Ngjela e quajti islamik të paguar nga Beogradi, reagon Mustafa Nano: Je idiot, e ke trurin sa një gogël

Jul 20, 2017 | 19:01
SHPËRNDAJE

Mustafa Nano ndihet i shokuar nga reagimi për deklaratat e tij se nëna e Skënderbeut ka qenë sllave. Në një bisedë në chat me “Panorama”, Nano i quan të sëmurë mendorë sulmuesit ndaj tij, duke shpresuar që një ditë “do t’u vijë turp”.

nano-ngjela

Shumë veta po shprehen kundër jush, ç’mendoni ju për gjithë këtë?

Jam pa fjalë. Nuk po kuptoj asgjë.

Duket se shumë veta janë lënduar e provokuar, sidomos nga “nëna serbe e Skënderbeut”…

Lënduar? Unë nuk e pranoj konceptin e të lënduarit prej një opinioni a një qëndrimi. Është një koncept mesjetar. Kjo është një çmenduri që ndodh në Shqipëri, e në vende që qeverisen mbi bazën e sheriatit. Pas kësaj histerie, po pres të më lëshojnë një fatva.

Ju nuk gjeni asgjë racionale në kritikat që janë bërë?

Ju i quani kritika? Ky është një tërbim.

Ju vijoni t’i qëndroni mendimit tuaj?

Sigurisht që po. (Nano qesh).

Pse qeshni?

Sepse e gjitha kjo është surreale. E dini çfarë ka ndodhur? Isha duke bërë një bisedë me disa maturantë e studentë në Vlorë. As që e dija që po regjistrohej, por në këtë rrethanë jam i lumtur që është regjistruar. E midis të tjerash, në fund, u thashë atyre diçka lidhur me identitetin tonë të lëvizshëm në kohë. Për ta ilustruar, u thashë se në shekullin XV, identiteti fetar ishte më i rëndësishëm se ai etnik, se martesat mes sllavëve e shqiptarëve nuk ishin një gjë e pazakontë, madje mes feudalëve e aristokratëve ishte një gjë e kërkuar, me synimin për të fuqizuar pushtetin e ndikimin, se Skënderbeu ka qenë më shumë i krishterë sesa shqiptar, dhe se e ëma e heroit tonë nacional ka qenë me origjinë sllave.

Po jeni ju në gjendje ta provoni këtë të fundit?

Nuk është ky momenti e vendi për të ma kërkuar këtë. Dhe nuk është fare kjo çështja.

Po cila është?

Shikoni, I will give you the benefit of the doubt, d.m.th. po e zë se unë e kam gabim, se unë ia kam futur kot, se unë po spekuloj. Por lind pyetja: Ç’ka për t’u tërbuar në këtë mes? Nëse ky nuk është rasti i Skënderbeut, është rasti i shqiptarëve të tjerë të asaj kohe, është rasti i Balshajve që i kanë preferuar ca si shpesh martesat me “shkjetë”. Duhet të themi që Balshajt janë maskarenjtë e mëdhenj të historisë sonë? Duhet te themi se ata i kanë hedhur baltë vetes, si ajo balta që unë më i ligu i shqiptarëve, i paskam hedhur Skënderbeut duke e bërë me nënë serbe?

Një pyetje të fundit: Cili reagim ju ka bërë përshtypje më shumë?

Ka qenë i gjithë kori. Më saktë, mentaliteti i tifozërisë së këtij kori. Më është dukur këto ditë sikur i kisha te dera e shtëpisë, duke më klithur, “për inatin tim”: O sa mirë me qenë shqiptar! Jam i shokuar që njerëz publikë në vitin 2017, siç e thashë, i zë tartakuti prej fjalës “sllav”, që lëndohen kur u vihet në diskutim pastërtia e supozuar racore e një personazhi historik (në këtë pikë më ngjajnë me ata besimtarët fanatikë që elektrizohen kur u përqeshet profeti), që të revoltuar ia bëjnë “mjaft, mjaft, mjaft”, apo që në alarm bëjnë pyetjen “pse, pse, pse”. Më janë dikur si të sëmurë mendorë. Për të mos folur pastaj për atë idiotin që s’e pati për gjë të më bënte islamik të paguar!!!! E dini? Mua më duket e pabesueshme kjo dalldi e këtyre njerëzve. Shpresoj t’u vijë turp një ditë. Jo që m’u vërsulën mua, por që e treguan faqe botës se ma kanë trurin sa një gogël.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura