e tre kandidatëve pas procesit të përzgjedhjes.

“Në përfundim të seancës dëgjimore, Këshilli miratoi vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve, duke i propozuar Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur si më poshtë: Sokol Sadushaj propozohet të emërohet në pozicionin në fushën e së Drejtës Administrative, me 87 pikë; Ervin Pupe propozohet të emërohet në pozicionin në fushën e së Drejtës Civile me 84 pikë; Ilir Panda propozohet të emërohet në pozicionin në fushën e së Drejtës Penale, me 86 pikë”, njoftoi dje KLGJ.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura