Ngjarja makabre me tetë viktima nuk paska lidhje me Qeverinë

Aug 14, 2018 | 11:34
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO*nako

Ka shumë gjëra që të tmer rojnë në këtë vrasje makabre të ndodhur në fshatin Resulaj të Vlorës. Por ajo që të tmerron më shumë është fakti se ngjarje të tilla tragjike pasojnë njëra-tjetrën. Diku një i sëmurë mendor i pret kokën një të afërmi të tij diku tjetër, dikush me të meta mendore përdhunon një të mitur dhe tani një tjetër që shuan jetët e tetë personave. Të të gjithë brezave. Pleq, madhorë dhe të mitur. Mëse normalisht, Prokuroria ka kërkuar ekzaminimin e tij mendor. Nuk mund të ketë shpjegim tjetër. Nuk është çështje numri viktimash. Çdo jetë është e shenjtë. Edhe për një individ që humb jetën në kushte të tilla, tronditja publike është e madhe. Diku tjetër, në Elbasan, para ca kohëve, dikush, një prind, humbi jetën sepse e kafshoi një qen i racës “Pitbull”. Një i pafajshëm. Edhe për këtë mund të thuhet se nuk ka lidhje me qeverinë. Ndodh.

Por në këtë seri ngjarjesh tragjike, të shtrira në kohë, ku këputen jetë të pafajshme njerëzore dhe publiku përfshihet nga paniku, duhet të ketë një përgjigje. Opinioni publik pret një reagim të institucioneve. Pavarësisht se ndodhka edhe në vendet e zhvilluara perëndimore. Të gjithë njerëzit mendojnë se normalisht duhet të ketë një analizë të asaj që ndodhi. Të atyre që kanë ndodhur më parë. Të konstatohet nëse janë në këmbë të gjitha ligjet, aktet nënligjore, institucionet. Bashkëpunimi i tyre për të mundësuar organizimin e punës në mënyrë që ngjarje të tilla të parandalohen maksimalisht.

Por Kryeministri ynë thotë se “… Ndodhira të tilla ekstreme ndodhin edhe në vendet me të zhvilluara demokratike e nuk kanë asnjë lidhje me qeverinë”. E vërtetë, ndodhin! Ne dimë që ndodhin, por sesi reagojnë institucionet e këtyre vendeve më pas, nuk e dimë. Sa ngjarje të tilla janë parandaluar nga këto institucione, nuk e dimë. Asnjëherë nuk ekziston siguria absolute në një vend ku ka liri të individit. Qeveria, dhe në rastin konkret Policia, nuk e ka mundësinë të vendosë nga një polic para apo pas çdo mendjeje të sëmurë, e gatshme për akte të tilla. Por të thuash se probleme të tilla nuk kanë lidhje me qeverinë, duket se ha shumë diskutime. Për të mos thënë që është qëndrim minimalisht i çuditshëm.

Sepse problemi ka tërësisht lidhje me qeverinë.

Neni 21 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku sanksionohet se “ Jeta e personit mbrohet me ligj” nuk është një nocion abstrakt apo teorik. Ai është konkret dhe do të thotë që gjithë seria e ligjeve që materializojnë atë, për qëllim kanë mbrojtjen e jetës së qytetarit dhe që shteti me gjithë komponentët e tij përbërës e merr përsipër. Qeveria ka rolin më madhor.

Materializimi i parë “i mbrojtjes së jetës” është i shkruar mëse qartë në ligjin për “Policinë e Shtetit”, ku në nenin 17, në kapitullin “Detyrat”, në pikën nr.1, germa “a”, thuhet: “ Mbron jetën, shëndetin, pronën publike dhe private”. Edhe ky nen nuk mund të jetë abstrakt. Pra, një institucioni, më kryesorit, i është ngarkuar detyra konkrete mbrojtjen e jetës. Megjithatë, nocioni kushtetues në fjalë vazhdon të materializohet edhe në ligje të tjera. Edhe në njërin syresh që parashikon pikërisht ekzistencën e rrethanave të krimit makabër të ndodhur në Resulaj të Vlorës dhe të krimeve të mëparshme si ai.

Konkretisht, në ligjin 44/2012, “Për shëndetin mendor”, me detyra për shëndetin publik, pushtetin lokal dhe në nenin 22, pika 2 për Policinë, ku shprehimisht thuhet: “Policia e Shtetit, me kërkesë të personelit mjekësor, e ndihmon atë gjatë kryerjes së vizitave mjekësore…”

Pra, mbrojtja e jetës së qytetarit shqiptar në kontekstin e kërcënimit nga një i sëmurë mendor parashikohet në një ligj të veçantë, ku ka detyra konkrete për Policinë, shëndetin publik dhe pushtetin vendor (pika 3, neni 16). Parandalimi i rrezikshmërisë së tyre është detyrë e institucioneve të mësipërme. Parandalimi pra, paska lidhje me qeverinë. Por, me gjithë masat parandaluese, përsëri ngjarje të tilla tragjike mund të ndodhin dhe Kryeministri këtë kishte parasysh. Mund të thotë dikush, JO.

Para se Kryeministri të shprehet se ngjarja e rëndë nuk ka lidhje me qeverinë, e gjen dot kohën t’i kërkojë institucioneve të mësipërme sesi e kanë organizuar punën e tyre për identifikimin në kohë të personave me rrezikshmëri shoqërore si pasojë e shëndetit të tyre mendor? Janë analizuar rastet e mëparshme? Ekziston një procedurë standarde teknike ndërmjet tri institucioneve për identifikimin, izolimin dhe kurimin e të sëmurëve mendorë me rrezikshmëri shoqërore? Ka një bilanc sesi funksionin, nëse ka një të tillë? Në rast se një analizë e kësaj natyre do të kryhej, me siguri shefi i qeverisë do të kishte tjetër mendim për ngjarjen. Por kur shefi shprehet se ngjarja nuk ka lidhje me qeverinë, natyrshëm institucionet e mësipërme nuk do të shprehin ndonjë oreks për të bërë analiza dhe për të identifikuar problematikën eventuale. E njëjta gjë, edhe për humbjen e jetës së qytetarit nga kafshimi i një qeni të racës “Pitbull”. U analizua ky fakt nga institucioni që mbron jetën e qytetarit? Ato forumet qytetare të sigurisë ( të lëna përgjysmë) janë institucione funksionale për të depërtuar në identifikimin e problemeve në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare apo janë shfaqja e radhës? Meqenëse për rastin në Vlorë, Kryeministri thotë se ngjarje të tilla ndodhin edhe në vendet e zhvilluara perëndimore, është rasti të citohet fakti se mbajtja pa leje e një qeni të racës “Pitbull” në këto vende ndalohet me ligj dhe ndëshkimi barazohet me armëmbajtjen pa leje. Modelin e zgjidhjes e ka dhënë edhe shteti i Kosovës me ligjin 02/L-10 “Për përkujdesjen për kafshët”. Me këtë deklarim, duket se Kryeministri nuk ka parasysh as faktin tjetër se në rastet kur ndodhin tragjedi me përmasa tronditëse, qytetarët e ndiejnë jetën e tyre më të pasigurt, kapen nga paniku dhe në kushte të tilla kanë nevojë për një dorë të fortë që t’i sigurojë, t’i konfortojë. Institucione të shtetit që t’u ofrojnë dorën. Por meqenëse shefi thotë se gjëra të tilla nuk kanë lidhje me qeverinë, qytetarët le t’i luten Zotit, se tjetër zgjidhje nuk u ngelet.

*Ish-drejtor në Policinë e Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura